KF APOLONIA

Meto: Do të shihni një Apoloni bindëse

Posted on: Gusht 6, 2009

Mesfushori Agim Meto shpreh besnikëri dhe besim për një ekip të konsoliduar

Futbollistët e Apolonisë kanë pasur një ditë pushimi, pas kthimit nga Serbia, për të rifilluar sërish përgatitjet e tyre në Fier, ditën e enjte. Do të jetë faza definitive dhe për përgatitjen e skuadrës për startin e kampionatit të ri. Pasi kanë përballuar ngarkesën e lartë të programit stërvitor në Serbi, tashmë ekipit i duhet e ashtuquajtura “dora e fundit” për ta nisur mbarë sezonin e ri.

Dhe opinioni për një skuadër shpërthyese këtë sezon, është një bindje panfierake, që vjen nga serioziteti me të cilin po punohet në këtë klub, duke u ingranuar të gjitha strukturat e duhura. Një bindje të tillë e shpreh edhe mesfushori Agim Meto, një futbollist që këtë sezon ka rinovuar kontratën e tij me skuadrën fierake. Në lidhje me këtë fakt, vetë Meto shprehet: “Nuk kish se si të ndodhte ndryshe.

Të paktën deri në këto momente, nuk e kam shkuar ndonjëherë nëpër mend largimin tim nga Apolonia, për çfarëdolloj oferte apo skuadre qoftë. Kjo për shkakun se është pikërisht Apolonia “pasaporta” ime dhe do të doja që gjithë kontributin tim të mundshëm ta jepja për këtë skuadër”. Më tej, futbollisti 23‑vjeçar i fierakëve konsolidon edhe më tepër pretendimet dhe optimizmin me të cilin pritet fillimi i sezonit të ri dhe portreti që Apolonia kërkon të “blatojë” në të. “Nuk ka asgjë për të fshehur, madje nuk ka as doza hiperbolizimi nëse ne pretendojmë të jemi ndër skuadrat pretendente këtë kampionat, ‑ vijon Meto.

‑ Është e qartë që nuk do të jetë e lehtë një gjë e tillë, pasi kampionati superior nuk ka skuadra të lehta dhe të gjitha ekipet vijnë mjaft të përforcuara, duke kërkuar secila rezultate dhe objektiva sa më të larta. Ne kemi një bindje se Apolonia do të jetë e suksesshme në këtë drejtim, pasi është një skuadër që ka nxjerrë mësimet e duhura nga sezoni i kaluar. Mund të them se ka qenë një “shkollë” e madhe për ne ai kampionat i gjatë dhe me luftë të hapur deri në javën e fundit. Kemi një grup të mirë lojtarësh, që pa dyshim do të përforcohet edhe më tepër.

Apolonia është një skuadër që dallohet për shpirtin dhe lojën kolektive, si dhe për garën e ndershme dhe të pakompromis. Pasi kemi përfunduar fazën përgatitore në Serbi, ndihemi edhe më të freskët dhe më të gatshëm për të bërë atë që duhet qysh në javën e parë të kampionatit të ri. Këtë sezon, besojmë se publiku ynë do të ketë mundësinë për të shijuar një Apoloni bindëse në lojën dhe rezultatet e veta.”


Shorti pritet mirë nga fierakët

Shorti i Kampionatit të 71‑të ka vënë në javën e parë përballë fierakëve “djemtë e detit”, të drejtuar këtë sezon nga Mirel Josa. Në kampin fierak janë optimistë në lidhje me këtë përplasje qysh në javën e parë, duke qenë të bindur se do të jenë bardhejeshilët fitues. “Është një mundësi e mirë për ta nisur me “këmbën e mbarë”, ‑ shprehet zëvendëstrajneri Dhimitër Papuçiu. ‑ Një faktor tjetër pozitiv është edhe fakti që do të luajmë përballë publikut tonë dhe do të na duhet t’i japim provën e parë bindëse të forcës së Apolonisë.

Skuadra durrsake përbën një nga ekipet që janë gjithmonë të vështira për t’u mundur, por ne nuk zbrapsemi nga objektivi ynë. Është java e parë dhe, me cilindo ekip që të kishim luajtur, do të kishim pretenduar të njëjtën gjë. Është “guri i themelit” për kampionatin e ri”, ‑ është shprehur zëvendëstrajneri Dhimitër Papuçiu menjëherë pas njohjes së shortit të Kampionatit të 71‑të. Sa për statistikë, kujtojmë se në të dyja ndeshjet e luajtura sezonin e kaluar në Fier mes Apolonisë dhe Teutës, fierakët kanë fituar me rezultatet 1‑0 dhe 2‑0, ndërsa ndeshjen e parë sezonin e kaluar e ka luajtur me Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta” dhe ka barazuar 0‑0.

Të dielën, turneu “Kujtim Majaci”

Të dielën, më 9 gusht, në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, do të organizohet turneu i futbollit “Kujtim Majaci”, i cili do të jetë i përvitshëm, po në të njëjtin muaj, me pjesëmarrjen e disa prej skuadrave më të mira të vendit. Ky aktivitet zhvillohet në nderim të figurës së shquar fierake dhe kombëtare të futbollit, Kujtim Majaci, i cili humbi jetën në muajin korrik të këtij viti. Në edicionin e këtij viti do të marrin pjesë Tirana, Dinamo dhe Teuta e Durrësit. Skuadra fierake pretendon për ta fituar këtë trofe, në shenjë homazhi edhe për të paharruarin Majaci.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Gusht 2009
H M M E P S D
« Kor   Tet »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: