KF APOLONIA

Karishik: Apolonia, si në 3 ndeshjet e fundit

Posted on: Tetor 17, 2009

Trajneri Esak Karishik kërkon vazhdimësinë, aq më tepër që me Gramozin luhet në Fier

“Nuk do t’i duhet asgjë më tepër Apolonisë në këtë ndeshje, veçse të përsëritë atë që ka bërë në tri ndeshjet që ka zhvilluar në fushën e saj gjatë këtij kampionati dhe atë që e konfirmoi edhe në Korçë. Nuk do të ishte stërmundim për fierakët që të fitonin ndaj Gramozit, por një kërkesë më se normale e një ekipi që po ecën në “binarët” e duhur dhe një dëshirë e ligjshme e tifozërisë ndaj skuadrës.

Futbollistët tanë e dinë që nuk kanë në dispozicion asnjë rezultat tjetër, përveç fitores dhe është një sfida që ata e presin me kënaqësi për ta përballuar. Eshtë një takim që pritet me padurim dhe interes të veçantë nga të gjithë futbollistët e Apolonisë, ku të gjitha repartet janë të plota për të dhënë më të mirën. Eshtë një ndeshje që na vlen për të dëshmuar vazhdimësinë, ndaj na duhet vetëm fitorja,” ‑ është shprehur trajneri Karishik, ndërsa i gjithë grupi i lojtarëve është në unanimitet me kryetrajnerin e tyre.

Kështu, mbrojtësi Elton Grami, i cili ka spikatur veç të tjerash në javët e para edhe për kartonët e verdhë që ka marrë, thekson se ndaj Gramozit duhet të jetë një Apoloni e pandalshme dhe një skuadër në superformë, për t’u treguar të tjerëve se nuk vlerësojnë vetëm skuadrat që në pamje të parë duken të vështira. “Gramozi është një skuadër që merr pjesë në superligë dhe nuk ka nevojë për të bërë shtesa apo pakësime të tjera në vlerësimet tona, ‑ thotë mbrojtësi i Apolonisë.

‑ Do të ishte e gabuar dhe fare e pavend që të dukeshim egoistë dhe të deklaroheshim të shfrenuar ndaj tyre. Si ekipi ynë, ashtu dhe kolonjarët, kanë krijuar një portret të vetin në këtë kampionat dhe jam i bindur që të dyja skuadrat në këtë ndeshje do të përpiqen për ta përmirësuar më tej imazhin e tyre futbollistik. Neve na intereson që të kemi në fushë një Gramoz të fortë dhe kërkues, pasi kështu ndeshja do të jetë më e ndezur, më luftarake dhe më sportive. Kur një skuadër kundërshtare paraqitet në nivele të mira loje, fitorja merr më shumë vlera.

Nuk e dyshoj se Gramozi do të zhvillojë një ndeshje të mirë dhe do të ketë synimet e veta në këtë takim, megjithatë ne nuk jemi vetëm favoritët e paratakimit me kolonjarët, por do të jemi edhe fituesit e padiskutueshëm të këtij 90-minutëshi,” – pohon Grami, i cili është shprehur se fitorja që kanë marrë në javën e gjashtë në ndeshjen kundër Skënderbeut në Korçë, u ka mësuar fierakëve edhe disa “sekrete” në lidhje me vazhdimësinë e kampionatit.

Apolonia ka kaluar në qytetin juglindor të Shqipërisë provën e “frikës” së transfertave dhe kjo do t’u shërbejë në ndeshjet e tjera pasardhëse. “Do të kemi kohë për ta vërtetuar edhe forcën që na dha fitorja në Korçë, por kjo do të vlejë më shumë në ndeshjen pasardhëse dhe jo në takimin kundër Gramozit, pasi në shtëpinë tonë ne jemi “ustallarë” të fitores.

Deri në ndeshjen me Besën do të kemi kohë në dispozicion dhe do të doja të mendonim vetëm për Gramozin. Do t’u bëja apel shokëve të skuadrës që të luajnë me gjithë shpirt në fushë, pasi Apolonia nuk duhet të bjerë më nga niveli i lojërave të saj. Le të japim të gjithë më të mirën, jo vetëm në këtë ndeshje dhe fitorja do të jetë gjithmonë me ne,” – përfundon mbrojtësi Elton Grami.

Grami: Gjyqtarët më kanë ndëshkuar shumë

Mbrojtësi i majtë i skuadrës fierake, Elton Grami, nuk ka ngurruar që të ndalet edhe në çështjen e ndëshkimit thuajse në çdo ndeshje të tij me kartonët e verdhë, ku në pesë takime të luajtura, në katër prej tyre është ndëshkuar. “Nuk di se ç’kanë që e kanë zënë me mua gjyqtarët. Unë e kam pjesë të karakterit tim lojën e shpejtë, me ritëm gjatë gjithë ndeshjes, duke qenë gjithmonë në lëvizje dhe në vrapim.

Apolonia është pak më “e butë” si skuadër dhe ndoshta loja ime bie në njëfarë mënyre në sy, duke krijuar përshtypjen e një loje të ashpër. Më duhet të them se nuk jam “Krishti” i futbollit, por nuk jam as ai futbollist ndaj të cilit gjyqtarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të gatshëm për t’i rënë bilbilit në çdo moment dhe për ta ndëshkuar për ndërhyrjet e tij. Unë parapëlqej lojën e ndershme, korrekte dhe me shumë nerv, por asnjëherë nuk abuzoj me këtë, prandaj do të kërkoja nga gjyqtarët që të jenë më racionalë në këndvështrimin dhe vlerësimin e tyre,” – thotë Grami.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Tetor 2009
H M M E P S D
« Gus    
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: