KF APOLONIA

Çlirohet Apolonia

Posted on: Prill 27, 2009

Fierakët më në fund gjejnë fitoren, e cila u jep shumë shpresë për ndeshjet e mbetura

Apolonia – Elbasani 3-1
Shënues: Sead Haxhibuliç 28′, Semir Haxhibuliç 56′, Bërkiç 76′ / Xhafa 51′

Apolonia: Haxho, Elmazi, Ferizoviç, Shoshi, Sreçkoviç, Kelmendi, Hoti, Semir Haxhibuliç, Meto (Rroshi 55′), Bërkiç (Gega 81′), Sead Haxhibuliç (Çerçizi 87′). Trajner: E.Karishik.
Elbasani: Osmani, Beqiri, Karçev, Stojku, Vrapi, Hallaçi (Kuçi 64′), Gallo, Hyshmeri (Meglenski 81′), Ahmataj, Abazaj (Pema 60′), Xhafa. Trajner: R.Shehu.
Gjyqtarë: E.Hoxha, E.Pjetrushi, G.Koka (Lezhë).
Kartonë të verdhë: Sreçkoviç, Beqiri, Xhafa

“Radiografia”

12′- Një goditje dënimi për Apoloninë nga krahu i majtë i sulmit fierak. Kros në zonë, Sead Haxhibuliç dhuron spektakël, teksa ka gjuajtur me roveshatë dhe topi ka rrahur shtyllën e majtë pingule të portierit Osmani. Sfera kthehet te Bërkiç, i cili gjuan fort, topi preket me dorë nga një mbrojtës, por gjyqtari e konsideron të pavullnetshme.
14′- Kelmendi është zbuluar mirë nga krahu i djathtë dhe ka shërbyer në qendër te Bërkiç, por është treguar i vëmendshëm mbrojtësi Beqiri.
18′- Mbrojtja elbasanase e kujton në pozicion jashtë loje Sead Haxhibuliçin, i cili ka dalë i vetëm përballë portierit Osmani, por ka befasuar të gjithë stadiumin, duke e kaluar topin mbi shtyllën traversale.
28′- Mesfushori Kelmendi më tepër ka gjuajtur sesa ka krosuar në një pozicion të prirët me zonën. Topi ka shkuar te shtatlarti Sedad Haxhibuliç, i cili ka shënuar. 1-0 për Apoloninë.
45′- Eshtë një tjetër goditje dënimi për Apoloninë, topi shkon drejt zonës dhe mbrojtësi Karçev, i ndodhur nën trysninë e Ferizoviçit, për pak sa nuk ka shkaktuar autogol.
48′- Sead Haxhibuliç ka gjuajtur një top të lehtë në zonë. Ardit Beqiri ka humbur drejtpeshimin dhe ka përfituar kapiteni Meto, që gjuan dhe ka detyruar portierin Osmani të bëjë një grushtim të vështirë.
50′- Abazaj ka shmangur një mbrojtës të Apolonisë dhe gjuan fuqishëm, por ka qenë Haxho ai që ka larguar në korne.
51′- Goditje këndi për miqtë. Krosi shkon te Fjodor Xhafa dhe sulmuesi vlonjat i elbasanasve nuk fal, po godet saktësisht me kokë. Elbasani barazon në 1-1.
56′- Sreçkoviç hedh një top të gjatë në zonë, që largohet për një moment nga mbrojtja mike dhe përfundon në këmbët e Semir Haxhibuliçit, i cili ka lëshuar një gjuajtje tepër të fortë nga një distancë rreth 20 metra rrafsh me tokën dhe Osmani nuk ka asnjë mundësi të reagojë. 2-1 për Apoloninë.
64′- Provon Sead Haxhibuliç me një goditje të lirë nga distanca, por topi nuk ka përbërë problem për portën e Elbasanit.
76′- Sead Haxhibuliç ka nisur perfekt një top të gjatë për te Bërkiç, i cili ka mposhtur Osmanin. 3-1 për Apoloninë.

Komenti

Kronika e një fitoreje të paralajmëruar, është kjo fraza më e përshtatshme për ndeshjen Apolonia-Elbasani, të zhvilluar në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Pas plot 9 javë pritjeje, Apolonia ka shpërthyer në rezultatin më të pëlqyeshëm të saj, kur fiton 3-1, pikërisht ashtu sikurse kishte bërë dhe ndaj Besës e Partizanit. Ka qenë një interpretim i gjithi “alla-bardhejeshil”, si në fushën e lojës, ashtu dhe shkallët e stadiumit, atje ku flamujt-simbol të skuadrës fierake janë shpalosur gjatë gjithë kohës nga një publik i ekzaltuar dhe tepër korrekt brenda entuziazmit të vet. Paralajmërimi i parë do të vijë nga dyshja sulmuese Bërkiç-Sead Haxhibuliç qysh në minutën e 12-të, në një moment të dyshimtë edhe për një prekje me dorë të mbrojtjes mike në këtë aksion.

Apolonia ka marrë tërësisht frenat e lojës në dorë dhe është turrur gjithnjë e më shumë përpara, drejt portës së Elbasanit, i cili ka futbollistë të përvojës në repartin e prapavijës: Stojku, Karçev, Beqiri dhe Vrapi. Por askush nuk mund t’i vërë fre vërshimit të vrullshëm të Apolonisë, e cila është tepër aktive, si nga krahët, ashtu dhe në qendër, ku bie në sy dominimi i mesfushës, me një lojë aktive të Hotit, Metos dhe Sreçkoviçit, pa harruar të kudondodhurin Semir Haxhibuliç. Ka qenë minuta e 28-të e pjesës së parë momenti kulmor i këtij fraksioni, kur Sead Haxhibuliç ka ekzekuatuar mjeshtërisht me kokë një top të fortë të Kelmendit dhe e detyron Elbasanin t’i nënshtrohet disavantazhit.

Pjesa e dytë do të fillojë më e mirë për miqtë. Trajneri i emergjencës Ramadan Shehu i jep më tepër prioritet lojës sulmuese dhe kërkon nga skuadra e tij që të shtyhet më tepër përpara. Si rrjedhojë e kësaj këmbënguljeje, do të vinte dhe goli i barazimit provizor i shënuar nga Fjodor Xhafa. Por nuk ka zgjatur shumë gëzimi i miqve, pasi pas pesë minutash, Semir Haxhibuliç do të shënojë një gol të shkëlqyer, me një gjuajtje të fortë tokazi, që vetëm sa është shoqëruar nga vështrimi i portierit elbasanas Osmani.

Pas këtij goli, historia është e njëanshme, pasi loja flet tërësisht për skuadrën fierake, futbollistët e së cilës ndiejnë se kanë momentin e tyre. Gabimi fatal i “gardianit” elbasanas i ka dhënë mundësinë sulmuesit Bërkiç që të shënojë golin e tretë të takimit dhe të shtatin personal të tij në këtë kampionat. Kësisoj, me këtë fitore, Apolonia është ngjeshur me skuadrat e tjera sipër vetes në tabelë, Lushnjën dhe Elbasanin, duke i pritur javët pasardhëse me tjetër mendësi dhe me adrenalinë të shtuar. Tifozëve, futbollistëve dhe trajnerit Karishik u është kthyer buzëqeshja e munguar tash sa kohë. Dhe Apolonia vazhdon të shpresojë e besojë, madje edhe më fuqishëm.

Deklarojnë:

Esad Karishik, trajner i Apolonisë: “Kemi pasur disa rezultate të dobëta, por asnjëherë nuk kemi zhvilluar lojëra të këqija. Kjo ka qenë për t’u vlerësuar te skuadra. Kemi kthyer diçka në pozitivitet dhe e kemi merituar plotësisht fitoren, e cila mund të ishte dhe më e thellë. Pavarësisht se ishte një ndeshje për “jetë a vdekje”, Apolonia ka zhvilluar një takim korrekt dhe “fair-play” të vërtetë.

Shpresoj që të kemi rezultate të tjera të mira. Pjesa e dytë filloi më e mirë për Elbasanin, pasi e ndryshoi taktikën e lojës. Megjithatë, skuadra jonë reagoi mirë edhe pas barazimit dhe e ktheu çdo gjë në favorin e vet. I përgëzoj futbollistët. Normalisht na duhet të luftojmë për të synuar daljen edhe nga zona e “play- out”-it, edhe pse është e vështirë, por janë edhe katër javë për t’u luajtur, që mund konvertohen në 12 pikë.”
Ramadan Shehu, trajner i Elbasanit: Nuk u prononcua në konferencën për shtyp.

– Në tribunën “VIP” nuk kanë munguar drejtuesit më të lartë të Apolonisë, Kokëdhima e Puka, si dhe kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini.
– Midis parullave të shumta të tifozërisë fierake, binte në sy edhe një me mbishkrimin: “Shoshi, fitoni për ne!?”.
– Trajneri Karishik ka mbajtur gjatë gjithë kohës në qafë shallin me emblemën e Apolonisë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Prill 2009
H M M E P S D
« Mar   Maj »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: