KF APOLONIA

Apolonia “skuq” Shehin dhe Partizanin

Posted on: Dhjetor 22, 2008

Fierakët kanë zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të sezonit, duke mposhtur për herë të dytë të kuqtë

Apolonia – Partizani 3-1

berkic1Shënues: Malota 2′, Bërkiç 19′, K.Asllani 58′, Dhrami 89′

Apolonia: Dine (Haxho 17′), Spaho, Shoshi, Sreçkoviç, Kelmendi, Meto (Gega 81′), Haxhibuliç, Mirçeta, Çerçizi (Dhrami 21′), K.Asllani, Bërkiç. Trajner: E.Karishik.
Partizani: Shehi, Tafaj (Xhika 70′), Shala, Pinari, Malota, Hallaçi, Babamusta, Karabeci (Ahmetaj 67′), Gjyla (Dashi 67′), Ngjela, Bakaj. Trajner: Sh.Duro.
Gjyqtarë: A.Janku, S.Avdo, D.Rexha (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Haxhibuliç, Sreçkoviç, K.Asllani\Karabeci
Karton i kuq: Shehi

“Radiografia”

GOL! 2′- Një goditje dënimi për Partizanin nga rreth 35 metra. Topi harkohet në zonë nga Bakaj dhe aty ndërhyn shpejt Malota, duke befasuar vendësit dhe duke kaluar të kuqtë në avantazh. 0-1.

4′- Bërkiç vërshon nga e djathta e sulmit dhe gjuan fuqishëm, por topi devijohet në goditje këndi nga mbrojtësi Shala.

17′- Portieri Dine ka reaguar në mënyrë jokorrekte ndaj publikut fierak dhe trajneri Karishik e ka zëvendësuar me portierin Haxho, i cili ka qenë një nga më të mirët në fushën e lojës për të dyja skuadrat.

GOL! 19′- Një zbritje e shpejtë e fierakëve. Haxhibuliç ka nxjerrë të lirë në qendër sulmuesin Bërkiç, i cili, pasi kryen një lëvizje mashtruese ndaj një mbrojtësi të Partizanit, lëshon një goditje “të thatë” drejt portës dhe barazon shifrat në 1-1.

40′- Elis Bakaj merr një top të gjatë nga mesfusha dhe, i ndodhur fare pranë portës, realizon më të vështirën përmes gjuajtjes së tij, duke goditur rrjetën e jashtme.

45′- Nga një goditje dënimi te harku i zonës së rreptësisë, do të provojë mbrojtësi Sreçkoviç, i cili ka “lëmuar” shtyllën traversale përmes gjuajtjes së tij.

52′- Dy raste të mira për Partizanin. Tafaj harkon rrezikshëm dhe Bakaj, i ndodhur te shtylla e djathtë pingule e Haxhos, gjuan me kokë, por portieri fierak largon në goditje këndi me vështirësi. Nga goditja e këndit, krosi shkon drejt Tafajt, goditja me kokë e të cilit trondit traun e portës se Haxhos dhe largohet nga mbrojtja.

56′- Kundërpërgjigjen menjëherë fierakët. Një gjuajtje e beftë e Dhramit, që largohet në goditje këndi nga Pinari. Vetëm një çast më pas, Bërkiç ka shmangur dhe portierin Shehi dhe gjuan, por Malota largon topin pranë vijës fatale. Në fund, K.Asllani do të lëshojë një gjuajtje të fuqishme fare pranë zonës, por grushton me vështirësi portieri i kuq.

GOL! 58′- Kapiteni Asllani ka shkarkuar një tjetër të djathtë “të hidhur” nga jashtë zone, në një pozicion paksa të prirët, duke e dërguar topin në të djathtë të Shehit, atje ku portieri i kuq nuk mund ta arrijë dot. Apolonia-Partizani 2-1 dhe “Loni Papuçiu” në delir.

69′- Portieri i Partizanit, Shehi, ka penguar jashtë zone Mlladen Bërkiçin dhe gjyqtari Albano Janku e ka ndëshkuar me karton të kuq.

82′- Një kundërpërgjigje e shpejtë e Apolonisë. Ndodhen tre futbollistë fierakë përballë dy mbrojtësve të Partizanit. Asllani pason te Dhrami, i cili është futur bukur në zonë dhe ka dashur të shërbejë për Haxhibuliçin, por serbi është vonuar.

GOL! 89′- Një top i gjatë i nisur nga thellësia e mesfushës fierake nga ana e Gegës. Xhika dhe Dhrami futen në dyluftim shpejtësie me njëri-tjetrin. Portieri i Partizanit del huq në tentativën për ta larguar topin dhe vlonjati nuk e ka të vështirë ta shtyjë në rrjetë.

Komenti

Apolonia ka korrur një nga fitoret më të bukura gjatë këtij kampionati, kjo jo për faktin se është arritur ndaj Partizanit dhe me shifra të pastra, por fierakët kanë merituar gjithçka përmes një loje të shkëlqyer dhe një interpretimi virtual në fushën e blertë.

Përballë një numri rekord shikuesish, skuadra ka shpalosur një grintë të jashtëzakonshme në fushën e lojës dhe ka përmbysur gjithçka në favor të vet, edhe pse është goditur shumë shpejt, nga ai gol i minutës së dytë të shënuar nga mbrojtësi i Partizanit, lezhjani Malota.

Trajneri Karishik ka ditur ta udhëzojë siç duhet ekipin e vet dhe ta udhëheqë me mjeshtëri në rrugën e një fitoreje me shifra sugjestionuese. Futja e Dhramit në minutën e 21-të i ka dhënë skuadrës më shumë impulse në aksionet sulmuese dhe mbrojtja e skuadrës së Duros është gjetur disa herë e papërgatitur dhe ka shpëtuar më tepër falë përvojës dhe sigurisë së portierit Shehi.

Pas barazimit të arritur nga goli i Bërkiçit, Apolonia e ka shtuar epërsinë e saj dhe ka qenë disa herë të tjera fare pranë golit të avantazhit. Krejt e kundërta ndodh me mesfushën e Partizanit, e cila është tërësisht apatike dhe inaktive, duke mos krijuar hapësirat e duhura për Ngjelën dhe Bakajn, që kanë qenë në hije thuajse gjatë gjithë takimit, kjo edhe për meritë të mbulimit të rreptë nga mbrojtja e Apolonisë.

Pjesa e dytë do të nisë e gjitha me ritmin fierak dhe një Partizan inekzistent për minuta të tëra. K.Asllani, Bërkiç dhe Dhrami kanë shpërdoruar mjaft, derisa vijmë në minutën e 58-të, kur kapiteni Asllani do të çlirojë fierakët nga makthi i barazimit, pas atij goli të bukur të shënuar nga një goditje rreth 20 metra distancë. Kaq ka mjaftuar për Apoloninë që të luajë më e qetë dhe më autoritare në lojën e saj.

Përballë një mbrojtjeje të çoroditur të miqve, futbollistët e Apolonisë humbasin edhe shumë raste të tjera shënimi. Në 20 minutat e fundit, Partizani ka luajtur në inferioritet numerik, për shkak të daljes me karton të kuq të kapitenit Shehi dhe këtë gjë e shfrytëzon më së miri Apolonia, që ka goditur për të fundit herë me anë të sulmuesit Dhrami, në minutat ekstreme të takimit. Pas këtyre tri pikëve mjaft të vlefshme, Apolonia ndihet më e qetë dhe më e sigurt, pasi ka krijuar një shkëputje më të ndjeshme nga Partizani, por tashmë i është larguar edhe Lushnjës.

Deklarojnë:

Esad Karishik, trajner i Apolonisë: “Një fitore e madhe e ekipit të Apolonisë, e ardhur në një moment kur ndodheshim në një pozicion shumë të vështirë. Pësuam një gol që u duk se e demoralizoi ekipin, por me ndryshimin e taktikës së lojës, arritëm përsëri të marrim iniciativën, të cilën e ruajtëm deri në fund të ndeshjes.

Kjo lojë na shpërbleu me tre gola dhe, siç e patë vetë, kemi pasur edhe shumë raste të tjera, të cilat mund të kishin çuar në një rezultat më të thellë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe përkrahjen e fuqishme të publikut, që ka qenë lojtari i dymbëdhjetë për ne ditën e sotme, jo vetëm të shumtë në numër, por edhe tepër të zjarrtë.”

Shpëtim Duro, trajner i Partizanit: “Nuk e kishim parashikuar një humbje në Fier. Sot ishte një fillim shumë i mirë, shënuam një gol, por nuk arritëm të shfrytëzonim momente të veçanta të lojës. Edhe me fillimin e pjesës së dytë, kemi pasur 3-4 raste të tjera për shënim.

Dalja me karton të kuq e portierit Shehi ishte momenti më deciziv i takimit, jo për shkak të kartonit, por dihet në situata të tilla është “mjeshtri” Janku që di ta kontrollojë dhe administrojë lojën ashtu si dëshiron. Nuk kam asgjë për fitoren e Apolonisë dhe nuk dua t’i mohoj meritat asaj, përkundrazi kam përshtypje të mira dhe i uroj suksese kësaj skuadre.”

Të veçanta:

– Rreth 6000 tifozë fierakë kanë ndjekur dje ndeshjen Apolonia-Partizani, të luajtur në stadiumin “Loni Papuçiu”.
– Në tribunën “VIP” kanë qenë të pranishëm presidenti i Apolonisë, Endri Puka, drejtori teknik i Partizanit, Bejkush Birçe, si dhe drejtuesit e Flamurtarit të Vlorës, Edmond Liçaj e Petraq Bifsha.
– Të tre golat e Apolonisë janë shënuar nga tre sulmues, një nga rastet e rralla për këtë skuadër.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Dhjetor 2008
H M M E P S D
« Nën   Jan »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: