KF APOLONIA

Apolonia, krenare për portierin Haxho

Posted on: Dhjetor 28, 2008

Portieri 19-vjeçar, England Haxho, ka bërë një paraqitje shumë të mirë ndaj Partizanit

Ka qenë një nga më të spikaturit në ndeshjen me Partizanin, “zbulimi” në kohën e duhur i portierit England Haxho, i cili në takimin me të kuqtë, ka startuar nga stoli për t’u bërë gjatë ndeshjes protagonist i saj.

Shtatlarti i fierakëve, vetëm 19-vjeçar, ka qenë një nga vendimtarët në rezultatin e skuadrës së tij, teksa ka realizuar disa pritje të bukura dhe spektakolare, duke befasuar publikun dhe drejtuesit e Apolonisë me nivelin që ka treguar në fushën e lojës.

Haxho ka rezultuar i suksesshëm në ndërhyrjet e tij në ajër, apo dhe në sigurinë që ka pasur në zhytjet dhe pritjet e topave tokazi, duke elektrizuar një stadium të tërë.

Dhe portieri që mban mbi shpinë numrin 12 të Apolonisë, shprehet se është i gatshëm të japë kontributin e tij maksimal për skuadrën, sa herë që kjo gjë do të jetë e nevojshme. “Jam ndjerë mirë nga përkrahja që më ka dhënë publiku, e cila është më se e domosdoshme, aq më tepër kur luan me skuadra të tilla si Partizani.

Edhe pse ky ekip ndodhet në pozicione që nuk i shkojnë për shtat, vetë emri që ka skuadra e kuqe mbi supe, të krijon mbresa dhe emocione të veçanta, kur e kë përballë si kundërshtar. Mendoj se ka qenë një ndeshje e mirë e imja, dhe sigurisht, kënaqësia vjen në rritje kur kjo shoqërohet dhe me atë fitore të bukur që mori skuadra jonë”, – shprehet Haxho, i cili ka luajtur për 73 minuta në fushën e lojës, pasi trajneri Karishik u detyrua ta zëvendësojë portierin Dine, për shkak të replikave mes këtij të fundit dhe publikut fierak.

Por mbrojtësi i ri i katërkëndorit të Apolonisë e ka shfytëzuar në maksimum mundësinë e krijuar dhe është shfaqur në lartësinë e duhur në misionin e besuar. Gjatë gjithë kohës, Haxho ka qenë stoik, punëtor dhe i pafjalë në pretendimet dhe përgatitjen e tij, duke pritur momentin e duhur, i cili ka ardhur pikërisht në ndeshjen me Partizanin.

“Detyra e një futbollisti është që të përgatitet mirë dhe të presë çastin e tij, nëse nuk është zgjedhja e parë. Unë jam i ndërgjegjshëm për vlerat e portierit tonë Dine, por kjo nuk më ka bërë kurrë pesimist dhe nuk e kam ulur asnjëherë tempin e përgatitjes, pasi skuadra ka nevojë për shërbimet e të gjithëve.

Kur trajneri ma kërkoi një gjë të tillë, unë isha i gatshëm për ta dhënë këtë kontribut. Motoja ime ka qenë gjithmonë dhënia e më të mirës në fushën e lojës dhe këtë do ta bëjë sa herë të më kërkohet”, ka thënë përmes modestisë portieri Haxho.

Duke e vlerësuar si tërësisht të meritueshme fitoren ndaj Partizanit, Haxho thekson se tashmë skuadra është e përqëndruar në një tjetër ndeshje, konkretisht në atë ndaj Teutës, ku fierakët do të kërkojnë të arrijnë fitoren e dytë radhazi.

“E kemi të qartë se luajmë me një skuadër që është problematike dhe që nuk ka hequr dorë nga pretendimet e saj. Në fazën e parë ne kemi humbur me durrësakët në Shijak, kur meritonim të paktën një barazim.

Ata vijnë pas një humbjeje në fushën e tyre me Besën dhe do të përpiqen që të rikuperojnë në ndeshjen me ne, por Apolonia do të luajë për të marrë një tjetër fitore dhe për t’u kthyer durrsakëve “borxhin” e fazës së parë.

Mendoj se kjo është më se e mundshme dhe, për këtë, unë nisem nga forma e ekipit, besimi që është krijuar dhe frymën që po përçon trajneri Karishik, i cili gjithmonë ka kërkuar më të mirën nga ekipi. Fitorja me Teutën do të ishte një hap pozitiv për skuadrën tonë dhe do të rriste edhe më tepër sigurinë në objektivat tona”, ka deklaruar mes të tjerash portieri i Apolonisë, England Haxho.

Trajneri Karishik falënderon publikun

Tepër entuziast pas lojës dhe fitores së Apolonisë ndaj Partizanit, trajneri i fierakëve, Esad Karishik, ka falënderuar publikun e zjarrtë që e ka përkrahur skuadrën gjatë gjithë ndeshjes. “Ka qenë një befasi e plotë dhe e këndshme ajo që publiku ka bërë në këtë ndeshje.

Sportdashësi fierak e ka treguar gjithmonë përkrahjen e tij ndaj skuadrës, por jo si këtë herë. Nëse ekipi do të luajë kështu si në ndeshjen ndaj Partizanit dhe publiku do të jetë i karikuar ashtu si në ndeshjen e fundit, Apolonia mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari. Tani e ka radhën Teuta.

Do të futemi vetëm për të fituar, edhe pse e dimë që nuk është një skuadër e lehtë. Fitorja ndaj Partizanit nuk mund të mbetet me kaq, por ajo ka nevojë për t’u plotësuar me një tjetër ndeshje dhe fitore po aq të bukur”, ka thënë Karishik.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Dhjetor 2008
H M M E P S D
« Nën   Jan »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: