KF APOLONIA

Apolonia rikthehet te fitorja, “shfryhet” Besa

Posted on: Nëntor 16, 2008

apolonia-besa3-1juniordheleci

Fitorja e parë për trajnerin boshnjak Karishik, ndërsa kavajasit humbin shumë terren me kreun

 

 

 

 

 

Apolonia – Besa 3 – 1

Shënues: Junior 37′ (11 m), Bërkiç 58′, 64′, Mancaku 66′ (11 m)
Apolonia: Dine, Shoshi, Spaho, Mirçeta, Haxhibuliç, Kelmendi, Sreçkoviç, Meto, Asllani (Çerçizi 57′), Junior (Da Silva 71′), Bërkiç (Skënderi 85′). Trajner: E.Karishik.
Besa: Zendeli, Tetova (Mihani 43′), Xhafa, Hoxha, Leci (Veliaj 67′), Progni, Sakaj, Ishka, Kuli (Abilaliaj 46′), Mancaku, Haliti. Trajner: I.Daja.
Gjyqtarë: B.Pashaj, S.Avdo, E.Doda (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Mirçeta, Shoshi, Ishka, Zendeli
Kartonë të kuq: Ishka, Abilaliaj

 

“Radiografia”

6′ Bërkiç ka marrë një top të bukur nga Asllani, ka gjuajtur fort brenda zonës, por ka pritur Zendeli.
11′ Një zbritje e shpejtë dhe e rrezikshme e miqve kavajas. Ishka ka nxjerrë të lirë Mancakun brenda zonës, por ky i fundit është treguar i shpërqendruar dhe ka gabuar.
23′ Haxhibuliç pason saktë te Bërkiç, i cili ndodhet në pozicion të prirët me zonën, gjuan befasisht, por topi prek vetëm rrjetën e jashtme.
29′ Sulmuesi Bërkiç, një nga më aktivët në fushën e lojës, u vjedh një top mbrojtësve të Besës, depërton në zonë, por gabon në gjuajtje, duke e dërguar topin vetëm pak cm mbi traun e portës së Zendelit.
33′ Eshtë radha e kapitenit Meto, i cili ka nisur në një inkursion të bukur brazilianin Junior. Ky i fundit ndodhet në harkun e zonës së Besës, arrin të gjuajë fort, por Zendeli realizon një pritje të bukur.
37′ Sreçkoviç, i ardhur në ndihmë të sulmit, ndërmerr një aksion personal, manovron me zgjuarësi brenda zonës, del përpara portierit Zendeli, i cili e ka ndërprerë në mënyrë të parregullt dhe gjyqtari Pashaj ka akorduar 11 metërsh, të cilin e kthen në gol Junior. 1-0 për Apoloninë.
41′ Kuli shërben edhe një herë tjetër për Mancakun, i cili gjuan fort, por Dine ka treguar aftësitë e tij.
45′ Haxhibuliç pason te Bërkiç, që gjuan, por Zendeli ka neutralizuar aksionin e vendësve.
50′ Asllani ka gjuajtur nga një distancë rreth 20 metra, Zendeli pret.
54′ Progni pason tek Ishka, që gjuan në ecje e sipër, por topi përfundon mbi shtyllën traversale.
58′ Meto ka harkuar bukur në zonë për Bërkiçin. Sulmuesi serb përpunon topin, gjuan me qetësi e saktësi nga një distancë jo larg portës, duke shënuar. 2-0 për Apoloninë.
64′ Sërish Bërkiç ndërmerr një aksion personal, vërshon drejt zonës së kavajasve dhe, pasi shmang një mbrojtës, gjuan duke shënuar sërish. 3-0 për Apoloninë.
66′ Progni futet në zonë dhe pengohet në mënyrë të gabuar nga Shoshi dhe 11 metërsh për Besën, i cili kthehet në gol Mancaku. Besa ngushton distancën në 3-1.
77′ Bërkiç, në një tjetër aksion personal, arrin të gjuajë në hyrje të zonës, por Zendeli nuk ka lejuar prekjen e rrjetës këtë radhë.
86′ Haliti ka marrë një pasim nga Mancaku, gjuan fuqishëm, por Dine pret në pozicion.

 

Komenti

Apolonia e Fierit më së fundi është kthyer te fitorja, pasi agjëronte prej javësh të tëra, qysh pasi e kishte arritur për herë të fundit ndaj Partizanit. Këtë herë, fierakët kanë fituar jo vetëm me rezultat, por edhe me lojë ndaj Besës, e cila kishte ardhur në Fier me synime serioze, duke guxuar për të rrëmbyer një fitore.

Por skuadra e drejtuar tashmë nga boshnjaku Karishik nuk ka lejuar hapësira për kavajasit, ka luajtur e organizuar mirë dhe me veprime të shpejta sulmuese, duke e zënë në befasi disa herë mbrojtjen mike.

Sulmet e vendësve kanë qenë të furishme dhe me ndërtime graduale dhe, ndryshe nga herët e tjera, Apolonia nuk ka vuajtur edhe në konkretizim. Tre gola tregojnë se fierakët janë zhblokuar në njëfarë mënyre, aq sa për një moment u krijua përshtypja se do të përsëritej ndeshja e mesjavës për Kupën e Shqipërisë, ajo me Dajtin e Kamzës.

Pasi ka shënuar golin e parë përmes një penalltie, Apolonia ka shkuar e qetë në dhomat e zhveshjes, për ta filluar pjesën e dytë me më tepër kurajë. Kanë qenë disa veprime të bukura të sulmuesve vendës ato që kanë krijuar çoroditje te miqtë. Inkursionet e herëpashershme të vendësve, të ndihmuar fuqishëm nga një mesfushë punëtore dhe krijuese, i krijuan mundësinë sulmuesit Bërkiç që të godasë dy herë në mënyrë të pamëshirshme në portën e Zendelit.

Pas këtij momenti, nuk ka më episode në lojë, miqtë e shohin se kanë kapitulluar përpara një Apolonie, të cilën nuk e prisnin në një gjendje të tillë dhe kavajasit vetëm sa kanë luajtur të tensionuar, duke u ngushëlluar vetëm me një gol të shënuar nga pika e bardhë e penalltisë.

Ka pasur edhe momente të pakëndshme gjatë lojës, atëherë kur kavajasit e kanë humbur toruan dhe kapiteni i Besës, Sokol Ishka, si dhe sulmuesi tjetër i miqve Arbër Abilalilaj kanë goditur me kokë sulmuesin vendës Mlladen Bërkiç, autorin e dy golave për Apoloninë. Të dy futbollistët “kavajas” janë nxjerrë menjëherë me karton të kuq nga gjyqtari Pashaj dhe gjakrat më tej janë qetësuar.

Një fitore që e qetëson shumë Apoloninë, teksa javën tjetër do të luajë sërish në shtëpi, përballë Elbasanit, ku tashmë fierakët janë çliruar dhe pritet të marrin një tjetër fitore. Ndërsa Besa, me këtë disfatë, humbet shumë terren karshi kreut, pa harruar që një tjetër transfertë e vështirë e pret javës tjetër në Vlorë me Flamurtarin.

Deklarojnë

Esat Karishik, trajner i Apolonisë: “Ishim përgatitur siç duhet për këtë ndeshje në të gjitha aspektet dhe kishim besim se futbollistët do të shfaqnin si duhet vlerat e tyre në fushën e lojës, si dhe do të zbatonin saktë detyrat.

Dhe kështu ndodhi. Zhvilluam një lojë mjaft të mirë ndaj një kundërshtari të fortë e të vështirë dhe arritëm që kësaj here, ndryshe nga takimi me Shkumbinin, t’i finalizonim aksionet tona në drejtim të portës kundërshtare.

Ekipi ka rritje në lojën e tij, në krahasim me ndeshjen e para një jave. Arritëm vetëm një fitore, por kjo nuk do të jetë e fundit, por gjithsesi vlen shumë më tepër se tri pikë. Tashmë na duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës, që do ta zhvillojmë sërish në shtëpinë tonë, ku sërish do të kërkojmë një tjetër rezultat pozitiv. Nuk jam marrë dhe nuk do të merrem asnjëherë me gjykimin. Megjithatë, duhet thënë se ishte më i mirë se ai në ndeshjen e javës së kaluar.”

Ilir Daja, trajner i Besës: Nuk është prononcuar në konferencën për shtyp.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: