KF APOLONIA

Apolonia-Flamurtari, fqinjët ndajnë 1 pikë

Posted on: Tetor 22, 2008

Një barazim në Fier, që natyrisht kënaq më shumë vlonjatët, që ishte objektivi i tyre

Apolonia – Flamurtari 1-1
Shënues: Mirçeta 5′, Veliu 23′
Apolonia: Dine, Bedini (Elmazi 59′), Shoshi, Gega (Roshi 41′), Sreçkoviç, Mirçeta, Da Silva, Haxhibuliç (Dhrami 56′), Asllani, Kelmendi, Junior. Trajner: G.Haxhiu.
Flamurtari: Moçka, Begaj (Strati 95′), Kon, Paniç, Arifaj, Kuqi, Alvizh, Brajkoviç, Veliu (Çaushaj 81′), Pema (Mema 46′), Shehu. Trajner: S.Kovaçiç.
Gjyqtarë: K.Meta, D.Rexha (Tiranë), A.Guçe (Lushnjë)
Kartonë të verdhë: Shoshi, Kelmendi, Bedini, Arifaj
Karton i kuq: Kon

“Radiografia”

2′- K. Asllani ka dhënë sinjalin e parë në portën e Flamurtarit, teksa ka gjuajtur ngjitur me shtyllën e majtë pingule.
5′- Kelmendi ka krosuar saktë në zonë, aty është shkëputur me kokë mesfushori Mirçeta, i cili ka “përshëndetur” rrjetën e miqve. Apolonia kalon në epërsi 1-0.
6′-20′- Lojë pa shumë raste shënimi dhe më tepër e përqendruar në mesfushë. Vlonjatët janë më kërkues për të vendosur balancën dhe kanë marrë frenat e lojës në dorë.
23′- Një pasiguri e mbrojtjes fierake, e cila shfrytëzohet me mjeshtëri nga Flamurtari. Pema ka pasuar për te Veliu, i cili ka lëshuar një gjuajtje të beftë drejt portës së Dines, duke e gjetur të papërgatitur portierin fierak. Flamurtari barazon në 1-1.
27′- Janë sërish miqtë nga Vlora që kanë iniciativën e lojës në dorë. Eshtë një gabim i Gegës, që i jep mundësi Shehut të futet brenda zonës dhe ta shfaqet i vetëm përballë Dines, i cili ka ndërhyrë me këmbë.
29′- Rrëmujë në zonën e Flamurtarit. Asllani rrëzohet në zonë, por loja vazhdon. Haxhibuliç përfiton nga ngurrimi i mbrojtjes mike, por ka qenë portieri Moçka që ka zgjidhur situatën e vështirë.
31′ Sreçkoviç kroson në zonë, por topi është prekur me dorë nga Pema. Gjyqtari Meta akordon 11-metërsh për fierakët. Nga pika e bardhë ka ekzekutuar kapiteni Shoshi, i cili godet shtyllën traversale.
36′ Kelmendi ka gjetur të zbuluar në qendër Asllanin, i cili gjuan nga rreth 20 metra, por jashtë kuadratit.
37′- Pema ka dalë i vetëm përballë Dines, por është nxituar në konkludim dhe ka gjuajtur jashtë.
40′- Shehu është zbuluar bukur në zonë, shmang dhe Gegën, por Dine ka bërë mrekullinë, teksa e grushton topin në goditje këndi.
45′- Arifaj kroson në zonë, sërish është Shehu që ka gjuajtur me kokë, një top që kalon mbi traun e portës vendëse.
46′- Begaj ka vërshuar nga krahu i majtë i sulmit të vet, shmang dy mbrojtës fierakë, gjuan nga rreth 20 metra distancë dhe topi përplaset në traversë.
54′- Krosi i Veliut në zonë ka gjetur të zbuluar Shehun. Ky i fundit gjuan me kokë dhe topi kalon ngjitur me shtyllën traversale, duke pasur dhe shoqërimin e Dines me sy.
58′- Goditje dënimi për Flamurtarin në harkun e distancës rreth 25 metra. Gjuan Veliu dhe topi shkon drejtpërdrejt në duart e Dines.
63′- Mema ka shmangur mbrojtësin Elmazi, futet në zonë dhe rëzohet në duart e portierit Dine, duke pretenduar për 11-metërsh, por gjyqtari Meta ka vazhduar lojën.
65′- Pema është i vetëm me Dinen, por ka bërë më të vështirën, teksa ka gjuajtur jashtë.
79′- Dhrami ka krosuar në zonë, Asllani zhytet me kokë dhe kur topi po i drejtohej rrjetës, ka ndërhyrë portieri Moçka.
88′- Një e djathtë e fuqishme e Dhramit në pozicion të prirët me portën, por Moçka ka bërë mrekullinë.
94′-95′- Janë dy raste të njëpasnjëshme të Asllanit. Në rastin e parë bllokohet në gjuajtje nga mbrojtja, ndërsa në të dytin ka kryer një roveshatë të bukur, që ka “përkëdhelur” shtyllën e majtë pingule të portierit vlonjat.

Komenti

Apolonia nuk ka mundur dot të shkojë më tepër se një barazim në ndeshjen me Flamurtarin, duke sfumuar një mundësi të mirë për të fituar pikë dhe për t’u ngjitur në shkallët e renditjes. Ka qenë një ndeshje ku skuadra mike ka diktuar pjesën më të madhe të lojës dhe ka qenë më e rrezikshme në aksionet e saj sulmuese, gjatë të cilave Pema, Mema dhe sidomos Shehu kanë shkaktuar panik të vazhdueshëm te mbrojtja vendëse.

Megjithatë, Apolonia ka qenë fare pranë fitores, por kapiteni Shoshi ka gabuar nga pika e bardhë e penalltisë, teksa ka goditur traun e portës së Moçkës. Pas shënimit të shpejtë të golit, u krijua përshtypja se Apolonia do të dominonte dhe do të vinte nën kontrollin e saj gjithçka. Por Flamurtari ka reaguar mjaft mirë, duke qenë tepër këmbëngulës për të arritur golin e barazimit, i cili do të vijë në minutën e 23-të nga ana e Veliut.

Duhet theksuar madje se edhe pas golit të barazimit, vlonjatët do të kenë sërish në dorën e tyre iniciativën, duke rrezikuar drejt golit të dytë. “Zgjimi” i fierakëve do të vijë gradual, por i sigurt dhe frytdhënës. Në minutën e 31-të Shoshi ka pasur në dorë fatin e lojës, por gjuajtja e tij ka gjetur vetëm shtyllën traversale të vlonjatëve.

Duket se ky rast i demoralizon fierakët dhe u jep më tepër kurajë miqve. Loja është ndërprerë në mesin e pjesës së dytë, pasi ka pasur pak tension në fushë. Gjatë kësaj kohe ka qenë i dëmtuar Haxhibuliç dhe gjyqtari ka vazhduar lojën duke mos e vënë re këtë fakt. Më pas është ndërprerë loja, por ka pasur dhe tension, sidomos nga shkallët e stadiumit, ku duhet thënë se nuk mund të dalloje dot nëse ndeshja zhvillohej në Fier apo Vlorë, për shkak të numrit të madh të tifozërisë vlonjate të ardhur.

Ndërkohë është goditur me shishe plastike gjyqtari anësor Denis Rexha dhe kjo ka shkaktuar dhe vonesën prej 8 minutash. Nuk mund të thuhet se prej cilës tifozëri mund të jetë iniciuar ky incident, pasi siç e theksuam më lart, të dyja palët kanë qenë të shumta në numër. Më pas, çdo gjë i është kthyer normalitetit.

Mesfusha vendëse nuk është në ditën e saj më të mirë, ndërsa në sulm nuk ka shumë qartësi në veprime edhe në ato pak raste të paraqitura. Flamurtari ka ditur ta ruajë me fanatizëm pikën e marrë, edhe pse për gati 10 minutat e fundit të takimit ka luajtur me 10 futbollistë, për shkak se Kon del me karton të kuq, pas një ndërhyrjeje të parregullt në dëm të Asllanit. Nga ajo çka u zhvillua në fushën e lojës, barazimi ka qenë rezultati më i drejtë.

Deklarojnë:
Gerti Haxhiu, trajner i Apolonisë:

“Ndeshja ka qenë e vështirë dhe kjo jo vetëm nga pozicioni gjeografik. Më duhet të deklaroj se ka pasur jo pak fryrje nga media për mbarëvajtjen e këtij takimi, përmes asaj që është trumbetuar para ndeshjes. Gjithashtu, dua të bëj një apel ndaj FSHF-së apo dhe institucioneve të tjera që kanë lidhje me futbollin e t’u kujtoj se kompanitë e basteve po prishin imazhin e futbollit.

Nëse do t’i kthehemi ndeshjes, kemi zhvilluar gjysmën e pjesës së parë të mirë, por më vonë jemi goditur nga Flamurtari. Arritëm të krijonim sërish epërsinë, por fati nuk deshi ta konkretizonim me gol në rastin e penalltisë. Nuk jam i kënaqur jo për mosmarrjen e tripikëshit, por për mosshfaqjen e mundësive tona reale. Megjithatë, një pikë ndaj Flamurtarit nuk mund të konsiderohet rezultat i keq.”

Sllavko Kovaçiç, trajner i Flamurtarit:

Nuk u paraqit në konferencën për shtyp.

Të veçanta:
– Në tribunën “VIP” kanë qenë të pranishëm çifti Kokëdhima, presidenti i Apolonisë, Endri Puka, presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, etj.
– Tifozët e Apolonisë kanë shpalosur një flamur me ngjyrë të gjelbër, ku shkruhej: “Apolonia-green boys!”
– Pas humbjes së 11-metërshit në minutën e 31-të, Shoshi ka hequr shiritin e kapitenit nga krahu dhe ka dashur të dalë nga fusha e lojës. Ka qenë ndërhyrja e drejtuesve të Apolonisë, si dhe përkrahja e fuqishme e tifozërisë fierake që ka thirrur në kor emrin e tij dhe futbollisti ka vazhduar të jetë pjesë e ekipit, duke qenë një nga më të mirët në fushë.
– Në minutën e 81-të në fushën e lojës është futur Çaushaj, i cili ka zëvendësuar Veliun. Gjyqtaria ka nxjerrë numrin 17 për t’u futur në fushë, ndërkohë që Çaushaj mbante në shpinë numrin 15.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Tetor 2008
H M M E P S D
« Sht   Nën »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: