KF APOLONIA

Esat Karishik, i vetmi që mbijetoi nga trajnerët e huaj

Posted on: Qershor 17, 2009

Ai ka përfunduar sezonin e parë në drejtimin e Apolonisë së Fierit dhe tashmë ka hedhur “piketat” serioze të ekipit që do të drejtojë këtë sezon. Sigurisht, hedhja e firmës në kontratën e re nuk e pengon trajnerin Karishik ta quajë veten sërish bardhejeshil. Ai e pranon ftesën tonë për një intervistë dhe vjen së bashku me përkthyesin e tij karizmatik, Iljazin, të japë “rrëfimin” e tij për gazetën “Sporti shqiptar”:

– Përvoja e parë në kampionatin shqiptar si trajner i Apolonisë. Si do ta vlerësonit?

– Kalova një sezon, por jo të plotë, në kampionatin shqiptar, çka do të thotë vërtet një njohje e madhe. Përpara meje kanë qenë edhe disa trajnerë të huaj, kryesisht kroatë, si Slishkoviç, Daliç etj., për të cilët mund të them se kanë pasur edhe shanse më të mëdha, sepse kanë qenë trajnerë me ekipe të tilla, si Tirana dhe Dinamo, por fakti është që unë kam mbetur i vetmi trajner i huaj në Shqipëri. Këto të dhëna mendoj se kanë një domethënie, pasi është shumë e lehtë që të jesh trajner në ekipe si Tirana dhe Dinamo sesa tek ekipet që luftojnë për të siguruar një vend qëndrimi në kategori. Kështu, që jam përballur me një detyrë dhe përgjegjësi jo të vogël, nisur nga pozicioni i Apolonisë. Megjithatë, më vjen mirë tashmë, pasi rrallë ka ndodhur vitet e fundit që Apolonia të qëndrojë dy sezone radhazi në superligë.

– A e njihnit futbollin shqiptar përpara se të vinit tek Apolonia?

– Mund të them se e kam njohur jashtëzakonisht shumë pak. Kam zhvilluar krejt rastësisht një ndeshje me Apoloninë në Ulqin dhe vetëm kaq. Përshtypja ime pas kaq muajsh që jam në Shqipëri, mund të them se këtu zhvillohet një futboll me karakter të theksuar mbrojtës. Vërtet kam vrarë mendjen dhe nuk e di pse të ndodhë kjo thuajse në të gjitha ekipet shqiptare, ku vihet re një lojë me 7 apo 8 lojtarë mbrojtës, duke përjashtuar këtu skuadra, si Tirana, Dinamo dhe Vllaznia. Pra, pjesa dërrmuese e ekipeve që aplikojnë këtë lojë mbrojtëse, ruajnë momentin që të gabojë skuadra kundërshtare dhe të godasë. Unë, qysh në fillim kam qenë kundër kësaj loje dhe kam pasur mendim tjetër, sepse, nëse dhe unë do të vazhdoj si thuajse shumica e trajnerëve shqiptarë dhe të bëj një lojë mbrojtëse, atëherë do të thotë se unë nuk kam sjellë asgjë të re dhe më mirë të mos kisha ardhur. Nisur nga ky parim, unë guxova dhe kërkova ndryshimin. Këmbëngula në një vizion tjetër dhe në të tjera ide, të cilat synonin drejt një loje sulmuese, orientuar gjithmonë drejt gjysmëfushës së kundërshtarit. Dhe kjo më rezultoi e suksesshme. Për këtë unë jam i bindur sepse fitova besimin e drejtuesve dhe sportdashësve të Apolonisë. Dua të përmend edhe një fakt. Qysh në ndeshjen e dytë që kam drejtuar (Apolonia-Besa 3-1, java 11), u mbush stadiumi plot, duke qenë të pranishëm mbi 5000 spektatorë. Në 23 ndeshje që kam zhvilluar sa kam qenë në krye të Apolonisë, ka pasur dhe humbje dhe fitore. Pavarësisht se ka pasur momente që kemi marrë humbje radhazi, unë idenë time nuk e ndryshova në asnjë çast të vetëm. Dhe dua të theksoj se, edhe në ato çaste të vështira, stadiumi ka qenë plot, çka është tregues i besueshmërisë që tifozët kanë pasur tek unë. Madje, edhe specialistët dhe njohësit e futbollit më kanë përkrahur në këtë drejtim dhe më kanë dhënë të drejtë, duke më nxitur edhe më tepër kurajën për të vazhduar kështu. Falë të gjitha atyre që përmendëm më lart, ne arritëm të siguronim dhe një qëndrim të sigurt në superligë, pa ndeshje “play-out”-i, të cilin ju e patë që ishte shumë i rrezikshëm.

– Megjithatë, Apolonia e ka siguruar qëndrimin në superligë vetëm në javën e fundit?

– Eshtë e vërtetë që jemi ndodhur shpesh në situata të vështira dhe, në shumë raste kemi qenë edhe të pafat. Pothuajse gjatë gjithë sezonit kemi pasur probleme me portierët. Në të njëjtën kohë, unë kam ardhur në drejtim në ndeshjen e 11-të, pra ekipin e kam gjetur të ndërtuar dhe, ajo që mbetej në dispozicionin tim ishte vetëm merkatoja dimërore. Por mund të them se është shumë e vështirë gjatë kësaj periudhe, pasi pak lojtarë të lirë gjen, sepse ata janë të lidhur në kontrata me ekipet e tyre. Krahas këtyre, ka pasur dhe probleme të brendshme, me të cilat jemi marrë në vazhdimësi, deri në zbutjen e tyre. Për këtë gjë, dua të falënderoj sinqerisht drejtuesit më të lartë të klubit dhe disa njerëz të tjerë, të cilët, pavarësisht se nuk kanë qenë anëtarë të ekipit, kanë dhënë ndihmën e tyre, pa harruar edhe tifozët tanë, që kanë qenë nga kontribuesit kryesorë. Të gjithë këta faktorë mundësuan që “anijen” tonë ta ankoronim në “liman”. Pa diskutim që ka qenë edhe këmbëngulja dhe puna e palodhur e futbollistëve të Apolonisë, sepse nuk duhet harruar shprehja: Një ushtri e mirë e fiton patjetër betejën.

– Kohët e fundit jeni lakuar në qarqe të ndryshme sportive për trajner. Jeni i Apolonisë përfundimisht?

– Jemi në një pikë ku po shqyrtojmë kontratën, edhe pse nuk është nënshkruar. Ky problem besoj se mbyllet këto 2-3 ditë. Janë disa detaje për të cilat nuk dua të prononcohem më tepër. Unë kam dhënë disa mendime dhe drejtuesit më të lartë të skuadrës i kanë përkrahur. Të gjitha synojnë në atë që këtë sezon duhet të bëjmë një paraqitje krejt ndryshe nga kampionati që përfundoi dhe duhet të kemi edhe qëllime më të studiuara mirë. Nuk do të ishte mirë për sportdashësit dhe lexuesit që të flisnim përpara kohe për kupat e Europës, por nuk mund ta fshehim: ne i synojmë këto pozicione dhe do ta kemi objektiv zonën europiane. Sigurisht, kjo kërkon shumë ndryshime, kërkon futbollistë më cilësorë, kërkon më tepër buxhet, kërkon një organizim ndryshe. Në këtë drejtim, një rol të veçantë luan zoti Kokëdhima së bashku me kryetarin e bashkisë, apo dhe faktorë të tjerë.

– Në këtë periudhë të merkatos, Apolonia paraqitet si një skuadër pa zhvillime. Akoma në fazën e studimit të emrave?

– Kemi bërë shumë në këtë drejtim, por nuk dua të bëj deklarime konkrete, pasi nuk është bërë çdo gjë përfundimtare. Mund të shprehem optimist për ecurinë e bisedimeve me dy futbollistë dhe një portier, të tre ballkanas.

“Nuk ndryshohet formula në fund të sezonit”

“Nuk kam shumë që jam rikthyer në Shqipëri, por kam dëgjuar për një kampionat ndryshe. Unë e mendoj pak të vështirë, edhe pse nuk do të isha në kundërshtim për asnjë lloj opsioni. Megjithatë, nuk do të më dukej me vend për të dhënë opsione të reja, sepse nuk do të doja të krijoja kundërshtarë apo të prekja interesa të skuadrave të tjera duke folur. Mbetet për t’u respektuar versioni që do të japë FSHF-ja, por e di që probleme të tilla ekzistojnë edhe në vende të tjera të Europës. Unë do të thoja se është shumë e vështirë të ndryshosh diçka në përfundim të kampionatit. Del si domosdoshmëri që struktura të jetë e qartë qysh në fillim të kampionatit, pasi çdo ekip do të dijë ku t’i mbështetë objektivat e veta. Dhe praktika të tilla të mundshme, që mund apo janë përdorur në vende të ndryshme, nuk kanë dhënë ndonjë rezultat,” – ka pohuar Karishik për formulën e re t ë mundshme të sezonit të ri.

SKEDA:

EMRI: Esad

MBIEMRI: Karishik

DATELINDJA: 19 qershor 1960

VENDLINDJA: Novi Pazar

GJENDJA CIVILE: I martuar, babai i 3 vajzave

ARSIMIMI: Fakulteti i Inxhinierisë Prishtinë, dega hidroteknikë (1986)

KARRIERA SI FUTBOLLIST:

“Novi Pazar” (1977-1990)

1992-1995: Drejtor teknik te Novi Pazar

1996: Sekretar klubi te Novi Pazar (ekipi ngjitet në superligë)

2000-2008: Ka trajnuar në skuadra të ndryshme në kampionatin serb.

Nëntor 2008-sot trajner i Apolonisë

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Qershor 2009
H M M E P S D
« Maj   Kor »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: