KF APOLONIA

Shoshi: Federatë, shiko se si jam katandisur!

Posted on: Dhjetor 2, 2008

Derbi i Myzeqesë pritej me interesim të dyanshëm, duke shpresuar për të qenë një festë e vërtetë futbolli e duke besuar se ndeshja do të ishte një nga shprehjet më të mira të tifozërisë së emancipuar dhe qytetare të të dy ekipeve. Por takimi mes Lushnjës dhe Apolonisë për javën e 13-të të Kampionatit të 70-të Kombëtar të Futbollit befas është shndërruar në një shfaqje të shëmtuar të anti-futbollit dhe të shenjave të qarta të dhunës në stadium. Dhe është një rast që duhet ndalur fort, kur konstaton që një precedent i tillë ndodh pikërisht në një ndeshje të futbollit elitar në Shqipëri, në një ndeshje që mban siglën e superligës shqiptare. Po çfarë ndodhi në takimin derbin e Myzeqesë pas golit të barazimit të shënuar nga fierakët me anë të mbrojtësit Sreçkoviç? Të përfshirë nga gëzimet e golit, futbollistët fierakë vrapojnë për ta ndarë festën me tifozërinë e tyre, që ishte në një numër të konsiderueshëm në “Roza Haxhiu”. Ndërkohë, qendërmbrojtësi Mariglen Shoshi, sikundër të gjithë shokët e tjerë të skuadrës, drejtohet nga tifozëria fierake që po festonte, po rrëzohet përtokë nga një goditje që ka marrë në pjesën fare pranë syrit të majtë dhe është mbuluar nga gjaku. Pas kalimit të fazës së entuziazmit pas shënimit të golit, teksa kanë parë të shtrirë në fushë Shoshin, nga ana e futbollistëve fierakë është kërkuar ndihma dhe ndërhyrja e mjekëve dhe më pas mbrojtësin e Apolonisë e kanë transportuar së pari drejt spitalit të Lushnjës. Lojtarët e Apolonisë kanë kërkuar të mos e vazhdojnë më lojën pas këtij incidenti, por vendimi i marrë nga drejtuesit e klubit është i prerë: skuadra duhet të luajë.

Versionet e paraqitura nga të dyja palët janë krejt të kundërta me njëra-tjetrën për sa i përket shkakut të vërtetë nga erdhi dëmtimi i Shoshit. Sipas deklarimit të sekretarit lushnjar, Llazar Dushi, Shoshi është goditur nga hekuri i portës, pasi tifozëria fierake vërshoi drejt gardhit rrethues të fushës dhe shtyu portën hyrëse. Madje, sekretari i Lushnjës ka mohuar edhe faktin se në fushë ka pasur hedhje të sendeve të ndryshme nga tifozëria vendëse. Ndërsa vetë futbollisti Mariglen Shoshi, i kontaktuar nga gazeta “Sporti shqiptar”, edhe pse vazhdon të jetë nën mbikqyrjen e vazhdueshme të mjekëve, nuk ka ngurruar të hedhë dritë mbi të vërtetën.

– Shoshi, ju keni pësuar një të çarë të thellë në pjesën poshtë syrit në ndeshjen me Lushnjën. Si ka ardhur ky dëmtimi juaj?

– Pas shënimit të golit të barazimit, po përjetonim emocionet që të fal një moment i tillë. Shokët e skuadrës vrapuan drejt hekurave ku ndodheshin sportdashësit tanë për të festuar me ta. Ndërkohë, në fushë, drejt nesh po hidheshin sende të forta, si shishe plastike, gurë etj. Unë kam qenë paksa më mbrapa shokëve të ekipit dhe, duke parë të gjithë situatën dhe vërshimin e sendeve të forta në fushë, kam shkuar për të tërhequr shokët dhe për t’i ruajtur nga ndonjë dëmtim i mundshëm. Sapo kam tërhequr Meton, kam ndier një dhimbje të tmerrshme në sy, të shkaktuar nga një gur i madh që ka ardhur drejt meje. Më pas jam rrëzuar në tokë dhe më kanë transportuar në spitalin e Lushnjës.

– Nga ana e lushnjarëve është deklaruar se ju jeni dëmtuar nga një hekuri i portës dhe nuk është i vërtetë fakti se në fushë janë hedhur sende të forta…?

– Unë nuk jam ngjitur fare te hekurat për të festuar dhe kam qenë rreth 2 metra më pas të tjerëve. Gjithë deklarimet e mësipërme nuk bëjnë gjë tjetër vetëm sa e shtojnë më tepër shëmtinë e aktit, jo për faktin se ky incident ndodhi ndaj meje. Përkundër të gjitha deklaratave, përkundër të gjitha versioneve të mundshme që mund të ngrihen, ato që flasin më qartë janë pamjet filmike të këtij episodi, të cilat tashmë janë transmetuar nga televizione të ndryshme.

– Ky ishte momenti i vetëm i dhunës, apo pati tension që në fillim të takimit?

– Dhuna u ndje që në fillim. I thamë disa herë arbitrit që ta mbante më mirë lojën dhe te mos lejonte ndërhyrje aq të rënda, por ai thoshte: “Luani, luani se nuk bëjnë ndonjë gjë këta”. Ata u munduan me të gjitha forcat që të na mposhtnin. Ne me Lushnjën jemi komshinj, por asnjëherë nuk kemi shkuar mirë. Sa herë kanë ardhur në Fier lushnjarët, kanë ardhur si miq dhe jemi ndarë si miq, kurse në Lushnjë ka ndodhur e kundërta. Tifozët e kishin me mua që nga fillimi i lojës, pasi edhe në nxehje kur dola, më shanin dhe ofendonin në të gjitha mënyrat.

– Do të reagoni ju dhe klubi juaj për këtë ngjarje të shëmtuar, që ndodhi të shtunën në “Roza Haxhiu”?

– Pa dyshim që do të reagojmë, sepse po heshtëm, raste të tilla do të përsëriten prapë. Do të kërkojmë nga federata të na japë ndeshjen në tavolinë, sepse na takon. Edhe lojtarët e tjerë të skuadrës kishin ankesa, por gjyqtari i favorizoi ndjeshëm lushnjarët. Personalisht nuk kam çfarë të bëj, se nuk e kam parë personin që më goditi. Unë kërkoj dhe shpresoj që federata të marrë menjëherë masa. Do të ankohem atje, pasi shikoni sesi më kanë katandisur.

Doktori Tanaka: Shoshi ka traumë në kokë

Ngjarja e së shtunës në Lushnjë, ku mbrojtësi Mariglen Shoshi mori plagë të rënda në kokë pas u godit me gur nga tifozëria verdhjeshile, e ka shokuar mjaft opinionin futbolldashës. Reagimet nga të dy kampet nuk mungojnë. Lushnjarët kërkojnë ta minimizojnë situatën, duke u përpjekur të shfajësohen me një përplasje të kokës së mbrojtësit të Apolonisë nga gardhi i shtyrë nga tifozëria e tij, ndërsa fierakët ngrenë zërin për t’u shpaguar deri më një nga dhuna fizike dhe psikologjike që pësoi në “Roza Haxhiu”. Megjithatë, për të nxjerrë edhe një zë të tretë rreth kësaj situate të rëndë, redaksia ka kontaktuar mjekun që mban nën mbikqyrje mbrojtësin e Apolonisë. Doktor Tanaka i bën një rezyme të shpejtë gjendjes së lojtarit. Sipas mjekut, Shoshi nuk rrezikon komplikacione të rënda, por ka trauma dhe probleme me syrin e majtë. “Ne na lajmëruan nga stadiumi “Roza Haxhiu” dhe shkuam për ta marrë në spitalin e Lushnjës, ku mori ndihmën e parë. Nuk ka ndonjë rrezikshmëri shumë të rëndë, por ka një traumë në kokë dhe ka një veshje të syrit. Ne do të vazhdojmë ta observojmë në spital, pasi goditjet në kokë nuk janë të lehta dhe ne nuk mund t’i themi që të largohet nga spitali me arsyen se nuk ka rrezik. Pacienti do të vazhdojë të qëndrojë 2‑3 ditë nën mbikqyrjen tonë dhe, pasi të bëjmë një rivlerësim të gjendjes së tij, do të marrim ndonjë vendim më konkret,”- deklaron mjeku Maksi Tanaka, sipas të cilit Mariglen Shoshi do të qëndrojë edhe disa ditë nën vëzhgimin e specialistëve.

B.Rama

Papuçiu: Fatkeqësi për futbollin shqiptar

Ndërkohë, ajo që shfaqet nga qëndrimi i drejtuesve të klubit fierak, flet se e kanë përjetuar jo këndshëm një incident të tillë, i cili, sipas tyre, ka qenë një skenar i mirëmenduar dhe një nga format e garantimit të fitores me çdo kusht. Zëvendëstrajneri i Apolonisë, Dhimitër Papuçiu, ka folur me tonë të ashpra në lidhje me këtë akt, si një nga precedentët më të shëmtuar të futbollit shqiptar, që i duhet thënë “stop” një herë e mirë. “Gjithçka është e qartë si drita e diellit dhe çdo gjë është zbuluar përmes pamjeve filmike. Keni ndjekur një shfaqje fund e krye antivlerë në futboll. Është fatkeqësi! Ky sport, që është krijuar për të bashkuar njerëzit, si urë komunikimi mes kombeve të ndryshme, si art i magjishëm që të dhuron emocione të pashembullta, duhet të flasë përmes gjuhës së topit dhe jo akteve më të shëmtuara të dhunës. Nuk mund të luhet kështu, nuk mund të fitohet kështu. Ju përshëndes si media në misionin që keni ndërmarrë në përcjelljen e së vërtetës, për të bërë më të mirën që ky sport të mos humbasë sensin e bukurisë, magjinë e tij. Gjithçka ka ndodhur në Lushnjë ka qenë e tmerrshme. Pas golit të barazimit lushnjarët kanë shpërfytyruar çdo gjë që ka të bëjë me futbollin. Veç të tjerash, dua të denoncoj fuqishëm qëndrimin indiferent dhe antinjerëzor të mbajtur nga trajneri Vasil Bici dhe sekretari i Lushnjës, Llazar Dushi, të cilët, jashtë çdo morali qytetar, kanë ngritur supet sikur të mos kishte ndodhur asgjë e sikur futbollisti ynë të kishte ardhur i dëmtuar që nga Fieri. Nuk ka vlera ky futboll, nëse mund të quhet i tillë, nuk mund të sigurohet mbijetesa në kategori përmes këtyre formave, që janë tërësisht të papranueshme për lojën e futbollit dhe nuk mund të hiqet asnjë paralelizëm mes garës së ndershme që zhvillojmë ne dhe antifutbollit të të tjerëve. Apolonia është civile, qytetare, e ndershme, ndërsa shumë të tjerë, Lushnja në rastin konkret, kërkojnë ta gjejnë veten te mungesa e altruizmit, te nivelet e papërgjegjshmërisë dhe shëmtimit më grotesk të lojës së futbollit.”

B.Rama

Ja çfarë përcakton Kodi i Drejtësisë Sportive

“Bibla” e FSHF-së, “Dokumentet themelore 2008-2009″, mes shumë paragrafëve, thekson edhe veçon pikërisht rastin që ndodhi të shtunën në “Roza Haxhiu”, gjatë takimit Lushnja-Apolonia 3-1.

“Kur gjatë një ndeshjeje ushtrohet dhunë nga publiku, lojtarët apo drejtuesit, ndaj arbitrave dhe lojtarëve kundërshtarë si, kërcënime, bëhet presion, goditen me sende të forta, goditen me shkelma, grushte apo me pjesë të tjera, veprime të cilat nuk lejojnë zhvillimin normal të ndeshjes, ekipi e humb ndeshjen 2-0, si dhe gjobitet 100.000 deri në 500.000 lekë edhe në rastet kur arbitri nuk e ndërpret atë për të mos krijuar probleme sociale. Për këtë vendim ai duhet të njoftojë vëzhguesin dhe delegatin e ndeshjes”. (Kodi i Drejtësisë Sportive, Neni 24/pika 21)

FSHF trego se di të vësh drejtësi!

Nga Jeton Selimi

Kur emsionet sportive të së shtunës trasmetuan pamjet e ndeshjes Lushnja-Apolonia 3-1, pakkush e kishte fort të qartë se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë në stadiumin “Roza Haxhiu”. Kjo pasi edhe korrespondentët radiofonikë disa orë më parë e kishin kamufluar të vërtetën. Por pamjet e ofruara të hiqnin edhe dyshimin më të vogël. Objekti i zi dhe më formë të çrregullt që i afrohej kokës së Mariglen Shoshit ishte fare i qartë. Impakti i sendit të fortë me mbrojtësin fierak ishte i pashmangshëm dhe sigurisht aty afër nuk bëhej fjalë për përplasje të kokës së lojtarit me gardhin rrethues të fushës (referuar deklaratës së sekretarit lushnjar, Llazar Dushi). Aty nuk bëhej më fjalë as për dominim total të lojës nga minuta e parë deri tek e fundit dhe as grintë skuadre apo triumf me një lojë të nivelit të lartë (referuar deklaratës së trajnerit të Lushnjës, Vasil Bici). Aty bëhej fjalë për një lojtar të gjakosur, pak rëndësi ka emri, për një skuadër të dhunuar psikologjikisht, pak rëndësi ka emri, dhe për një kampionat emri i të cilit nuk mund të njolloset më në këtë mënyrë: superliga! Për të mos u kredhur shumë në dhjetëra raste të ngjashme në futbollin tonë, po përmend vetëm mërinë e kombëtares sonë në Azerbajxhan që për një vendim të gabuar të kryesorit gjeorgjian, ishte duke krijuar një skandal diplomatik! Zoti Duka ishte aty dhe u kërkoi lojtarëve të respektonin publikun azer. Të njëjtën gjë bëri edhe Esat Karishku, trajneri i Apolonisë, që nuk vonoi të denoncojë dhunën, vendimet e njëashme të kryesorit Latifi (emër shpesh i kotenstuar ky i bilbilit gjirokastrit) dhe paraqiti një tablo krejt tjetër nga ajo e kolegut Bici. “Kurrë në jetën time nuk më ka ndodhur që lojtari të goditet nga publiku. Për mua kjo ndeshje ishte e mbaruar. Në asnjë vend të Evropës nuk ka ndodhur që lojtari të dëmtohet nga publiku dhe të vazhdohet ndeshja. Nuk e kuptova”. As mijëra tifozë nuk e kanë kuptuar. Këto janë çudi shqiptare dhe do të ndodhin përsa kohë nuk përdoret grushti i hekurt. Presidenti Duka u ankua në UEFA për gjykimin e dobët të një miqësoreje dhe priti ndëshkimin e tij. Fierakët kanë të gjithë të drejtën e botës të ankohen dhe të kërkojnë dëmshpërblim deri më një për këtë paturpësi. Emri i stadiumit dhe skuadra që ndëshkohet nuk kanë rëndësi. Rëndësi ka të vihet në vend drejtësia pasi prej dy ditësh një lojtar 20-vjeçar gjendet nën mbikqyrjen e mjekëve.

Marini: Kërkojmë fitoren në tavolinë

Qëndrim të ashpër ndaj dhunës në Lushnjë ka mbajtur edhe sekretari i klubit fierak, Elton Marini. Sipas tij, ajo që ka ndodhur në “Roza Haxhiu” është krejtësisht e papranueshme dhe Apolonia do të kërkojë fitoren në tavolinë. “Nuk mund të heshtësh përballë një rasti të tillë. Nuk është hera e parë që Apolonia është keqpritur në një ndeshje futbolli, por kjo ka ndodhur kur skuadra militonte një kategori më poshtë. As që e kishim menduar ndonjëherë se do të ndodhnin të tilla fenomene edhe në superligë. Si staf drejtues ne morëm vendimin që skuadra të vazhdonte lojën vetëm për kortezi, pasi nuk mund të flitej për një ndeshje normale apo për qetësi të futbollistëve tanë në fushë, të cilët janë ndodhur nën presion të vazhdueshëm nga të gjitha anët. Normalisht që incidenti që i inskenuan Shoshit dhe gjendja e krijuar më pas, ndikoi në rezultatin teknik. Kësisoj, nisur nga pamjet filmike konkrete, ne kërkojmë dhe shpresojmë që organet kompetente të marrin vendimin dhe masat e duhura dhe të na japin fitoren në tavolinë”. Futbollisti me numrin 6 tek Apolonia, Mariglen Shoshi, nuk përfaqëson një lojtar që mbron vetëm ngjyrat e qytetit të Fierit, por ai ka mbrojtur me dinjitet edhe ngjyrat kuqezi të përfaqësueses sonë U-21, madje ai ka qenë i piketuar edhe nga trajneri i kombëtares kuqezi. Shoshi është shquar gjithmonë në fushë për karakterin e gdhendur sportiv dhe kurrë nuk ka demonstruar, në asnjë rast të vetëm, gjeste antisportive. Qendërmbrojtësi që përbën një lojtar simbol tek Apolonia, ai që e ka udhëhequr këtë skuadër me shiritin e kapitenit, edhe pse ka qenë vetëm 20 vjeç, ka qenë një nga më të lakmuarit e ekipeve kryesore shqiptare gjatë merkatos së verës, madje dhe nga ekipe të huaja, por Shoshi ka respektuar kontratën me fierakët e Apolonisë. Aktualisht, Mariglen Shoshi ndodhet nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekëve në Spitalin e Fierit dhe bluzat e bardha fierake nuk nxitojnë të shprehen, por shpresojnë që dëmtimi i tij të jetë pa pasoja të rënda për futbollistin.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Dhjetor 2008
H M M E P S D
« Nën   Jan »
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: