KF APOLONIA

Apolonia, për ta filluar aty ku e la

Posted on: Janar 10, 2009

Fierakët i bënë një mbyllje të mirë vitit që lamë pas, por që nuk mjafton për objektivat

Fundi i 2008-s shënoi një progres jo të paktë për Apoloninë, e cila u bëri një mbyllje të mirë dy ndeshjeve të fundit. Duke grumbulluar gjashtë pikë të plota, pasi kanë kaluar Partizanin dhe Teutën, fierakëve u është mundësuar ngjitja në tabelën e klasifikimit, duke u pozicionuar në fund të javës së 17-të në vendin e nëntë e duke lënë pas skuadra të tilla, si Bylis, Partizani dhe Lushnja.

Me 18 pikë të grumbulluara, Apolonia tashmë ka filluar ta hedhë shikimin në katet e larta të renditjes dhe brenda skuadrës është rritur në mënyrë të ndjeshme optimizmi në forcat e veta, duke besuar për rezultate të vijueshme dhe konstante në të ardhmen. Pasi kanë kaluar pushimet e fundvitit pranë familjeve të tyre, futbollistët do t’i kthehen grumbullimit ditën e martë.
“Ethet” e merkatos kapin fierakët
Ashtu si dhe gjatë merkatos së kaluar verore, fierakët nuk i parapëlqejnë “bum”-et dhe deklaratat me efekt mediatik për të tjerët. Apolonia ka qenë gjithmonë për një përmirësim të organikës brenda interesave dhe kërkesave të saj, njëkohësisht duke mos shpenzuar shuma të kota për emra jo të vlefshëm.

Kështu, edhe në merkaton verore, fierakët kanë kryer goditjet e tyre, duke afruar pranë skuadrës futbollistë punëtorë dhe duke mos u nisur shumë nga emrat. Megjithatë, nevojat e kampionatit në vazhdim janë të tilla që u diktojnë drejtuesve fierakë më tepër lojtarë që të jenë produktivë.

Gjatë verës, tek Apolonia u afruan futbollistët: Srekoviç, Mirçeta, Haxhibuliç, Bërkiç, Guri, Bedini, Skënderaj, Kelmendi dhe Asllani, ndërsa u larguan mbrojtësi Çarls, mesfushori Gërxho dhe sulmuesi vlonjat Liçaj. Siç janë shprehur drejtuesit e Apolonisë dhe vetë trajneri Karishik, ekipit do t’i duhet që të kryejë përforcime, duke përfshirë thuajse çdo repart.

“Duke ditur gjatësinë e kampionatit dhe duke vlerësuar me objektivitet vështirësinë e garës, jemi të ndërgjegjshëm që Apolonia ka nevojë për disa përforcime të ndjeshme cilësore,” ka deklaruar trajneri boshnjak i fierakëve.

Ndonëse nuk bëhen të ditur emrat dhe numri i saktë i lojtarëve që do të jenë nevojë e Apolonisë, bëhet fjalë për rreth 5-6 futbollistë, të cilët do t’i përkasin kryesisht tregut të huaj, por nuk përjashtohen as emrat nga kampionati shqiptar.

Nevojat më emergjente të ekipit, siç janë shprehur edhe drejtuesit, janë për një “playmaker” dhe një lojtar sulmues goli, i cili duhet të jetë spikatës edhe në lojën në ajër. Tregu i huaj duket më i suksesshmi për fierakët dhe numri i lojtarëve joshqiptarë te kjo skuadër duket se do të rritet sërish. Aktualisht Apolonia ka në përbërje të saj 6 futbollistë të huaj: 4 serbë dhe 2 brazilianë.
Vlerësim ndeshjeve në transfertë
Në analizën që i bën skuadrës së tij, trajneri Esad Karishik konstaton se Apolonia po vjen duke e përmirësuar vazhdimisht lojën e saj dhe kjo ka qenë e prekshme edhe te rezultatet që nuk kanë munguar, sidomos në ndeshjet e fundit.

Por për numrin një të stolit fierak, mbeten një shqetësim jo i vogël ndeshjet e transfertës, atje ku Apolonia duket se ka dhe ngërçin më të madh. Kështu, nga 9 ndeshje të zhvilluara deri tani jashtë “Loni Papuçiut”, Apolonia ka marrë vetëm 1 fitore (1-0 me Partizanin në javën e pestë), 1 barazim (0-0 me Elbasanin në javën e parë dhe i ka humbur të shtata ndeshjet e tjera.

Edhe golaverazhi është tepër negativ, me 4 gola të shënuar dhe 13 të pësuar. E vërteta është se Apolonia e ka vuajtur faktorin fushë dhe në shumë ndeshje nuk ka arritur të dalë dot nga “manteli” ngurrues i skuadrës udhëtuese.

Kësisoj, për të qenë më të suksesshëm në periudhën e mbetur, trajneri Karishik ka theksuar se do t’u mëshohet kujdes i veçantë ndeshjeve jashtë fushe, ku skuadra duhet që të luajë lojën e saj dhe të shfaqë ambicien e marrjes së rezultatit.
Gega, rikthimi me vlerë në fushë
Eshtë rikthyer në formacionin bazë dhe ka luajtur 90 minuta të plota një nga mesfushorët më me përvojë tek Apolonia, Armando Gega, i cili ka ndjekur pa më të voglin stonim ritmin e skuadrës gjatë ndeshjes me Teutën dhe ka dhënë kontributin e tij në fitoren ndaj “djemve të detit”.

Mesfushori ka mbetur i befasuar nga stadi në të cilin është ngjitur skuadra në pjesën e dytë, a thua se në fushën e lojës kishte zbritur një tjetër Apoloni nga ajo e 45-minutëshit të parë. Sipas tij, në skuadër ka filluar të fryjë tjetër “erë”, pasi zona “e ftohtë” e renditjes aktualisht është lënë pas.

“Nuk duam ta kthejmë më kokën pas, por duhet të vështrojmë vetëm përpara. Lojëra të bukura dhe sa më shumë pikë. Këto do të jenë prioritetet tona për pjesën e mbetur të kampionatit,” ka cituar mes të tjerash mesfushori i Apolonisë, Armando Gega.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Janar 2009
H M M E P S D
« Dhj   Shk »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: