KF APOLONIA

Apolonia gabon në shtëpi, hap fals ndaj Elbasanit

Posted on: Nëntor 24, 2008

apoloniacmykFierakët nuk shkojnë më tepër se sa barazimi ndaj elbasanllinjve, duke u ndarë “paqësisht” midis tyre për së dyti

Apolonia – Elbasani 2 – 2

Shënues: Junior 27′, Dhrami 72′ / Bejzade 41′, Abazi 49′.
Apolonia: Dine, Spaho, Elmazi, Sreçkoviç, Mirçeta, Meta (Çerçizi 75′), Kelmendi, Haxhibuliç (Da Silva 82′), Asllani (Dhrami 52′), Junior, Bërkiç. Trajner: E.Karishik
Elbasani: Osmani, Sheta, Bakalli, Mehmetaj, Lako (Kasollja 37′) Ahmataj, Merxha, Hyshmeri, Xhafa (Stojku 50′), Bejzade (Thana 82′), Abazaj. Trajner: M.Josa.
Gjyqtar: E. Hoxha, E.Koka, D.Sela (Lezhë).
Kartonë të verdhë:Haxhibuliç,Bërkiç/Osmani,Kasollja

Minutat

7′ Kelmendi harkon bukur në zonë nga e djathta, por topi mbetet i pashfytëzuar prej shokëve të tij.
12′ Meta ka kërkuar të gjejë Bërkiç, i cili ka gjuajtur në mënyrë të befasishme nga një pozicion i volitshëm shënimi, por Osmani ka qenë i sigurtë në ndërhyrjen e tij.
19′ K. Asllani për pak sa nuk ka shënuar, pas një topi të marrë nga mesfushori Haxhibuliç. Gjuajtja e biondit në ecje e sipër është bllokuar nga ndërhyrja e Osmanit, që ka grushtuar topin në goditje këndi.
24′ Kombinim i shpejtë mes Ahmatajt e Bejzades. Ky i fundit ka gjuajtur në hyrje të zonës, por është kundërpërgjigjur Dine i vëmendshëm.
26′ Meto harkon në zonë dhe Junior gjuan me kokë, duke “qethur” traun e portës së Osmanit.
27′ Kelmendi ekzekuton me mjeshtëri një goditje këndi dhe e dërgon sferën në zonë, aty braziliani i fierakëve, Junior, i lënë i lirë nga mbrojtja elbasanase, gjuan me kokë, dhe me qetësi e saktësi, duke e dërguar topin në rrjetë. 1 0 për Apoloninë.
31′ Sërish dyshja Ahmataj Bejzade që kërkojnë të rrezikojnë portën fierake. Gjuajtja e “arushës” së Elbasanit është pritur me vështirësi nga Dine në zhytje e sipër.
39′ Një sulm gradual i Apolonisë. K.Asllani ka pasuar saktë te Junior, që gjuan nga një distancë prej 18 metrash, por portieri Osmani pret mjaft i sigurtë dhe i qetë.
41′ Abazaj ka tronditur shtyllën e majtë pingule të Dines, topi shkon te Bejzade, i cili ka shënuar me qetësi golin e barazimit për Elbasanin, 1 1.
43′ Meto ka “dialoguar” bukur me Bërkiç që, megjithëse i ndodhur brenda zonës elbasanase, gjuan dobët duke e dërguar topin drejt e në duart e portierit Osmani.
49′ Ka qenë një zbritje e shpejtë e miqve, e cila finalizohet me një gjuajtje të beftë të Abazajt, që ka përshëndetur për herë të dytë rrjetën e Dines. 2 1 për elbasanasit.
54′ Sulmuesi sërb do të humbasë edhe një tjetër rast shënimi, pas kombinimit me Kelmendin dhe do të gjuajë jashtë.
67′ Ahmataj lëshon një predhë nga një distancë prej 27 30 metrash, që pritet me vështirësi nga Dine.
72′ Aksion personal i Dhramit, i cili ka vërshuar nga krahu i majtë me shpejtësi dhe ka barazuar shifrat në 2 2.
74′ Shënon Bërkiç mbas një topi në zonën mike. Ai ka vënë në veprim dorën, duke e dërguar me të topin në rrjetën elbasanase, gjyqtari e ndëshkon me faull dhe karton të verdhë.
82′ Junior gjuan bukur nga 16 metra dhe Osmani eviton me vështirësi në dy kohë.
84′ Një tjetër gjuajtje e fierakëve. Bërkiç provon nga 18 metra dhe Osmani shpëton mjaft mirë portën e tij.
86′ Është radha e një zbritjeje të Elbasanit. Thana gjuan mjaft bukur nga një distancë rreth 20 metra, në pozicion ballor dhe Dine ka treguar aftësitë e tij.

Edhe takimi i fazës së dytë mes Apolonisë dhe Elbasanit ka dhuruar një tjetër barazim, këtë herë me bollëk golash, nga dy për secilin ekip. Skuadra fierake kishte ardhur në këtë ndeshje tepër e motivuar, me një optimizëm dhe gjendje psikologjike të shëndoshë, duke pasur parasysh dhe fitoren e arritur në ndeshjen e javës së kaluar ndaj Besës së Kavajës, por hasi në një Elbasan të organizuar mirë dhe të përgatitur për këtë takim.

Miqtë madje e kanë rrezikuar rezultatin e takimit dhe ua kanë vënë në pikëpyetje fierakëve edhe marrjen e një pike. Kanë qenë ata që e kanë përmbysuar rezultatin nga 0 1 në 2 1 dhe kanë pasur edhe raste të tjera për ta thelluar në momente të caktuara të ndeshjes. Fillimi i ndeshjes krijoi për një çast imazhin e një tjetër fitoreje të Apolonisë, e cila u vu e gjitha në kërkim të golit të avantazhit.

Pas sfumimit të disa aksioneve të tyre, më së fundi vendasit arrijnë ta gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 27 të me anë të brazilianit Junior. Por miqtë nuk pajtohen me disavantazhin dhe organizohen, duke vështruar gjithnjë e më shumë nga porta e Dines.

Dhe falë këmbënguljes së tyre dhe shtimit të rrezikshmërisë, arrijnë të barazojnë në minutën e 41 të me anë të Bejzades, duke shkuar më të qetë në pushim të ndeshjes. Fillimi i pjesës së dytë ka qenë shokues për vendasit, kur, pa kaluar as katër minuta, Elbasani ka shënuar për herë të dytë me anë të Abazajt, duke bërë që të heshtë “Loni Papuçiun”.

Megjithatë, trajneri Karishik i udhëzon të tijtë që të hidhen përpara dhe gradualisht, Apolonia e merr veten dhe kërkon të arrijë golin e barazpeshës. Ky gol do të vijë në minutën e 72 të nga këmbët e Arbër Dhramit, i cili ka ekzekuatuar një aksion model, të finalizuar me një gol të bukur. Pas këtij momenti duket se skuadrat sikur janë pajtuar me barazimin dhe më tepër kanë parë për të përfituar nga gabimet reciproke të njëra tjetrës.

Përfundimisht, 2 – 2 dhe Apolonia ka humbur dy pikë në shtëpinë e saj, duke bërë një hap fals dhe duke parë që dy skuadrat sipër saj, Bylis dhe Flamurtari, tashmë janë shkëputur edhe më tepër në renditje. Në të vërtetë, në këtë ndeshje fierakët kryen volum më të madh loje, krijuan edhe raste për shënim, por si përherë gabuan në konkludim, ndërkohë që edhe në mbrojtje gabuan, çka u kushtoi…

 

DEKLAROJNË…

Esad Karishik, trajner i Apolonisë: “Një ndeshje e vështirë dhe me kualitet të lartë. Ekipi ynë u mundua të eliminonte gabimet, sidomos në qendër të mbrojtjes, ku mungonte qendërmbrojtësi Shoshi, por pa ia arritur plotësisht qëllimit, mbasi dhe golat pothuajse aty i pësuam. Megjithatë, grupi i lojtarëve tregoi karakter dhe arriti të barazonte.

Me pak më shumë kujdes dhe po të shfrytëzonim si duhet rastet për shënim, duhej ta kishim fituar këtë ndeshje që, gjithsesi për nga mënyra si u zhvillua, rezultati ishte më i drejti. Kundërshtarit i uroj suksese, ndërsa ne na duhet të përgatitemi më mirë për ndeshjen e radhës që do ta zhvillojmë në transfertë me Lushnjen”.

Mirel Josa, trajner i Elbasanit: “Në përgjithësi u zhvillua një lojë e rrjedhshme nga të dyja ekipet. Nuk u rrezikuam nga Apolonia në pjesën e parë, përveç rastit të golit që erdhi nga një pozicion standart, ku lojtarët tanë duhet të markonin më mirë. Pjesën e dytë e filluam shumë më rjedhshëm lojën.

Me gabimet dhe këmbënguljen e vendasve në mesin e fushës, ne humbëm shumë topa dhe i dhamë të drejtë Apolonisë me lojtarët cilësorë që ka në sulm, të krijonte raste shënimi e të na barazonte. Është një barazim i merituar për të dyja skuadrat. I uroj Apolonisë dhe trajnerit të saj suksese në ndeshjet e ardhshme”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: