KF APOLONIA

Humbja nuk e shqetëson trajnerin Karishik

Posted on: Gusht 6, 2009

Trajneri është i kënaqur me gjendjen e ekipit. I vetmi problem mbetet humbja e rasteve para portës

Nuk është se ka shkaktuar ndonjë problem humbja që fierakët kanë pësuar me skuadrën Javor të Ivanicës, por e rëndësishme është se drejtuesve të Apolonisë u ka shërbyer kjo ndeshje për të parë më në thellësi në atë që nuk shkoi te skuadra e tyre. Është një humbje që shërben për të nxjerrë mësimet e duhura dhe për të marrë masat që evitojnë gabimet. Trajneri Karishik ka aktivizuar në këtë ndeshje pjesën më të madhe të grupit që ka pasur në dispozicion, duke bërë në fraksionin e dytë dhe disa impostime, si dhe duke aplikuar module të ndryshme loje. Humbja ka bërë që futbollistët të bëhen më realistë dhe të jenë më kërkues nga vetja. “Në ndeshje miqësore nuk është qëllim rezultati, edhe pse ai shërben për të motivuar skuadrën, – shprehet kryepankina fierake.

– Për ne ka qenë në qendër të vëmendjes gjithmonë paraqitja që bëjnë në fushë futbollistët tanë dhe mënyra se si ata aplikojnë skemat taktike. Ekipi ka një tregues pozitiv, pasi është e mbështetur në lojën kolektive dhe kjo është karakteristikë për Apoloninë. Është ndeshja e parë që nuk shënojmë nga katër të zhvilluara dhe do të analizojmë me kujdes se çfarë nuk funksionoi. Përmbledhtas, më duhet të them se faza përgatitore që kemi zhvilluar këtu ka qenë mjaft e vlefshme për skuadrën dhe na ka shërbyer në shumë drejtime për ekipin tonë.” Përpara se të kthehet në Shqipëri, Apolonia e Fierit do të ketë mundësinë për t’u sondazhuar në një tjetër ndeshje miqësore që do të zhvillohet ditën e hënë, duke plotësuar numrin pesë të ndeshjeve miqësore të zhvilluara në Serbi.

Sulmuesi i ri Arbër Dhrami mendon se tani ka ardhur koha për të qenë titullar i fierakëve

Dhrami, sulmuesi që nuk i trembet konkurrencës

Do të jetë sezoni i tretë që do të luajë tek Apolonia e Fierit dhe ai ka ditur ta skalitë profilin e vet në fushën e lojës. Sulmuesi Arbër Dhrami është vetëm 21 vjeç, por është shfaqur si një futbollist i pjekur dhe me dhuntitë e duhura të disiplinës sportive, pa llogaritur aftësitë golashënuese. Në një sezon e gjysmë që është aktivizuar tek Apolonia, sulmuesi vlonjat ka shënuar 18 gola në kampionat për fierakët dhe posedon ende “rezerva” të mjaftueshme për ta bërë diçka të tillë edhe në kampionatin e ri.

Dhe një sinjal të fuqishëm, Dhrami e ka dhënë në ndeshjet miqësore që Apolonia ka zhvilluar gjatë këtyre dy javëve të fazës përgatitore, duke shënuar dy gola për skuadrën, në dy ndeshje të ndryshme. Një futbollist i shpejtë dhe “i hidhur” për goditjet e tij drejt portës kundërshtare, të cilat janë shpesh fatale për portierët, Dhrami ndien një konkurrencë të madhe në repartin e sulmit, atje ku krahas Sead Haxhibuliçit dhe Brkiçit, këtë sezon është shtuar edhe një tjetër sulmues serb, edhe ky shënues “i regjur”, Iliç. Ashtu si dhe sezonin e kaluar, Dhrami nuk “alarmohet” nga situata me të cilën duhet të përballet, por shqyrton me qetësi çdo gjë, duke u shprehur me bindje se tek Apolonia secili ka vendin dhe kohën e vet.

“Nuk dua t’i shkoj më kësaj çështjeje, pasi konkurrenca është normale në një ekip që ka pretendime serioze. Sigurisht që askush nuk e pret që rrugën e formacionit bazë ta gjejë “të shtruar”, pasi kështu do të dukej ashiqare që kishte disnivele mes futbollistëve. Unë ndihem mirë që jam në një ekip të tillë dhe me partnerë të tillë në sulm dhe këtë e kam theksuar disa herë në deklaratat e mia. Ajo që na duhet më tepër, është një skuadër që do të konkurrojë fuqishëm në të dy kompeticionet e sezonit të ri, si në kampionat, ashtu dhe në kupë. Të gjithë presim të fillojmë sfidën e re, në të cilën do të futemi bindshëm për më të mirën e objektivave tona,” – ka thënë sulmuesi i Apolonisë, Arbër Dhrami.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Gusht 2009
H M M E P S D
« Kor   Tet »
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: