KF APOLONIA

Karishik: Sulmi, identiteti i ri i Apolonisë

Posted on: Gusht 19, 2009

Trajneri i fierakëve, Esad Karishik, analizon përgatitjen e bërë, por shpalos edhe synimet për sezonin e ri

“Apolonia do të jetë një nga skuadrat, për të mos thënë skuadra me përgatitjen më të mirë fizike,” ‑ është deklarata më e guximshme që vjen nga goja e trajnerit të Apolonisë, Esad Karishik. I gjithë ky besim i kryepankinës fierake vjen nga faza përgatitore që Apolonia ka zhvilluar në Peshter të Serbisë, për të cilën vetë Karishik shprehet me tone tepër pozitive për sa i përket eficensës dhe produktivitetit që solli te grupi i lojtarëve. “Gjej rastin të falënderoj mënyrën se si na kanë pritur organizatorët, ku ne jemi akomoduar, kushtet e shkëlqyera, të cilat na krijuan, duke na e bërë komode çdo gjë, ‑ thotë trajneri Karishik. ‑ Jemi sistemuar në një mjedis rreth 1000 metra mbi nivelin e detit, rreth 3 kilometra larg qendrës dhe kjo për të pasur më tepër qetësi për futbollistët. Kemi përzgjedhur një vend, ku nuk ka pasur skuadra të tjera shqiptare, le të themi për të qenë një skuadër paksa më “sekrete”.

Dua të përmend edhe mënyrën se si na kanë pritur gjatë ndeshjes me Sjenicën apo dhe me Jagodinën, a thua se kishte zbritur për të luajtur një skuadër angleze. Për sa u përket përgatitjeve tona, duhet thënë se na kanë ndihmuar shumë ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar, me një kalendar të ngjeshur, një ndeshje në dy‑tri ditë. Më duhet të pranoj se jam i kënaqur dhe për mënyrën e lojës dhe për rezultatet që kemi marrë, pavarësisht një humbjeje me FK Javorin, që është një skuadër e ligës së parë serbe. Kemi luajtur me një ekip të superligës së Malit të Zi, dy ekipe të ligës së parë serbe dhe dy të tjera serbe në nivele më inferiore, por që kanë nivel të zhvilluar të futbollit.”

Për kryetrajnerin e Apolonisë, skuadra fierake i ka treguar gjatë fazës përgatitore në Serbi se do të jetë një ekip i aftë për të ecur në të tjera “kanalizime” këtë sezon dhe vetë Karishik, pavarësisht se tregohet i kujdesshëm, nuk e fsheh diçka të tillë. “Është më mirë të flasim pasi kampionati të ketë filluar, por sigurisht që për një gjë jemi të sigurt, ‑ ka vijuar trajneri i Apolonisë, – se nuk do të jetë më një skuadër që do të jetë e destinuar për të luftuar për mbijetesë, por ajo do të luftojë për katet e sipërme të renditjes.

Është një skuadër që këtë vit ka më shumë alternativa, ka më shumë futbollistë në dispozicion dhe gati çdo rol e kemi të dubluar. Kjo do të rrisë konkurrencën dhe nivelin e ekipit, sepse futbollistët do të jenë më të motivuar. Ju thoni se sulmi rezulton reparti më i kompletuar dhe kjo është e vërtetë. Është komoditet të kesh në skuadër katër sulmues të mirëfilltë dhe, për më tepër shënues të mirë, siç janë Brkiç, Dhrami, Sead Haxhibuliç dhe Iliç. Çdo ekip tjetër do ta dëshironte një luks të tillë, ndërsa ne e kemi konkretisht. Nuk do të përbëjë problem fakti se si do të luajnë dhe kush do të luajë, pasi secili ka vendin e tij dhe skuadra ka nevojë për kontributin e gjithkujt. Pastaj, ne duam ta implementojmë edhe më fort lojën sulmuese, një karakteristikë me të cilën Apolonia do të identifikohet gjithnjë e më tepër.”

Më tej, Karishik është ndalur edhe në vlerësimin e trofeut “Majaci”, që do të zhvillohet në “Loni Papuçiu”, duke shprehur dhe ambiciet e skuadrës së tij. “Do të doja ta nisja me një vlerësim për figurën e të ndjerit Kujtim Majaci, të cilin kam pasur fatin ta njoh personalisht. Nuk ka pikë dyshim se Ai ka qenë një nga ikonat jo vetëm të futbollit fierak, por edhe atij shqiptar. Jam bindur më së shumti, kur kam parë dhe njerëz aq të shumtë në ceremoninë e përcjelljes së Tij. Për sa i përket turneut, është një fat i mirë që do të marrin pjesë skuadra nga më të mirat e superligës dhe unë besoj se kështu do të ndodhë për çdo vit. Apolonia do të futet për të fituar dhe i ka të gjitha mundësitë për ta bërë një gjë të tillë. Ndeshjet e së dielës, si dhe dy ndeshje miqësore që kemi planifikuar për javën tjetër, do t’i japin skuadrës më tepër formë dhe ajo do të jetë më e gatshme se kurrë për të filluar kampionatin,” ‑ ka thënë mes të tjerash trajneri i Apolonisë, Esad Karishik.

Sot starton Kupa “Kujtim Majaci”

Të dielën, në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit do të zhvillohet turneu “Majaci”, në nderim të figurës së shquar të futbollit fierak dhe atij shqiptar të viteve ‘80‑’90, Kujtim Majaci. Në këtë turne do të marrin pjesë katër ekipe: Tirana, Dinamo, Teuta dhe Apolonia vendëse. Do të jetë një aktivitet që ka zanafillën këtë vit dhe do të vazhdojë për çdo vit në muajin gusht. Ndeshjet do të zhvillohen me nga 45 minuta secila dhe shorti do të hidhet përpara ndeshjes së parë. Dy skuadrat fituese të çifteve përkatëse do të luajnë finalen e turneut përballë njëra‑tjetrës. Të ardhurat nga biletat, por edhe trofeu që do të meritojë skuadra fituese, do të shkojnë në adresë të familjes së të paharruarit të futbollit tonë, Majaci.

Gjithashtu, ditën e zhvillimit të këtij aktiviteti është menduar që pjesëtarëve të familjes t’u dorëzohet edhe titulli “Qytetar Nderi i Qytetit të Fierit”, që këshilli i bashkisë së këtij qyteti i ka akorduar Kujtim Majacit. Në këtë turne pritet të ketë një interesim të veçantë nga drejtues të lartë të sportit në Shqipëri, përfaqësues të FSHF‑së, trajneri i kombëtares sonë, Kuzhe, deputetë dhe përfaqësues të tjerë të politikës.

Tifozët, të etur të shohin Apoloninë

Një interesim të veçantë në këtë turne do të sjellë edhe prezantimi i parë i Apolonisë për këtë sezon përpara tifozërisë fierake, e cila është e etur në pritje të përkrahjes së skuadrës. Një arsye më shumë është edhe motivi për të cilin Apolonia do të luajë nesër, pikërisht për emrin e madh, Kujtim Majaci. Duke falënderuar organizatorët e këtij turneu, tifozët fierakë shprehen se Kujtim Majaci do të mbetet gjithmonë një pikë referimi për të gjitha kohërat dhe emri i Apolonisë do të jetë një simbiozë e paqtë dhe e përjetshme me emrin e Majacit. “Është një nga arsyet që ne do ta përkrahim edhe më fort Apoloninë këtë sezon, pikërisht që skuadra jonë të mundë të rikthejë realisht kohët e arta të të paharruarit Majaci,” ‑ janë shprehur tifozët e Apolonisë, nga grupimet më simpatike të sportdashësve në të gjithë Shqipërinë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Gusht 2009
H M M E P S D
« Kor   Tet »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: