KF APOLONIA

Apolonia “ekzekuton” Partizanin e panjohur

Posted on: Shtator 29, 2008

Fierakët kanë dominuar ndaj formacionit të kuq duke e nxjerrë atë jashtë pretendimeve për titullin kampion

Partizani – Apolonia 0-1
Shënues: Asllani 34′

Partizani: Shehi, Hallaçi, Pinari, Tafaj, Gjyla, Kastelani (Kalari 46′), Babamusta (Ahmetaj 58′), Capo, Karapici, Roma (Karabeci 73′), Bruno. Trajner: H.Lika
Apolonia: Dine, Elmazi, Shoshi, Gega, Sreçkoviç, Meto, Kelmendi (Spaho 62′), Da Silva, Mirçeta, Dhrami (Bratja 75′), Asllani (Skënderaj 54′). Trajner: G.Haxhiu
Gjyqtarë: A.Janku, A. Pregja (Tiranë), F. Lama (Durrës)
Kartonë të verdhë: Shoshi, Meto, Asllani

“Radiografia”

1′- Capo shërben për Romën, që në hyrje të zonës gjuan, por pret Dine.
3′- Dhrami godet diagonalisht, por topi kalon mbi traun e portës së mbrojtur nga Shehi.
24′- Meto tregohet shumë individualist, pasi në hyrje të zonës kryen disa veprime me topin dhe gjuajtjen e tij e devijon mbrojtja.
34′- Dhrami kombinon me Asllanin, që ndodhet në të djathtë të sulmit. Sulmuesi e kontrollon bukur topin, hyn në zonë, gjuan tokas, por portieri Shehi, në kundërkohë, gabon dhe topi, që përplaset te këmbët e tij, përfundon në rrjetë. 0-1 për fierakët.
35′- Karapici, nga e djathta, lëshon në top në zonën mike dhe është Hallaçi që godet me kokë, por jashtë.
52′- Capo provon nga larg dhe pret Dine pa vështirësi.
53′- Kundërpërgjigjen fierakët me Dhramin, por gjuajtja e tij ndalohet nga portieri Shehi.
66′- Skënderaj humbet një rast të pastër për miqtë, pasi brenda zonës së kuqe shmang një mbrojtës dhe i vetëm me portierin Shehi heziton dhe është ky i fundit që e largon rrezikun.
72′- Capo gjuan fort nga distanca, por topi përfundon pak centimetra ngjitur me shtyllin pingule të portës së Dines dhe jashtë.
90′- Është Meto për miqtë që ka mundësi të shënojë, por përsëri kapiteni fierak nuk di të realizojë.

Komenti

Përballja e djeshme midis Partizanit dhe Apolonisë ka treguar se sa vlejnë nënkampionët e sezonit të shkuar. Dje, në tempullin e futbollit shqiptar, në stadiumin “Qemal Stafa”, Partizani është shpërfytyruar, pasi këtij emri të madh i ka mbetur vetëm fanella, e cila është katandisur si mos më keq. Apolonia fitoi me meritë 1-0 ndaj të kuqve, por ky rezultat nuk duhet konsideruar surprizë. Me atë që ka treguar dje Partizani mund të thuhet se janë mbyllur përfundimisht shpresat e të kuqve për të fituar titullin kampion. Madje të kuqtë duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, pasi janë pozicionuar në zonën e ftohtë që të gremis një kategori më poshtë. Thuhet se Partizani nuk është në krizë, por në rindërtim. Por nëse kullës së kuqe nuk i vihet shpejt çatia, ka mundësi që shirat e vjeshtës të bëhen pengesë në rindërtimin e duhur të Partizanit. Ndaj Apolonisë, djemtë e trajnerit Lika nuk dhanë asgjë në fushën e lojës, madje gjatë gjithë 90-minutëshit ishin konfuzë në veprimet e tyre. Dje Partizani ka çaluar i gjithi, duke filluar nga porta dhe përfunduar te sulmi. Humbja e të kuqve mund të ishte edhe më e thellë nëse fierakët do të kishin ruajtur qetësinë para portës së Partizanit. Duhet thënë se në këtë takim të dy ekipet u munduan të krijojnë raste, por fierakët ishin më të rrezikshëm në veprimet e tyre, ndërsa të kuqtë godisnin sa për të kaluar radhën.

Pjesa e parë përfundoi me fitoren e Apolonisë, ku goli u shënua nga kuçovari Klodian Asllani. Në pjesën e dytë trajneri Lika bëri tri zëvendësimet e mundshme, por përsëri skuadra nuk reagoi si duhet dhe gjithçka mbyllet me fitoren e miqve. Dje Partizani ishte totalisht i panjohur dhe nuk ka më keq se kaq për të kuqtë, pasi në pesë javë kanë grumbulluar 4 pikë. Por, përtej disfatës së kuqe, nuk duhet anashkaluar triumfi fierak, që erdhi pas një loje bindëse. Apolonia e nënshtroi Partizanin në çdo sektor të fushës dhe nuk e diskutoi për asnjë moment fitoren. Dominim total i jeshilëve fierakë, që treguan rritje në lojën e tyre, ndonëse edhe në këtë përballje, shpërdoruan mjaft raste përpara portës së Shehit, i cili e shpëtoi skuadrën e tij nga një humbje me shifra dramatike. Trajneri Haxhiu rreshtoi një formacion në gjendje për të asfiksuar manovrën e Partizanit dhe ia doli mbanë të çonte në këmbë një kundërsulm të rrezikshëm, që në jo pak raste ia doli mbanë të vinte në alarm Partizanin. Apolonia ngjitet në kuotën e shtatë pikëve dhe premton të grumbullojë edhe më gjatë kampionatit.

Deklaruan:

Hasan Lika, trajner i Partizanit: “Kemi marrë një humbje në një moment jo të mirë për skuadrën, pasi kërkonim të zhvillonin një ndeshje të mirë dhe ta kalonim me sukses. Mendoj se në harkun e 90 minutave gjërat nuk funksionuan mirë, pasi luajtëm me hope dhe patëm shumë probleme. Ndaj Apolonisë kemi çaluar në shumë drejtime, kemi kërkuar të përmirësojmë lojën, por sot kemi pasur probleme në lojën mbrojtëse, në aspektin e organizimit të lojës, gjë të cilën e shfrytëzoi kundërshtari. Pavarësisht ndonjë mundësie të turbullt për barazim, gjithsesi mendoj se kemi zhvilluar një lojë jo të mirë.”

Gerti Haxhiu, trajner i Apolonisë: “Në këto javë të fundit, pavarësisht rezultateve, si ndaj Vllaznisë dhe Tiranës, kemi zhvilluar lojëra të mira dhe shpresoja që ndaj Partizanit me pak fat të merrnim një rezultat të kënaqshëm. Asnjëherë nuk i kam vënë në dyshim vlerat e skuadrës sime. Të fitosh në “Qemal Stafa” kundër Partizanit nuk është pak, pavarësisht situatave që po kalon kundërshtari. Kjo fitore na jep pak siguri pikësh, por jo siguri për punën, pasi fatmirësisht jemi i vetmi klub që nuk kemi asnjë lloj presioni si nga tifozët dhe drejtuesit, kështu që kemi punuar në qetësi të plotë gjatë gjithë javës.”

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: