KF APOLONIA

Teuta, fitorja e parë vjen në javën e gjashtë

Posted on: Tetor 4, 2008

Durrsakët më në fund janë zhbllokuar, ndërsa Apolonia bie “me këmbë në tokë”

Teuta – Apolonia 2 – 1
Shënues: Hysa 11′, Jakupi 32′, Bërkiç 70′
Teuta: Vashaku, Dushku, Jakupi, Imeraj, Ahmeti, Gjondeda, Dosti (Buna 58′), Muçollari (Qorri 70′), Vila, Hysa, Mile (Malo 64′). Trajner: S.Starova.
Apolonia: Dine, Shoshi, Spaho (Bërkiç 23′), Sreçkoviç, Bedini, Kelmendi, Haxhibuliç (Junior 53′), Meto, Mirçea, Da Silva, Dhrami (Çerçizi 46′). Trajner: G.Haxhiu.
Gjyqtarë: S.Jareci, E.Biçaku, G.Qirici (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Meto, Gjondeda, Malo, Buna

“Radiografia”

3′ Sulmuesi Hysa shkëputet i vetëm në zonën kundërshtare nga e djathta dhe pranë portës ka gjuajtur pak mbi traversë.
10′ Imeraj nga e djathta kroson rrezikshëm në zonë dhe Mile realizon me zgjuarësi një finte, duke e lënë topin t’i shkonte Hysës së zbuluar, që pranë portës, ka shënuar me kokë. 1 0 për Teutën.
22′ Goditje dënimi nga e djathta nga 25 metra distancë, ku Ahmeti harkon bukur në zonë dhe Dine me vështirësi grushton topin.
24′ Mirçea, në pozicion ballor, nga 30 metra distancë, godet fort, por pret në pozicion Vashaku.
32′ Tjetër goditje dënimi për durrsakët nga e djathta në pozicionin e preferuar të Ahmetit, që përsëri kroson rrezikshëm në zonë, portieri Dine nuk arrin ta mbërthejë topin dhe Jakupi pranë portës e kalon topin në rrjetë. 2 0 për Teutën.
41′ Da Silva, në ecje e sipër, ka shkarkuar fort të djathtën nga 30 metra distancë, duke goditur traversën.
63′ Goditje dënimi për Teutën nga e majta, në pozicion të prirët, dhe Buna godet rrezikshëm pak mbi traun e portës së Dines.
70′ Goditje dënimi për Apoloninë në hyrje të zonës durrsake nga e majta e sulmit fieak. Bërkiç ekzekuton në mënyrë perfekte, duke shënuar një gol të bukur, duke e dërguar topin në trekëndëshin e djathtë të Vashakut. Apolonia ngushton distancën në 2-1.
71′ Meto kroson rrezikshëm brenda zonë, nga krahu i majtë, por Çerçizi nuk arrin të godasë vetëm një metër larg portës së boshatisur.
80′ Goditje dënimi nga 25 metra distancë për durrsakët dhe përsëri Buna rrezikon, duke goditur në ekstremin e shtyllës së djathtë të Dines, por ky i fundit ka grushtuar, duke e dërguar topin në goditje këndi.

Komenti

Teuta ka marrë 3 pikë të arta përballë një Apolonie, që tregoi dhe një herë se është një ekip që mund të quhet pa frikë surpriza e këtij kampionati. Një fitore e mundimshme e durrsakëve, të cilët më së fundi janë zhbllokuar jo vetëm në drejtim të golave, por edhe rezultatit. Një fitore që i largon nga fundi i tabelës, duke i orientuar drejt mesit të tabelës së klasifikimit. Teuta ka marrë tri pikët e para në “Tofik Jashari” të Shijakut. Pas disa barazimeve, durrsakët mundin Apoloninë, duke arritur kështu në kuotën e 6 pikëve. Durrsakët kanë zhvilluar një lojë të mirë në pjesën e parë ndaj Apolonisë, e cila nuk është përshtatur mirë me terrenin e stadiumit. Në pjesën e dytë, sidomos pas pësimit të golit, Teuta ka vuajtur shumë në ruajtje të rezultatit dhe tri pikëve, ndërkohë që Apolonia e ka vënë në vështirësi Teutën në pjesën e dytë.

Pjesa e parë ka nisur e vrullshme për Teutën dhe që në minutën e dytë është Hysa që rrezikon portën fierake, ku në një inkursion personal brenda zonës ka goditur pak mbi tra. Apolonia gjendet nën presion dhe sulmet durrsdake shtohen derisa goli vjen që në minutën e 11-të, ku Imeraj kroson brenda zonës dhe Hysa është zhbllokuar, duke shënuar për durrsakët. Reagimi i Apolonisë është shumë i vakët, por ekipi fierak me një gjuajtje nga distanca mund të ndëshkonte durrsakët. Teuta e shton përsëri presionin në portën kundërshtare dhe me anë të krosimeve të rrezikshme të Ahmetit ka arritur një tjetër gol, ku finalizues është Jakupi. Ndeshja duket e mbyllur dhe Apolonia e shthurrur kryen edhe një gjuajtje tjetër me anë të Da Silvës, që përplaset në traversë.

Pjesa e dytë fillon me një Teutë të qetë në mbrojtje të fitores dhe me një Apoloni që nuk ka çfarë të humbasë dhe hidhet në sulm, por pa krijuar rrezikshmëri. Vetëm në minutën e 70-të është Bërkiç me një ekzekutim perfekt të një goditjeje dënimi, që ka drithëruar durrsakët, që tashmë janë në panik. Apolonia ka momentin më të mirë, por nuk arrin të sulmojë si duhet. Dalëngadalë durrsakët e rimarrin veten dhe mbrojnë rezultatin deri në fund të takimit, duke marrë tri pikë shumë të vlefshme dhe duke arritur, përveç tri pikëve, të shënojë edhe dy gola, duke zhbllokuar kështu situatën e sulmit, që nuk finalizonte si duhej. Tashmë, ashtu siç tha edhe trajneri Starova, durrsakët u shpërblyen për lojërat e tyre të mira në disa ndeshje radhazi, në një kohë që trajneri Haxhiu, që në ndeshjen e kaluar orientoi ekipin në fitoren me Partizanin, do ta komentonte humbjen me mospërshtatjen me terrenin dhe gabimet në momentet e shënimit të golave. Por për Teutën, pas kësaj buzëqeshjeje, vjen një ndeshje shumë e vështirë në transfertë, teksa do t’i duhet të përballet me Elbasanin pretendent. Ndërsa Apolonia do t’i besojë fushës së saj në përballjen me Flamurtarit, ku pritet njëkohësisht edhe reagimi i fierakëve.

Deklarojnë:

Sulejman Starova, trajner i Teutës:
“Ishte një fitore e shumë kërkuar, që më së fundi e morën ndaj një kundërshtari dinjitoz. Kemi luajtur mirë dhe jemi shpërblyer kundrejt një kundërshtari të cilin e kishim vlerësuar jo vetëm për pikët që ka në këtë kampionat deri tani, por edhe për paraqitjen që ka bërë. Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë, ku edhe kemi finalizuar dy herë, ndërsa pjesën e dytë e prisnim reagimin e Apolonisë dhe jemi munduar të administrojmë lojën, por kemi gabuar dhe lojtarët kanë qenë pak në panik në momentin e pësimit të golit. Megjithatë, kemi ditur të marrim veten dhe të menaxhojmë rezultatin, duke fituar dhe duke u shpërblyer për lojërat e mira që kemi bërë.”

Gert Haxhiu, trajner i Apolonisë:
“Do ta pranoja humbjen nëse do të na mundte skuadra kundërshtare, por në fakt ne kemi mundur vetveten. Përveç faktit që nuk jemi përshtatur menjëherë me terrenin, i cili nuk ka qenë vërtet i përshtatshëm, kemi bërë edhe dy gabime në pjesën e parë, që na ndëshkuan. Në pjesën e dytë kemi luajtur mirë, por nuk arritëm të barazojmë, pasi lojtarët tanë nuk arritën të përqendrohen sa duhet, prandaj them se ekipi funksionon mirë, por na duhet përqendrim në momente të veçanta.”

Të veçantat:

– Teuta arrin fitoren e parë, duke shënuar më shumë gola se që nga fillimi i kampionatit.
Në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut, përveç personaliteteve të fushave të ndryshme, ka qenë edhe artisti Ardit Gjebrea.
Ndeshja është zhvilluar në një kohë të ngrohtë e me diell, në një kohë që gjatë paraditës koha ka qenë me shi të rrëmbyeshëm dhe e ftohtë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Tetor 2008
H M M E P S D
« Sht   Nën »
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  
Këtë e pëlqejnë %d blogues: