KF APOLONIA

Plot 10 kartonë të verdhë, por sfida ishte mjaft korrekte dhe luftarake nga ana sportive

Besa – Apolonia 0-0

 

Besa: Shehi, Fagu, Dragusha, Vrapi, Arapi, Babamusta, Mihani, Dhëmbi (Cikalleshi 46′), Leci, Mancaku, Xhafaj. Trajner: Sh.Duro.

Apolonia: Haxho, Shoshi, Kelmendi, Çarls, Grami, Ragipoviç, Semir Haxhibuliç (Meto 62′), Çimili (Kaçi 80′), Brkiç, Sead Haxhibuliç. Trajner: E.Karishik.

Gjyqtarë: K.Meta, E.Doda, A.Pregja (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Dragusha, Mancaku, Ragipoviç, Çimili, Çarls, Leci, Semir Haxhibuliç, Meto, Vrapi, Kelmendi

 

“Radiografia”

13′- Dhëmbi jep shkëndijën e parë, por gjuajtja përfundon jashtë.

18′- Xhafaj merr një asist ideal nga Mancaku, por nuk përfiton dot, del portieri Haxho.

21′- Sead Haxhibuliç provon nga distanca, por gabon shënjestrën.

25′- Leci gjuan në hyrje të hyrje të zonës, topi prek një mbrojtës dhe devijohet në goditje këndi.

28′- Provon edhe Dhëmbi, por përsëri gjuan keq.

30′- Xhafaj godet nga distanca mjaft keq.

45′- Aksion model i miqve, ku Brkiç godet në hyrje të zonës, por topi prek Fagun dhe devijohet në këndore.

55′- Shehi zhytet përpara këmbëve të Brkiçit, duke evituar një rast të rrezikshëm.

56′- Eshtë kapiteni Haxhibuliç që lëshon një “predhë” të vërtetë dhe vetëm një mjeshtër si Shehi arrin të grushtojë, topi kthehet në lojë.

75′- Leci me kokë brenda zonës, por topi nuk shkon drejt portës, sepse një mbrojtës devijon në goditje këndi.

77′- Vrapi prirtazi me portën gjuan, por largon me kokë Shoshi.

79′- Cikalleshi jep një asist ideal nga rreth 30 metra për Lecin, që i vetëm brenda zonës ngatërrohet dhe largojnë mbrojtësit.

82′- Sead Haxhibuliç përsëri godet fort, topi devijohet nga një mbrojtës, por edhe Shehi ndodhet në vend.

88′- Kaçi, i futur në fund, ka rastin ideal, kur i vetëm përballë Shehit godet fort, por portieri pret, duke treguar se mbetet numri një i superligës në portë.

 

Komenti

Interesimin e madh që kjo sfidë kishte ngjallur te të dy tifozëritë, ky 90-minutësh e justifikoi më së miri. Rëndësinë e kësaj sfide e tregonte edhe pjesëmarrja e mjaft figurave të sportit të pranishëm në tribunën VIP, por edhe e gazetarëve të shumtë, ndoshta kjo e ndikuar edhe pse ishte ndeshja e vetme që zhvillohej dje. Nëse gjykohet nga numri tejet i madh i kartonëve të verdhë, plot 10 të tillë, shihet ndoshta si takim i ashpër. Në të vërtetë, ka qenë një lojë e fortë dhe burrërore brenda normave të “fair‑play”.

Duke u kthyer tek ajo çfarë prodhoi loja, duhet thënë se pjesa e parë në përgjithësi i takoi Besës, e cila krijoi më shumë volum loje dhe sidomos mbrojtja kreu në mënyrën më të mirë detyrën, duke lënë pa asnjë goditje drejt portës së Shehit dy sulmuesit e rrezikshëm serbë të Apolonisë.

Ndërsa sulmi verdhezi luajti pa ide të qarta dhe përpjekjet e Mancakut ishin shumë pak për të vënë në rrezik portën mike. Sulmuesi Daniel Xhafaj u pa shpesh të kthehej deri në mesfushë për të marrë topat dhe kjo ia hoqi befasinë disi sulmit verdhezi. Ndërsa miqtë nga Fieri në 45-minutëshin e parë u kujdesën të mos pësonin gol, por edhe të kundërsulmonin. Duket se mungesa e një lojtari tip trekuartisti, ai që jep pasin e fundit, mungonte tek Apolonia dhe për rrjedhojë dalja në kundërsulm e saj nuk paraqiti asnjë rrezik.

Me fillimin e pjesës së dytë, Besa fut në lojë talentin e saj, Sokol Cikalleshin, dhe duket se sulmi merr më shumë frymëmarrje. Janë pasimet e tij të arta dhe driblimet jashtë e brenda zonës që në tri momente i krijojnë Besës raste për të rrezikuar, si ato të Lecit, apo dy goditjet e lira në hyrje të zonës. Madje në atë të fundit ndoshta Cikalleshi, nëse do të tregohej më i fortë në dyluftim, edhe mund të rrëmbente ndonjë 11-metërsh.

Ndërsa Besa kërkonte golin, edhe miqtë pas minutës së 80-të luajtën gjithçka për gjithçka, kur patën dy raste shënimi e në të dyja rastet pritjet e Shehit ishin vendimtare, veçmas në atë të shkodranit Kaçi. Kështu u mbyll kjo sfidë, pa fitues, por që i kënaqi mjaft të pranishmit në stadium. Si rrallë këtë sezon, ishin prezentë mbi 5 mijë shikues e keqardhja e vetme mbeti mosfitorja e Besës. Një grup tifozësh miq nga Fieri inkurajuan jo pak idhujt e tyre gjatë gjithë këtij 90-minutëshi. Nga mënyra se si u zhvillua kjo sfidë, rezultati i barabartë ishte më reali, pavarësisht se nuk kënaqi asnjë nga palët, por dha verdiktin real të asaj çfarë ata dhanë në fushën e blertë.

 

Për Besën ky ishte një hap fals, po të kemi parasysh objektivat e saj dhe faktin se luante në shtëpi. Ndikim jo të paktë psikologjik te verdhezinjtë pati edhe fakti i të luajturit të hënën, kur Dinamo kishte barazuar e kjo ego solli jo pak gabime në fushën e blertë. Pavarësisht këtij hapi fals, duhet pranuar se përballë Besa kishte ekipin më të fortë me të cilin është ndeshur deri tani, Apoloninë, që me meritë mban vendin e tretë. Ndërsa miqtë nga Fieri, ndryshe nga të gjithë ekipet që kanë ardhur në Kavajë, nuk u mbrojtën me forca të shumta, por zhvilluan një lojë të hapur dhe luftë për topin e parë në çdo sektor të fushës.

Defekti i vetëm ishte mungesa e finalizimit, që vinte për pasojë e mungesës së njeriut që jep pasin e fundit. Në sfidën mes sulmit më të fortë dhe mbrojtjes më të fortë, triumfuan mbrojtësit verdhezinj, që nuk lejuan në asnjë rast që sulmuesit fierakë të hynin në zonën e tyre. Mbyllet një sfidë pa fitues, por që mbi të gjitha mendojmë se fitoi futbolli. Fundja, tifozëritë e të dy ekipeve u kënaqën me atë futboll burrëror e të bukur. I vetmi merak mbeti goli.

Deklarojnë…

Shpëtim Duro, trajner i Besës: “Zhvilluam një lojë mjaft të mirë, por nëse mbrojtja i kreu më së miri detyrat, sulmi nuk ishte aq efikas sa duhej. Duhet të kishim treguar më tepër luftë e grintë. Pavarësisht kësaj, nuk është çudi ky barazim. Ashtu siç gaboi Dinamo, gabuam edhe ne.”

Esad Karishik, trajner i Apolonisë: “Së pari, uroj presidentin Bizhdili për ditëlindjen dhe kushtet ideale në të cilat zhvilluam takimin. Erdhëm të luanim te një ekip mik dhe jam i kënaqur nga loja e futbollistëve të mi. Besa në pjesën e dytë na bëri disa faulla, por kjo nuk i heq takimit vlerësimin si takim korrekt. Një pikë s’na kënaq, as ne, as Besën, por ky ishte verdikti më real dhe i drejtë për atë çfarë dhamë në fushën e lojës. Më kënaq fakti se Apolonia luan futboll të hapur dhe vetëm finalizimi na mungoi sot.”

 

Të veçanta

‑ Para takimit, kryetari i shoqatës së tifozëve verdhezinj, Agron Shtini, i dhuroi presidentit Bizhdili një këpucë me një top si shenjë urimi për 46-vjetorin e tij.

‑ Mjaft presidentë klubesh të superligës, duke filluar me Bizhdilin e Pukën, Presidentin e Nderit të Apolonisë, Koço Kokëdhimën, atë të Tiranës, Refik Halili, Ismaili i Shkumbinit deri te Naim Qarri i Kamzës, ndoqën këtë sfidë interesante.

‑ Mbi 200 tifozë fierakë ndoqën ekipin e tyre të zemrës në stadiumin “Besa”.

Advertisements

Nuk ishte e rastësishme që përballja Besa-Apolonia, e fundit e javës së tetë, të konsiderohej kryendeshja e superligës. U përplasën dy skuadra kryesuse: Besa kërkonte të përfitonte nga ndalesa e Dinamos, ndërsa Apolonia kishte rastin më të mirë për të konfirmuar ambiciet e veta, të shfaqura që në javët e para. Në fund të këtij 90-minutëshi u konfirmua ajo që me të drejtë është thënë shpesh në studiot sportive: Apolonia do të jetë pretendente serioze në këtë kampionat. Jo sepse mori një barazim në fushën e vështirë të Kavajës, por për faktin që tregoi nivel në lojë dhe mentalitet. Dhe përsëri drejtuesit e Apolonisë, pikërisht presidenti i nderit, Koço Kokëdhima, rezervon kritika në drejtim të lojës dhe mënyrës së drejtimit të saj nga stafi teknik fierak. Sepse Aplonia duhet të kërkojë më shumë nga vetja. Në këtë intervistë presidenti i nderit i Apolonisë vë në dyshim cilësinë e gjykimit, që përgjithësisht cënoi lojën dhe ambiciet e Apolonisë. – Më çfarë përshtypjesh jeni larguar sot (dje) nga Kavaja? ‑ Skuadra e Apolonisë bëri një paraqitje burrërore, një lojë dinjitoze. Tregoi forcën dhe karakterin e saj dhe me meritë pretendon top‑listën e kampionatit. Në veçanti u impresionova nga loja e qendërmbrojtësit Çarli, nga Çimili dhe Grami. Për mua ishin lojtarët që u dalluan më shumë tek Apolonia. Nuk u mohohen meritat edhe lojtarëve të tjerë, por unë këta që përmenda do të veçoja më shumë. Për mua Çarli ishte futbollisti më i mirë i Apolonisë. ‑ Kaq ishin mundësitë e Apolonisë në këtë takim? ‑ Në rast se gjykimi do të ishte i ndershëm, besoj që Apolonia mund ta kishte fituar ndeshjen. Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e Apolonisë mendoj se duhet ta drejtonin më mirë dhe më me pretendime ndeshjen, sidomos në pjesën e dytë. Pra, e them me plot bindje që sidomos në 30 minutat e fundit duhet të synonim fitoren dhe jo të mbanim 5 lojtarë të rreshtuar prapa, për të siguruar barazimin. Kjo përligj faktin se stafi i Apolonisë kishte ardhur në Kavajë me mendimin për të marrë barazimin. Duke e gjykuar në kompleks, mendoj që Apolonia mori poshtë mundësive të veta. ‑ Ndeshja e radhës e Apolonisë është me Flamurtarin. Duhet të ndryshojë gjë në përgatitjet e skuadrës për të marrë rezultatin maksimal? ‑ Dua të kthehem edhe një herë në ndeshjen e Kavajës. Duhet t’i tërheq vëmendjen gjykimit, që ka qenë i njëanshëm. Gjatë 4‑5 viteve të fundit, kam vënë re që gjyqtarët tanë, kur bëhet fjalë për duelet apo dyluftimet me lojtarët më ngjyrë, i tolerojnë shumë futbollistët shqiptarë. Në shumë raste ndërhyrjet, që nuk ndëshkohen nga gjyqtari, mund t’i cilësoj kriminale. Mund të përmend një ndërhyrje vrasëse ndaj qendërmbrojtësit tonë, Çarli, por çuditërisht futbollisti i Besës nuk u ndëshkua me karton të kuq. Gjyqtari u mjaftua me një karton të verdhë. ‑ Ku qëndron forca e Apolonisë së këtij sezoni? ‑ Është një kulturë që ne të gjithë po përpiqemi ta zhvillojmë. Forca e Apolonisë është pikërisht te kjo kulturë, që po përpiqemi ta zhvillojmë, te fryma e skuadrës, tek organizimi i klubit, te solariditeti dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes futbollistëve dhe tifozëve me futbollistët, te autoriteti i padiskutueshëm i drejtuesve teknikë, te pavarësia e tyre profesionale. Janë disa faktorë, pa harruar edhe investimet e bëra në klub, që kanë sjellë rritjen e cilësisë dhe detyrimisht edhe të pritshmërisë së rezultateve. Pra, është një kompleksitet faktorësh që kanë sjellë rritjen graduale të Apolonisë. Apolonia vërtet është konkurruese, por duhet të përmirësohet rrënjësisht. Loja e saj duhet të përmirësohet më tej, sepse është akoma larg pritshmërive tona dhe dëshirës së publikut. Të gjithë kanë shumë për të përmirësuar. Futbollistët e Apolonisë, ashtu siç marrin vlerësime për atë që kanë dhënë deri tani, duhet të theksojmë që kanë mangësi jashtëzakonisht të mëdha. Pra, ata duhet të punojnë akoma më shumë dhe me këmbëngulje, për t’u përmirësuar dita‑ditës. ‑ Ju u kthyet sërish te ndeshja me Besën. Mos është ende shpejt për të folur për Flamurtarin? ‑ Unë mund të them që Apolonia duhet t’i shfrytëzojë më shumë kapacitetet e veta. Është një skuadër që në të kaluarën nuk është se ka pasur arritje në rezultate, por ka ardhur momenti që të kërkojë më shumë te vetja, gjë që arrihet duke punuar fort dhe duke u përmirësuar çdo ditë. Takimi me Flamurtarin nuk është larg, por në këtë takim të radhës Apolonia duhet të ndryshojë në aspektin e lojës. Pra, të jetë krejt ndryshe krahasuar me ndeshjen e Kavajës, apo edhe të një jave më parë në Fier.

“Zonjusha” bën detyrën, duke shënuar 3 gola në portën e Gramozit

Komenti
Asgjë e jashtëzakonshme. Apolonia ka respektuar traditën në shtëpinë e vet, duke fituar me Gramozin, në një ndeshje që ishte menduar që do të shkonte sipas kësaj rrjedhe. Fierakët kanë thyer dhe rekordin vetjak në këtë takim, pasi kanë shënuar për herë të parë plot tre gola në “Loni Papuçiu”, duke shënuar fitoren e tyre më të thellë të sezonit. Përballë një Gramozi modest dhe debutues në superligë, Apolonia është treguar një skuadër kompakte dhe tepër agresive, një ekip që i ka dhënë fare pak mundësi ekipit mik. Në pjesën e parë, miqtë janë mbrojtur disi me fanatizëm dhe janë përpjekur me të gjitha mundësitë që të mos pësonin gol, por cilësitë e sulmuesve fierakë i kanë vënë jo pak në vështirësi miqtë, ku duhet veçuar forma e mirë e portierit Toçi, disa herë shpëtimtar i portës së tij. Pas minutës së 40‑të, Apolonia është më insistuese dhe kërkon që të shkojë në epërsi në pushim të ndeshjes. Rasti më flagrant do të jetë ai i minutës së 45‑të, kur Brkiç ka fituar një 11‑metërsh, por Toçi do t’i mohojë golin kapitenit Haxhibuliç, duke grushtuar në korne. Por vetëm kaq. Portieri mik nuk mund të bëjë dot një gjë të tillë vetëm, pas një minuti, pikërisht nga korneri i fituar pas penalltisë. Qendërmbojtësi i përvojës Edin Ferizoviç është ngritur mbi gjithë të tjerët dhe ka përcjellë në rrjetë një kros të Metos. Eshtë një gol që i jep Apolonisë qetësi dhe komoditet për pjesën e dytë. Fraksioni tjetër i ndeshjes do të fillojë me një furi të pandalshme të fierakëve. 15 minutat e para kanë qenë një dialogim i gjatë i sulmeve fierake dhe poirtierit Toçi. Në minutën e 58‑të, kapiteni Haxhibuliç do të shlyejë gabimin e bërë në pjesën e parë, teksa humbiste penalltinë dhe ka shënuar pas një “valleje dyshe” të tij dhe Brkiçit. Pas kësaj minute, Apolonia luan edhe më e bindur në sigurinë që krijon rezultati dhe do të presë dhe momentin e finalizimit përfundimtar të këtij takimi. Mesfushorit të palodhur Agim Meto nuk kish se si t’i mungonte goli në këtë ndeshje të shkëlqyer që ka zhvilluar dhe këtë ai e ka bërë pikërisht në minutën e 88‑të, duke treguar se është “specializuar” për golat e minutave të fundit, siç kish bërë edhe me Tiranën. Një 3‑0 autoritare dhe e rreptë kjo e Apolonisë së Fierit, që momentalisht gëzon vendin e dytë në renditje. Fierakët kanë të drejtë të festojnë, pasi këtë e kanë merituar përmes lojës së bukur dhe rezultateve të vazhdueshme.

Deklarojnë:
Esad Karishik, trajner i Apolonisë: “Ishte një takim shumë i rëndësishëm për ne. E kam thënë edhe më parë që kemi tri takime shumë të rëndësihme për të luajtur, ku i pari është zhvilluar kundër Gramozit dhe është kaluar me sukses. Nuk ka qenë një ndeshje që ka folur vetëm përmes golave, por Apolonia është dalluar edhe nga loja që ka zhvilluar dhe besoj se tifozët kanë mbetur të kënaqur. Eshtë luajtur një futboll korrekt dhe fair‑play. Dua të përshëndes miqtë për lojën që kanë zhvilluar, pavarësisht rezultatit. Me këtë që kemi bërë sot, të gjithë janë të bindur për forcën tonë. Sekreti i Apolonisë qëndron tek atmosfera dhe psikologjia e grupit, te harmoniteti i plotë i skuadrës. E kam thënë edhe më parë që kjo është Apolonia që kërkojmë: një skuadër me lojë dhe me shumë gola.”
Agim Canaj, trajner i Gramozit: “Kemi zhvilluar një lojë që nuk i përgjigjet aspak rezultatit të takimit. Në 40 minutat e para, skuadra ka funksionuar mirë, është mbrojtur mirë dhe ka pasur një rast të artë për të shënuar. Më pas ka qenë një moment pakujdesie që ka shkaktuar dhe penalltinë. Edhe pjesa e dytë ka filluar me një rast barazimi për ne. Megjithatë, nuk duhet harruar që kemi pasur një ekip me formacion të modifikuar, gjë që krijoi dhe hapësira për kundërshtarin. Në këtë ndeshje, mendoj se na dëmtoi dhe mentaliteti i të qenit skuadër debutantë. Na mbetet shumë për të bërë në ndeshjet e ardhshme. E uroj skuadrën fierake për fitoren e arritur.”

Të veçanta:
– Të pranishëm në tribunën VIP kanë qenë Presidenti i Nderit të Apolonisë, Koço Kokëdhima, presidentët e të dyja skuadrave, Puka dhe Taçi, kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, etj.
– Të dy kapitenët e skuadrave kanë qenë dy të huaj. Për Apoloninë, është serbi Sead Haxhibuliç, ndërsa për kolonjarët braziliani Rodriges Oliveira.
– Në minutën e shtatë, ka pasur një replikim në distancë mes Shoshit dhe futbollistit kosovar Hyseni. Gjyqtari Taullau ka nxjerrë kartonin e kuq për qendërmbrojtësin fierak, por më vonë e ka korrigjuar dhe ka nxjerrë nga xhepi kartonin e verdhë.

Sot “Zonjusha” ka shansin e mirë të ngjitet në vendin e dytë, duke pritur nesër e qetë të tjerët

Apolonia – Gramozi (Sot në 14:30)

Apolonia: Haxho, Elmazi, Shoshi, Ferizoviç, Grami, Meto, Ragipoviç, Capa, Kaçi, Sead Haxhibuliç, Brkiç. Trajner: E.Karishik.

Gramozi: Toçi, Kukaj, Islami, Rexhepi, Semina, Babaj, Olivera, Rustemi, Lena, Hyseni, Dos Santos. Trajner: A.Canaj.

Apolonia do të ketë “fat”, teksa do ta luajë e para ndeshjen e javës së shtatë dhe do të presë e qetë rezultatet e takimeve të tjera që do të luhen ditën e diel. Ndeshja Apolonia‑Gramozi do të hapë siparin e kësaj jave të kampionatit dhe fierakët janë të gatshëm që ta çojnë çdo gjë sipas parashikimeve të duhura, duke premtuar se do të regjistrojnë fitoren e pestë në këtë edicion. Një fitore, tri pikë dhe akomodimi në vendin e dytë të renditjes, është kjo mundësia e artë që paraqitet nën emrin e kundërshtarit të radhës, Gramoz. Eshtë trajneri Esad Karishik, i cili shprehet se skuadra e tij duhet që në këtë ndeshje të përmushë tri elemente: lojë të bukur, fitore dhhe gola.

“Mendoj se asnjëherë nuk kemi pasur një Apoloni në këtë gjendje, një skuadër nga e cila mund të presësh dhe të shpresosh kaq shumë dhe pikërisht tani është momenti i volitshëm për të vjelë nga ky ekip frytet e punës së bërë. Skuadra ka mundur që të krijojë një lojë të niveleve të mira dhe e ka bërë këtë gjë gradualisht, duke qenë gjithmonë e më bindëse nga java në javë. Duke vënë re pikërisht gradualitetin në rritje të ekipit tonë, në këtë ndeshje presim një shfaqje edhe më të mirë dhe një lojë edhe më të pëlqyeshme të Apolonisë,” – shprehet numri një i pankinës së bardhejeshilëve, Esad Karishik, i cili thotë se skuadra e tij ka bërë hapin më të mirë në Korçë, duke i krijuar vetes një shans kaq të përshtatshëm në javën e shtatë, më saktësisht, mundësinë për të marrë fitoren e tretë radhazi, një komoditet i kënaqshëm ky për Apoloninë.

Natyrisht që, përtej rezultateve dhe pikëve të marra në këto gjashtë javë të para të zhvilluara të kampionatit, trajneri Karishik mbetet ende kërkues dhe insistues në drejtim të ekipit të tij, duke kërkuar përmirësimin e mëtejshëm dhe një lojë edhe më shprehëse nga ana e skuadrës. Këtë këmbëngulje, Karishik e justifikon duke u shprehur se është domosdoshmëri për një skuadër pretendente. “Rezultatet tona asnjëherë nuk i kemi parë të shkëputura nga loja që zhvillojmë në fushë. Apolonisë dhe filozofisë së saj nuk i kanë interesuar ndonjëherë fitore pa shkëlqimin e lojës dhe këtu qëndron dhe e veçanta e kësaj skuadre, pasi është më pak komerciale në këtë drejtim sesa ekipet e tjera. Do të ishte e rrallë, vetë në raste të rralla që ne ta përtypnim dhe të pajtoheshim me një fitore të tillë.

Ekipi ynë duhet ta paraqesë kudo vrullshmërinë që e karakterizon. Do të shtoja se rezultatet e marra nuk na kanë vënë në gjumë, pasi skuadra jonë ka akoma punë për të bërë. Kështu, na duhet një punë më e kujdesshme në drejtim të organizimit të aksioneve sulmuese dhe akoma më tepër qartësi në finalizimin e tyre, por këto janë elemente që vijnë e riparohen gradualisht dhe pak e nga pak pas çdo jave. Tani na intereson fitorja me Gramozin dhe do ta ftoja skuadrën që të zhvillonte lojën që të gjithë presin prej saj,” ‑ ka përfunduar trajneri Karishik.


Kapiteni Haxhibuliç: Jemi shumë të motivuar

Edhe kapiteni i Apolonisë, Sead Haxhibuliç, është mjaft optimist në prag të ndeshjes me Gramozin e Ersekës. Sulmuesi i bardhejeshilëve shprehet se nuk do të jetë një fitore e mundimshme dhe se Apolonia do të dijë ta fitojë me maturi këtë ndeshje. “I kemi të gjitha mundësitë dhe do ta shfrytëzojmë këtë rast të mirë që kemi në shtëpinë tonë. Ekipi ynë është mjaft i motivuar dhe nuk do t’u lërë asnjë mundësi kundërshtarëve as për të shpresuar se mund të marrë ndonjë rezultat që do t’u bënte punë. Jemi një ekip më i fortë dhe më me objektiva se kundërshtari ynë. Unë kam besim të plotë te shokët e skuadrës dhe jam i bindur se ata do të japin në fushë më të mirën e tyre. Kemi mundësi të plotë të korrim një fitore sugjestionuese edhe në shifra, por kjo do të ishte e fundit që do të na interesonte. Mbi të gjitha fitorja,” ‑ ka thënë kapiteni i Apolonisë, Sead Haxhibuliç.

Trajneri Esak Karishik kërkon vazhdimësinë, aq më tepër që me Gramozin luhet në Fier

“Nuk do t’i duhet asgjë më tepër Apolonisë në këtë ndeshje, veçse të përsëritë atë që ka bërë në tri ndeshjet që ka zhvilluar në fushën e saj gjatë këtij kampionati dhe atë që e konfirmoi edhe në Korçë. Nuk do të ishte stërmundim për fierakët që të fitonin ndaj Gramozit, por një kërkesë më se normale e një ekipi që po ecën në “binarët” e duhur dhe një dëshirë e ligjshme e tifozërisë ndaj skuadrës.

Futbollistët tanë e dinë që nuk kanë në dispozicion asnjë rezultat tjetër, përveç fitores dhe është një sfida që ata e presin me kënaqësi për ta përballuar. Eshtë një takim që pritet me padurim dhe interes të veçantë nga të gjithë futbollistët e Apolonisë, ku të gjitha repartet janë të plota për të dhënë më të mirën. Eshtë një ndeshje që na vlen për të dëshmuar vazhdimësinë, ndaj na duhet vetëm fitorja,” ‑ është shprehur trajneri Karishik, ndërsa i gjithë grupi i lojtarëve është në unanimitet me kryetrajnerin e tyre.

Kështu, mbrojtësi Elton Grami, i cili ka spikatur veç të tjerash në javët e para edhe për kartonët e verdhë që ka marrë, thekson se ndaj Gramozit duhet të jetë një Apoloni e pandalshme dhe një skuadër në superformë, për t’u treguar të tjerëve se nuk vlerësojnë vetëm skuadrat që në pamje të parë duken të vështira. “Gramozi është një skuadër që merr pjesë në superligë dhe nuk ka nevojë për të bërë shtesa apo pakësime të tjera në vlerësimet tona, ‑ thotë mbrojtësi i Apolonisë.

‑ Do të ishte e gabuar dhe fare e pavend që të dukeshim egoistë dhe të deklaroheshim të shfrenuar ndaj tyre. Si ekipi ynë, ashtu dhe kolonjarët, kanë krijuar një portret të vetin në këtë kampionat dhe jam i bindur që të dyja skuadrat në këtë ndeshje do të përpiqen për ta përmirësuar më tej imazhin e tyre futbollistik. Neve na intereson që të kemi në fushë një Gramoz të fortë dhe kërkues, pasi kështu ndeshja do të jetë më e ndezur, më luftarake dhe më sportive. Kur një skuadër kundërshtare paraqitet në nivele të mira loje, fitorja merr më shumë vlera.

Nuk e dyshoj se Gramozi do të zhvillojë një ndeshje të mirë dhe do të ketë synimet e veta në këtë takim, megjithatë ne nuk jemi vetëm favoritët e paratakimit me kolonjarët, por do të jemi edhe fituesit e padiskutueshëm të këtij 90-minutëshi,” – pohon Grami, i cili është shprehur se fitorja që kanë marrë në javën e gjashtë në ndeshjen kundër Skënderbeut në Korçë, u ka mësuar fierakëve edhe disa “sekrete” në lidhje me vazhdimësinë e kampionatit.

Apolonia ka kaluar në qytetin juglindor të Shqipërisë provën e “frikës” së transfertave dhe kjo do t’u shërbejë në ndeshjet e tjera pasardhëse. “Do të kemi kohë për ta vërtetuar edhe forcën që na dha fitorja në Korçë, por kjo do të vlejë më shumë në ndeshjen pasardhëse dhe jo në takimin kundër Gramozit, pasi në shtëpinë tonë ne jemi “ustallarë” të fitores.

Deri në ndeshjen me Besën do të kemi kohë në dispozicion dhe do të doja të mendonim vetëm për Gramozin. Do t’u bëja apel shokëve të skuadrës që të luajnë me gjithë shpirt në fushë, pasi Apolonia nuk duhet të bjerë më nga niveli i lojërave të saj. Le të japim të gjithë më të mirën, jo vetëm në këtë ndeshje dhe fitorja do të jetë gjithmonë me ne,” – përfundon mbrojtësi Elton Grami.

Grami: Gjyqtarët më kanë ndëshkuar shumë

Mbrojtësi i majtë i skuadrës fierake, Elton Grami, nuk ka ngurruar që të ndalet edhe në çështjen e ndëshkimit thuajse në çdo ndeshje të tij me kartonët e verdhë, ku në pesë takime të luajtura, në katër prej tyre është ndëshkuar. “Nuk di se ç’kanë që e kanë zënë me mua gjyqtarët. Unë e kam pjesë të karakterit tim lojën e shpejtë, me ritëm gjatë gjithë ndeshjes, duke qenë gjithmonë në lëvizje dhe në vrapim.

Apolonia është pak më “e butë” si skuadër dhe ndoshta loja ime bie në njëfarë mënyre në sy, duke krijuar përshtypjen e një loje të ashpër. Më duhet të them se nuk jam “Krishti” i futbollit, por nuk jam as ai futbollist ndaj të cilit gjyqtarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të gatshëm për t’i rënë bilbilit në çdo moment dhe për ta ndëshkuar për ndërhyrjet e tij. Unë parapëlqej lojën e ndershme, korrekte dhe me shumë nerv, por asnjëherë nuk abuzoj me këtë, prandaj do të kërkoja nga gjyqtarët që të jenë më racionalë në këndvështrimin dhe vlerësimin e tyre,” – thotë Grami.

Zv/trajneri i Apolonisë, Kenan Kolasimoviç, nuk i ndan ekipet për nga fortësia, të gjithë njësoj janë

Do të jetë një ndeshje që do të faktojë Apoloninë e suksesshme dhe të fortë e të pandalshme, sidomos në fushën e vet. Fierakët kanë qenë mjaft të qartë në tri ndeshjet e para që kanë zhvilluar në fushën e tyre, duke fituar me mjaft siguri e meritë ndaj durrsakëve, Shkumbinit dhe kampionëve në fuqi, Tiranës.

Pasi ka krijuar njëfarë komoditeti në renditje, e mundësuar kjo nga rezultatet në ngjitje të skuadrës, Apolonia ka përpara vetes një shans që nuk duhet humbur, por duhet shfrytëzuar në maksimum për të marrë një tjetër fitore, që do të kishte mjaft vlera dhe do t’i jepte shumë avantazhe skuadrës fierake në renditje dhe në sasinë e pikëve të grumbulluara.

Eshtë një takim relativisht i lehtë për Apoloninë, të paktën në letër, por nuk janë të këtij mendim vetë fierakët, të cilët shprehen se e kanë vlerësuar me mjaft përgjegjësi dhe kujdes skuadrën e Gramozit, pasi vetëm kështu mund të jenë më të qetë dhe më të sigurtë drejt marrjes së rezultatit maksimal në këtë ndeshje.

Sipas zëvendëstrajnerit të Apolonisë, Kenan Kolasimoviç, skuadra fierake nuk ka kohë për të humbur dhe nuk gëzon atë lloj komoditeti për ta marrë lehtë këtë ndeshje apo për ta diskutuar fitoren. Numri dy i pankinës fierake shprehet gjithashtu se me këto aspak nuk duan të ulin vlerat e kundërshtarit dhe ta shohin atë si inferior, por në Fier, Apolonisë nuk i lejohen hapa fals. “Ndonjëherë, ndeshje me kundërshtarë të tillë që të duken disi më të lehtë dhe më të paforizuar, kthehen në ndeshjet më të vështira.

Parë në kërë aspekt, ne kemi në dispozicion gjithë gadishmërinë tonë për t’i kushtuar mjaft kujdes skuadrës së Gramozit dhe nuk e kemi vlerësuar asfare me kutin e inferiorit. Ata janë një kundërshtar si dhe të tjerët dhe ne nuk kemi as më të voglën arsye pse të jemi neglizhent apo euforikë ndaj tyre.

Eshtë një shembull i mirë loja dhe fitorja që ne morëm në Korçë, atje ku edhe vendësit ishin mëse të bindur se do të dilnin ata fitues. Pra, dua të them që, atë që bëmë ne në Korçë, mund të synojë Gramozi ta bëjë në Fier. Besoj se nuk do të ketë dyshime mbi rezultatin. Ne jemi ekip më i përgatitur dhe më i fortë se ata dhe, sigurisht që kemi më shumë arsye për të kërkuar me ngulm fitoren.

Në Fier, as që mund të bëhetë fjalë për rezultat tjetër, aq më tepër në këto momente që ndodhet skuadra jonë dhe në këtë pikë që ne kemi arritur. Kemi konsideratat tona më të mira për ekipin e Gramozit, që është dhe skuadra më e re e superligës shqiptare, por nuk mund t’i lejonim vetes një tjetër rezultat. Apolonisë kanë filluar t’i shijojnë fitoret dhe do të ketë një tjetër të tillë edhe në ndeshjen me Gramozin,” ‑ është shprehur mes të tjerash zëvendëstrajneri i Apolonisë, Kenan Kolasimoviç. Apolonia ka edhe një “bast” me veten e vet, duke dashur që ta sfidojë deri në fund ecurinë e mbarë të saj.

Fitorja me Gramozin do të sillte më shumë siguri në ekip dhe do të kriojnte atmsoferën e duhur përpara takimit mjaft të rëndësishëm të javës pasardhëse, atje ku fierakët do të ndeshjen me kavajasit, me ekipi që me meritë mban vendin e dytë aktualisht në superligën shqiptare.


Apolonia, 5 pikë më shumë se sezoni i kaluar

Apolonia i ka bërë kampionatit një startim krejt ndryshe nga sezoni i vitit të kaluar. Fierakët nuk janë vetëm një skuadrë më bindëse sesa ajo që mbijetoi vetëm në javën e fundit në sezonin e kaluar, por edhe në rezultatet është e pamundur për të hequr një paralele ngjashmërie me skuadrën e gjashtë.

Kështu, në gjashtë javët e para të kampinatit të kaluar, Apolonia kishte mundur të siguronte 2 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje, me një golavarazh 5‑7 dhe me 7 pikë të grumbulluara, ndërsa këtë sezon Apolonia ka marrë 4 fitore dhe 2 humbje, me një golavarazh 10‑6 dhe me 12 pikë, duke qëndruar në vendin e tretë. Krahasimet e tjera do të ishin të tepërta.

Mesfushori Arbër Capa thekson se ekipi njësoj është përgatitur, edhe pse është përballë Gramozi

Eshtë jo vetëm premtuese, por edhe mjaft e mirë gjendja që Apolonia ka në prag të ndeshjes me Gramozin. Skuadra nuk u është ndarë përgatitjeve për këtë takim dhe në të gjitha seancat përgatitore është vënë re përkushtimi, me të cilën futbollistët po punojnë që takimi i radhës të jetë një fitore komode për ta. Me këtë nuk duhet nënkuptuar se fierakët e cilësojnë të lehtë ndeshjen me Gramozin, por duke e vlerësuar në të gjitha drejtimet, konkludohet pa ndonjë vështirësi të madhe se Apolonia është favorite e padiskutueshme dhe se nuk ekziston as fija më e vogël e dyshimit për ndonjë rezultat tjetër të mundshëm.

Kualitetet e Apolonisë, pjekuria që kjo skuadër ka fituar dhe, njëherësh përvoja e njohjes më me detaje e kampionatit të superligës, i japin skuadrës fierake shumë prioritete krahasuar me Gramozin, një skuadër gjithsesi me mjaft kurajë, që i është futur guximshëm kampionatit elitar në Shqipëri. Por kjo nuk mjafton, nëse do të përmendim edhe një detaj tjetër, më përcaktues në këtë takim, pikërisht faktin se 90 minutat do të zhvillohen në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, atje ku zotër bëhen tifozët bardhejeshilë, aq të njohur dhe të veçantë për pasionin e tyre në përkrahje të skuadrës.

Megjithatë, edhe pse futbollistët dhe drejtuesit e Apolonisë i kanë llogaritur të gjitha këto, nuk kanë ndenjur duarkryq dhe në pritje të një suksesi që do të vinte vetë, por kanë ardhur duke e kulmuar përgatitjen e tyre, duke qenë gati që Gramozit t’ia diktojnë qysh në çastin e parë se kush është Apolonia dhe me ç’synime vjen në këtë takim. Një vlerësim të matur për këtë ndeshje jep edhe mesfushori i fierakëve Arbër Capa, i cili mendohet të jetë në fushën e lojës që nga minuta e parë në këtë takim. Ish futbollisti i Partizanit ka deklaruar se Gramozi do të jetë humbësi i padiskutueshëm i këtij takim dhe rezultati është e vetmja gjë që nuk ka kaluar ndonjëherë në diskutim nga fierakët.

Përveç kësaj, absolutisht duke mos e vlerësuar Gramozin, sipas Capës, një rëndësi të veçantë do të ketë loja e Apolonisë, pasi bardhejeshilët kërkojnë të kristalizojnë një qëndrueshmëri dhe një stilitet loje të niveleve të larta, pavarësisht rezultatit që shënohet në fund të takimit. “Nuk e kemi lënë pas dore Gramozin dhe nuk po futurojmë pas dy fitoreve që kemi marrë në dy ndeshjet e fundit. Nuk duhet harruar që ndeshja fillon me rezultatin 0 0 dhe të dyja skuadrat kanë numër të barabartë futbollistësh në fushë. Kjo nuk është thjesht një kortezi ndaj kundërshtarëve tanë, por tregon se Apolonia nuk është një skuadër që e ul vigjilencën, cilido qoftë ekipi që vihet përballë. Nuk na interesojnë dhe nuk bëjnë punë aspak rezultatet që kemi marrë ne apo kolonjarët në ndeshjet e para.

Gjithsesi, unë mendoj dhe jam i bindur se do të jemi fitues të kësaj ndeshjeje dhhe fusha do ta tregojë këtë gjë. Do të jemi një skuadër e disiplinuar dhe në asnjë çast të vetëm nuk do të mendojmë ndeshjen të përfunduar, por do të luajmë deri në përfundim të takimit, sepse nuk harrojmë për asnjë moment që duhet të luajmë edhe për publikun tonë,” është shprehur tiranasi i mesfushës fierake, Arbër Capa.

Kelmendi i dëmtuar, Semir Haxhibuliç tre të verdhë
Në vazhdën e përgatitjeve për ndeshjen me Gramozin, pasditen e së mërkurës, skuadra fierake ka zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli. Kjo gjë i ka shërbyer stafit teknik me në krye trajnerin Karishik, për të menduar edhe më mirë për formacionin që do të hedhë në fushë kundër Gramozit. Duhet pasur parasysh se për ndeshjen e radhës, fierakët do të vuajnë edhe mungesën e disa futbollistëve. Kështu, Karishik nuk do të ketë në dispozicion Hotin dhe Kelmendin, të cilët janë ende të dëmtuar, por gjithashtu edhe mesfushorin Semir Haxhibuliç, i cili është i pezulluar për shkak të numrit tre të kartonëve të verdhë. Megjithatë, është fakt që Apolonia ka një stol me shumë alternativa dhe skuadra nuk do të ketë të vështirë për të përgatitur një tjetër formacion fitues.

Shtator 2017
H M M E P S D
« Tet    
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930