KF APOLONIA

Besa‑Apolonia pa gola, fiton futbolli

Posted on: Tetor 27, 2009

Plot 10 kartonë të verdhë, por sfida ishte mjaft korrekte dhe luftarake nga ana sportive

Besa – Apolonia 0-0

 

Besa: Shehi, Fagu, Dragusha, Vrapi, Arapi, Babamusta, Mihani, Dhëmbi (Cikalleshi 46′), Leci, Mancaku, Xhafaj. Trajner: Sh.Duro.

Apolonia: Haxho, Shoshi, Kelmendi, Çarls, Grami, Ragipoviç, Semir Haxhibuliç (Meto 62′), Çimili (Kaçi 80′), Brkiç, Sead Haxhibuliç. Trajner: E.Karishik.

Gjyqtarë: K.Meta, E.Doda, A.Pregja (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Dragusha, Mancaku, Ragipoviç, Çimili, Çarls, Leci, Semir Haxhibuliç, Meto, Vrapi, Kelmendi

 

“Radiografia”

13′- Dhëmbi jep shkëndijën e parë, por gjuajtja përfundon jashtë.

18′- Xhafaj merr një asist ideal nga Mancaku, por nuk përfiton dot, del portieri Haxho.

21′- Sead Haxhibuliç provon nga distanca, por gabon shënjestrën.

25′- Leci gjuan në hyrje të hyrje të zonës, topi prek një mbrojtës dhe devijohet në goditje këndi.

28′- Provon edhe Dhëmbi, por përsëri gjuan keq.

30′- Xhafaj godet nga distanca mjaft keq.

45′- Aksion model i miqve, ku Brkiç godet në hyrje të zonës, por topi prek Fagun dhe devijohet në këndore.

55′- Shehi zhytet përpara këmbëve të Brkiçit, duke evituar një rast të rrezikshëm.

56′- Eshtë kapiteni Haxhibuliç që lëshon një “predhë” të vërtetë dhe vetëm një mjeshtër si Shehi arrin të grushtojë, topi kthehet në lojë.

75′- Leci me kokë brenda zonës, por topi nuk shkon drejt portës, sepse një mbrojtës devijon në goditje këndi.

77′- Vrapi prirtazi me portën gjuan, por largon me kokë Shoshi.

79′- Cikalleshi jep një asist ideal nga rreth 30 metra për Lecin, që i vetëm brenda zonës ngatërrohet dhe largojnë mbrojtësit.

82′- Sead Haxhibuliç përsëri godet fort, topi devijohet nga një mbrojtës, por edhe Shehi ndodhet në vend.

88′- Kaçi, i futur në fund, ka rastin ideal, kur i vetëm përballë Shehit godet fort, por portieri pret, duke treguar se mbetet numri një i superligës në portë.

 

Komenti

Interesimin e madh që kjo sfidë kishte ngjallur te të dy tifozëritë, ky 90-minutësh e justifikoi më së miri. Rëndësinë e kësaj sfide e tregonte edhe pjesëmarrja e mjaft figurave të sportit të pranishëm në tribunën VIP, por edhe e gazetarëve të shumtë, ndoshta kjo e ndikuar edhe pse ishte ndeshja e vetme që zhvillohej dje. Nëse gjykohet nga numri tejet i madh i kartonëve të verdhë, plot 10 të tillë, shihet ndoshta si takim i ashpër. Në të vërtetë, ka qenë një lojë e fortë dhe burrërore brenda normave të “fair‑play”.

Duke u kthyer tek ajo çfarë prodhoi loja, duhet thënë se pjesa e parë në përgjithësi i takoi Besës, e cila krijoi më shumë volum loje dhe sidomos mbrojtja kreu në mënyrën më të mirë detyrën, duke lënë pa asnjë goditje drejt portës së Shehit dy sulmuesit e rrezikshëm serbë të Apolonisë.

Ndërsa sulmi verdhezi luajti pa ide të qarta dhe përpjekjet e Mancakut ishin shumë pak për të vënë në rrezik portën mike. Sulmuesi Daniel Xhafaj u pa shpesh të kthehej deri në mesfushë për të marrë topat dhe kjo ia hoqi befasinë disi sulmit verdhezi. Ndërsa miqtë nga Fieri në 45-minutëshin e parë u kujdesën të mos pësonin gol, por edhe të kundërsulmonin. Duket se mungesa e një lojtari tip trekuartisti, ai që jep pasin e fundit, mungonte tek Apolonia dhe për rrjedhojë dalja në kundërsulm e saj nuk paraqiti asnjë rrezik.

Me fillimin e pjesës së dytë, Besa fut në lojë talentin e saj, Sokol Cikalleshin, dhe duket se sulmi merr më shumë frymëmarrje. Janë pasimet e tij të arta dhe driblimet jashtë e brenda zonës që në tri momente i krijojnë Besës raste për të rrezikuar, si ato të Lecit, apo dy goditjet e lira në hyrje të zonës. Madje në atë të fundit ndoshta Cikalleshi, nëse do të tregohej më i fortë në dyluftim, edhe mund të rrëmbente ndonjë 11-metërsh.

Ndërsa Besa kërkonte golin, edhe miqtë pas minutës së 80-të luajtën gjithçka për gjithçka, kur patën dy raste shënimi e në të dyja rastet pritjet e Shehit ishin vendimtare, veçmas në atë të shkodranit Kaçi. Kështu u mbyll kjo sfidë, pa fitues, por që i kënaqi mjaft të pranishmit në stadium. Si rrallë këtë sezon, ishin prezentë mbi 5 mijë shikues e keqardhja e vetme mbeti mosfitorja e Besës. Një grup tifozësh miq nga Fieri inkurajuan jo pak idhujt e tyre gjatë gjithë këtij 90-minutëshi. Nga mënyra se si u zhvillua kjo sfidë, rezultati i barabartë ishte më reali, pavarësisht se nuk kënaqi asnjë nga palët, por dha verdiktin real të asaj çfarë ata dhanë në fushën e blertë.

 

Për Besën ky ishte një hap fals, po të kemi parasysh objektivat e saj dhe faktin se luante në shtëpi. Ndikim jo të paktë psikologjik te verdhezinjtë pati edhe fakti i të luajturit të hënën, kur Dinamo kishte barazuar e kjo ego solli jo pak gabime në fushën e blertë. Pavarësisht këtij hapi fals, duhet pranuar se përballë Besa kishte ekipin më të fortë me të cilin është ndeshur deri tani, Apoloninë, që me meritë mban vendin e tretë. Ndërsa miqtë nga Fieri, ndryshe nga të gjithë ekipet që kanë ardhur në Kavajë, nuk u mbrojtën me forca të shumta, por zhvilluan një lojë të hapur dhe luftë për topin e parë në çdo sektor të fushës.

Defekti i vetëm ishte mungesa e finalizimit, që vinte për pasojë e mungesës së njeriut që jep pasin e fundit. Në sfidën mes sulmit më të fortë dhe mbrojtjes më të fortë, triumfuan mbrojtësit verdhezinj, që nuk lejuan në asnjë rast që sulmuesit fierakë të hynin në zonën e tyre. Mbyllet një sfidë pa fitues, por që mbi të gjitha mendojmë se fitoi futbolli. Fundja, tifozëritë e të dy ekipeve u kënaqën me atë futboll burrëror e të bukur. I vetmi merak mbeti goli.

Deklarojnë…

Shpëtim Duro, trajner i Besës: “Zhvilluam një lojë mjaft të mirë, por nëse mbrojtja i kreu më së miri detyrat, sulmi nuk ishte aq efikas sa duhej. Duhet të kishim treguar më tepër luftë e grintë. Pavarësisht kësaj, nuk është çudi ky barazim. Ashtu siç gaboi Dinamo, gabuam edhe ne.”

Esad Karishik, trajner i Apolonisë: “Së pari, uroj presidentin Bizhdili për ditëlindjen dhe kushtet ideale në të cilat zhvilluam takimin. Erdhëm të luanim te një ekip mik dhe jam i kënaqur nga loja e futbollistëve të mi. Besa në pjesën e dytë na bëri disa faulla, por kjo nuk i heq takimit vlerësimin si takim korrekt. Një pikë s’na kënaq, as ne, as Besën, por ky ishte verdikti më real dhe i drejtë për atë çfarë dhamë në fushën e lojës. Më kënaq fakti se Apolonia luan futboll të hapur dhe vetëm finalizimi na mungoi sot.”

 

Të veçanta

‑ Para takimit, kryetari i shoqatës së tifozëve verdhezinj, Agron Shtini, i dhuroi presidentit Bizhdili një këpucë me një top si shenjë urimi për 46-vjetorin e tij.

‑ Mjaft presidentë klubesh të superligës, duke filluar me Bizhdilin e Pukën, Presidentin e Nderit të Apolonisë, Koço Kokëdhimën, atë të Tiranës, Refik Halili, Ismaili i Shkumbinit deri te Naim Qarri i Kamzës, ndoqën këtë sfidë interesante.

‑ Mbi 200 tifozë fierakë ndoqën ekipin e tyre të zemrës në stadiumin “Besa”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Tetor 2009
H M M E P S D
« Gus    
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: