KF APOLONIA

Apolonia shfaq ambicien që në premierë

Posted on: Gusht 24, 2009

Fierakët kanë thyer Teutën, duke e nisur mbarë sezonin e ri, ku pretendimet janë ndryshe

Apolonia – Teuta 2-0

Komenti

Skuadra fierake i ka bërë nisjen më të mirë të mundshme sezonit të ri futbollistik, duke fituar me meritë me një skuadër potenciale të superligës, siç është Teuta. Ka qenë një ndeshje që është ndjekur nga vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka bërë edhe përshëndetjen e çeljes së kampionatit të 71-të. Në këtë takim, të besuarit e trajnerit Karishik kanë bërë që premiera e trajnerit Mirel Josa në pankinën durrsake të mos shkojë dot më tej se një humbje. Nuk mund të ndodhte ndryshe me atë që të dy ekipet dhanë në fushën e lojës. Një Apoloni që gjatë gjithë kohës është përkujdesur së tepërmi të ruajë epërsinë në kahun e vet, edhe pse miqtë nga Durrësi kanë qenë rebelë dhe herë pas here kanë tentuar që të tregojnë se nuk impresionohen se luajnë në transfertë. Detyra parësore e formacionit fierak ka qenë mbulimi i rreptë i dy sulmuesve kryesorë të Teutës, Miles dhe Hysës, si dhe lufta për topin e parë në mesfushë. Nga ana tjetër, ofensiva e Apolonisë është përpjekur për të dhënë më të mirën dhe për të mbajtur në panik mbrojtjen kundërshtare. Brkiç, Sead Haxhibuliç dhe Dhrami, të ndihmuar fuqishëm nga veprimet e shpejta të mesfushës së tyre, kanë pasur jo pak raste shënimi, të mbetura të pakonkretizuara sa për nxitim të sulmuesve të Apolonisë, aq dhe për meritë të mbrojtjes durrsake dhe portierit Vashaku. Sinjali i një fitoreje të pritshme është dhënë qysh në sekondat e para të takimit, ku shtylla e portierit mik është tronditur pas një aksioni të bukur të kapitenit Haxhibuliç dhe vetëm pas një minute do të ishte Haxhibuliçi tjetër ai që do të provokonte edhe një herë Vashakun. Teuta është paralajmëruar se Apolonia e ka vlerësuar seriozisht këtë ndeshje. Për minuta të tëra të dy ekipet kanë qenë tepër të kujdesshme dhe kanë survejuar njëra tjetrën, në pritje të ndonjë gabimi të mundshëm për të lëshuar goditjen fatale. Apolonia ka luajtur vazhdimisht e ndodhur nën presionin e shënimit të golit, pasi ka dashur që të rrisë adrenalinën e sportdashësve të vet, të shumtë në numër në shkallët e stadiumit Loni Papuçiu. Në epilog të pjesës së parë ka ardhur dhe moment i shumëpritur për skuadrën e trajnerit Karishik. Semir Haxhibuliç ka harkuar bukur në zonë dhe Hoti vetëm sa i ka dhënë drejtimin e duhur topit me një devijim të lehtë me kokë. Fierakët shkojnë të qetë në pushim të ndeshjes, duke pasur epërsinë e një goli të shënuar, por edhe epërsi numerike, pasi Dushku është ndëshkuar me karton të kuq për protesta të panevojshme pas shënimit të golit nga fierakët.
Pjesa e dytë do të jetë më e qetë. Apolonia mendon më tepër për të ruajtur avantazhin dhe të shfrytëzojë ndonjë gabim tjetër të mbrojtjes mike. Do të duhej të vinte minuta e 80-të, kur mesfushori shkodran Hoti, një nga më punëtorët në fushë në këtë ndeshje, të bënte atë që rrallëherë e ka bërë në karrierën e tij. Ai ka shënuar golin e dytë, duke krijuar qetësinë e nevojshme te skuadra e tij dhe duke i dhënë tri pikë mjaft të vlefshme në këtë ndeshje të parë të sezonit të ri. Kështu, Apolonia ka startuar me hap kryesuesi këtë sezon, duke shijuar tripikëshin e parë dhe duke paralajmëruar një kampionat që do të vijë i mbarë. Trajneri Karishik dhe futbollistët e Apolonisë kanë kohë për t’iu gëzuar fitores, përpara se skuadra të fillojë të mendojë për transfertën e parë të këtij sezoni, njëherësh një nga më të vështirat, atë me nënkampionët e Vllaznisë. Ankorimi i parë u krye me sukses, por fierakët duhet të kërkojnë një tjetër liman në javën e dytë.

Deklarojnë…

Esad Karishik, trajner i Apolonisë: Këtë vit kemi bërë një plan të mirë dhe kemi bërë përgatitje të kujdesshme fizike. Kemi pasur dhe disa probleme, pasi disa futbollistë nuk kanë qenë në fazën përgatitore. U munduam të zhvillonim një lojë të mirë, sidomos ndaj një kundërshtari të fortë, i cili në Kupën Majaci fitoi lehtësisht me Dinamon dhe barazoi me Tiranën. Dua ta përgëzoj skuadrën time për lojën që zhvilloi. E kisha thënë edhe përpara ndeshjes që përballë do të kishim një nga ekipet më të mira të kampionatit shqiptar dhe Teuta nuk zhgënjeu në këtë drejtim. Unë nuk jam nga ata që premtoj lehtë, por them që ekipi ynë do të flasë përmes fushës, duke pretenduar një nga vendet e para.
Mirel Josa, trajner i Teutës: Më vjen keq, por për mënyrën se si u zhvillua ndeshja, them se u humb për shkak të moszotërimit të mesfushës. Me kalimin e kohës patëm një përmirësim dhe dëshirë për t u rifutur në lojë, por duhet thënë se ekipi mendoj më shumë për lojën mbrojtëse. Nuk po diskutoj çështjen e prishjes së ekuilibrave për shkak të kartonit të kuq, por edhe më vonë nuk mundëm të balancoheshim dot. Urime Apolonisë për fitoren.


Të veçanta

– Përpara fillimit të ndeshjes, ka qenë një atmosferë festive dhe është organizuar një koncert festiv me këngë e valle popullore.
– Në tribunën VIP kanë qenë të pranishëm presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i nderit i Apolonisë, Koço Kokëdhima, presidenti Endri Puka, kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu etj.
– Topin e parë nga qendra e ka shkelmuar futbollisti i mirënjohur i Apolonisë, Pandeli Tole.
– Përpara fillimit të ndeshjes, presidenti Puka i ka dorëzuar fanellën me numër 11 Albion Majacit, birit të legjendës së futbollit fierak.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Gusht 2009
H M M E P S D
« Kor   Tet »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: