KF APOLONIA

Apolonia “ngre flamurin” në Vlorë, Flamurtari “KO”

Posted on: Shkurt 2, 2009

Flamurtari – Apolonia 0‑2

Shënues: Bërkiç 55′, Haxhibuliç 91′

 

Flamurtari:
Moçka, Kon (Alvish 41′), Beqiri, Paniç, Veliu, Merxha (Shehaj 58′),
Kuqi (Rustemi 46′), Guna, Begaj, Mema, Brajkoviç. Trajner: E.Liçaj.

Apolonia:
Hoxha, Peqini, Feruzoviç, Spaho, Sreçkoviç, Haxhibuliç, Hoti, Meto,
Asllani (Dhrami 88′), Bërkiç, Çerçizi. Trajner: E.Karishik.

Gjyqtarë: B.Pashaj, E.Doda (Tiranë), D.Hoxha (Lezhë)

Kartonë të verdhë. Alvish, Paniç, Mema, Çerçizi

 

“Radiografia”

10′- Brajkoviç del i vetëm përballë Hoxhës, godet, ky i fundit pret, ndërsa më pas Peqini largon në korne.

16′- Kros i Merxhës. Largon portieri i Apolonisë. Topi te Guna, që largon, por sërish largon portieri.

22′- Hoti përfiton nga një gabim i Beqirit, godet nga jashtë zonës, por pret Moçka.

28′‑ Sulm i Apolonisë, topi te Bërkiç, i cili pason për Asllanin, që në hyrje të zonës godet, por jashtë.

31′‑
Bërkiç pengohet brenda zonës, Apolonia kërkon penallti, por më parë
gjyqtari anësor ka sinjalizuar një pozicion jashtë loje për lojtarin
serb.

34′‑
Flamurtari në sulm. Guna pason shkurtazi te Begaj, mesfushori vlonjat
hyn në zonë, godet diagonal me portën, por sërish vetëm jashtë.

40′‑
Sërish Guna pason te Begaj, topi harkohet në zonë, ndërhyn Mema me
kokë, por gjuajtja e tij është mbi tra, pa rrezikuar portën e Hoxhës.

46′‑
Asllani gjen të lirë Bërkiçin, sulmuesi serb hyn në zonë, godet bukur,
topi përplaset në shtyllë, kthehet në lojë, provon edhe Hoti, por Moçka
largon në korne, duke i thënë “jo” golit.

55′‑
Sreçkoviç, nga krahu i majtë, hedh një top në zonë, Bërkiç përfiton e
kalon topin mbi portierin vlonjat dhe realizon. 0‑1 për Apoloninë.

63′‑ Alvizh provon nga një goditje dënimi, topi i drejtohet portës, por në çastet e fundit Hoxha largon në korne.

72′‑
Pasiguri e mbrojtjes së Apolonisë. Spaho kërkon të largojë topin, që
përplaset te Shehaj dhe përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë
pingule.

80′‑
Top në zonën e Apolonisë, largon mbrojtja, Guna godet me shpejtësi,
pret Hoxha, topi rikthehet në lojë, provon edhe Brajkoviç, por portieri
mik është i pakalueshëm.

87′‑ Shehaj futet në zonë, godet me të majtën ngjitur me shtyllën, Hoxha sërish thotë “jo”, duke larguar në korne.

91′‑
Dhrami provon në zonë, largon Beqiri, topi te Haxhibuliç, që nga rreth
35 metra shkarkon të djathtën, që ndalet në rrjetë. Apolonia mbyll
ndeshjen me golin e dytë, 2-0.

 

Komenti

Flamurtari
e nis me humbje vitin 2009, ndërsa Apolonia merr një fitore shumë të
vlefshme në Vlorë, ku ashtu siç u zhvillua loja, duket se ekipi mik e
meritoi fitoren. Dy gola në pjesën e dytë u kanë dhënë tri pikë miqve,
që me atë çfarë treguan në Vlorë, duket se do të jenë një “kockë e
fortë” për pjesën e mbetur të sezonit. Ndeshja nis mirë për
Flamurtarin, kur Brajkoviç mund të kishte realizuar për vlonjatët, por
i vetëm përballë Hoxhës gabon, duke mos arritur të kalojë portierin
mik, që edhe në raste të tjera do të ishte pa dyshim një pikë shumë e
fortë për miqtë. Pas këtij momenti, Flamurtari kërkon të fitojë terren,
por jo të rrezikojë seriozisht portën mike, ndërsa Apolonia mbrohet
mirë dhe në kundërsulm është mjaft e rrezikshme, kryesisht me Bërkiçin
dhe Asllanin. Dy gjuajtje, nga një për çdo skuadër, nuk do të sillnin
asgjë, por pas minutës së 30‑të Apolonia duket se kërkon më shumë, duke
parë që mund të pretendojë, ndërsa Liçaj, pa mbaruar 45 minutat e para,
largon kroatin Kon dhe fut po një kroat, Alvizh. Minuta shtesë e pjesës
së parë do të sillte një mundësi të mirë për miqtë. Bërkiç në zonë
godet dhe topi ndalet në shtyllë, provon edhe Hoti, por vetëm korne. 45
minutat e dyta dhe Liçaj ndërhyn sërish, largon Kuqin dhe në lojë
Rustemi, ndërsa trajneri i Apolonisë u beson të njëjtëve lojtarë. Pas
55 minutash lojë miqtë godasin dhe është Bërkiç, një nga më të mirët e
Apolonisë, që duke shfrytëzuar edhe pakujdesinë e mbrojtjes, shënon.
Gol që i godet vlonjatët dhe miqtë fitojnë siguri. Por Flamurtari kryen
edhe një tjetër lëvizje, largohet Merxha dhe hyn një tjetër sulmues si
Shehaj. Flamurtari luan më shumë më topa të gjatë dhe në disa raste
provon, por goli mungon, kjo edhe për meritë të portierit mik, që nuk
lejon të realizohet në portën e tij, megjithëse vlonjatët duket se kanë
probleme në lojën sulmuese. Apolonia mbrohet mirë dhe i beson
kundërsulmit, ku Bërkiç është përherë një rrezik për mbrojtjen
vlonjate. Minutat shtesë, tri të akorduara nga Gjyqtari, shënojnë një
tjetër moment, kur është pikërisht Haxhibuliç, që nga rreth 25 metra
shkarkon të djathtën e tij dhe realizon me të vërtetë një eurogol. 2‑0
për Apoloninë dhe miqtë që mbyllin gjithçka edhe për minutat e mbetura.

Tri
pikë shumë të rëndësishme për Apoloninë, që ka treguar një lojë me të
vërtetë cilësore në Vlorë, ndërsa Flamurtari duhet të riparojë shumë
shpejt për takimin e së mërkurës. Apolonia e meritoi fitoren, duke
luajtur saktë dhe pa gabime, ndërsa Flamurtari çaloi në lojën sulmuese,
megjithëse po të kishte realizuar në fillim me Brajkoviçin, loja mund
të kishte marrë tjetër rrjedhë. Gjithsesi, miqtë nuk vodhën asgjë dhe
morën atë që dhanë në fushën e lojës në ndeshjen me Flamurtarin, tri
pikët, të cilat janë mjaft të çmuara. Ndërsa tregu i dimrit tregoi se
në ekipin fierak kanë mbërritur lojtarë cilësorë.

 

Deklarojnë:

Edmond Liçaj, trajner i Flamurtarit: Nuk u paraqit në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Esad Karishik, trajner i Apolonisë:
“Fillimi me fitore është mjaft shpresëdhënës për ne, kjo edhe pas
ndryshimeve në ekip. Ne kemi qenë bashkë me Famurtarin në Antalia për
fazë përgatitore dhe natyrisht prisja një ndeshje të fortë, ashtu siç
edhe ishim përgatitur për një takim shumë të vështirë. Mendoj se e kemi
merituar fitoren, por edhe kundërshtari zhvilloi një takim të mirë dhe
duhet përgëzuar. Thjesht ne ishim pak më të mirë se Flamurtari. Takimi
u zhvillua korrekt dhe për këtë i përgëzoj organizatorët. Natyrisht,
tri pikë në fushën e Flamurtarit, ku kanë humnbur edhe ekipe si Tirana
apo Vllaznia, do të thotë shumë, ndaj kjo fitore është për ne me shumë
vlera, pasi e kemi nisur mbarë, duke shpresuar të vijojmë kështu edhe
në takimet e tjera. Thashë e përgëzoj edhe Flamurtarin për atë që dha
në fushën e lojës dhe natyrisht takimi ishte korrekt edhe nga vetë
sportdashësit në shkallët e stadiumit.”

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Shkurt 2009
H M M E P S D
« Jan   Mar »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: