KF APOLONIA

Apolonia: “Kemi akoma dhe shumë për të bërë”

Posted on: Shtator 3, 2008

Edhe pse ka ardhur nga kategoria e parë, skuadra fierake është një hap me pretendentët

Një fillim që ndoshta as vetë fierakët nuk e kanë menduar si të tillë. Pas javës së dytë të superligës, Apolonia ndodhet në grupin e kryesuesve të kampionatit, me plot 4 pikë të grumbulluara, ashtu si dhe pretendentët e njohur, Dinamo, Vllaznia, Elbasani dhe Tirana. E drejtuar mjeshtërisht nga trajneri Haxhiu, i cili bën pjesë në plejadën e emrave të rinj premtues, tepër këmbëngulës dhe rezultativ të trajningut shqiptar, Apolonia ka arritur një fitore të pastër përballë një Lushnjeje aspak të lehtë. Përveç rezultatit, skuadra fierake ka dominuar në lojë dhe në strategji. Mbi të gjitha, Apolonia është treguar autoritare në fushë dhe nuk ka lejuar asnjë moment lëshimi apo komprometimi ndaj një skuadre që ishte gjithmonë në përgjim dhe e gatshme për të goditur në rastin më të volitshëm. Dy blerjet e reja të lushnjarëve, që kanë qenë dhe shpresa e tyre për këtë takim, Sisoko dhe Bokotola, janë mekur tërësisht përballë mbrojtjes së kujdesshme dhe të pakalueshme të Apolonisë. Krejt ndryshe nga debutimet lushnjare është paraqitur Asllani, ndoshta goditja më e spikatur e Apolonisë në këtë merkato. “Gjahtarit” të sprovuar të portave kundërshtare i kanë mjaftuar vetëm 12 minuta lojë për të treguar se e ka të qartë misionin e tij tek Apolonia: goli është “gjuha” me të cilën Asllani di të komunikojë më mirë. Pas këtij fillimi lirues, e kanë pasur radhën të tjerët për të treguar vlerat e tyre dhe për të qenë protagonistë. Numri 6 i Apolonisë, Mariglen Shoshi, po konfirmon nga java në javë rritjen dhe pjekurinë e tij, duke qenë një nga mbrojtësit më të mirë që ka aktualisht kampionati shqiptar. Asnjë gjysmë hapi i hedhur kot, i pakalueshëm, gjithmonë i saktë, i qetë dhe i papërsëritshëm. Gjithmonë e më shumë, qendërmbrojtësi fierak po i lëshon sinjale të qarta dhe të lexueshme trajnerit të kombëtares sonë, Ari Han, i cili duhet të jetë i vëmendshëm ndaj këtij lojtari. Një tjetër pikë e fortë e Apolonisë në këtë takim ka qenë edhe kapiteni Agim Meto, gjithmonë i lëvizshëm e punëtor, duke vrapuar sa në krah, aq edhe në qendër dhe duke u bërë frymëzues dhe “gatues” i rasteve për lojtarët e sulmit. Kapiteni fierak ka shprehur gjithashtu një formë fizike të shkëlqyer gjatë gjithë ndeshjes. Nuk mund të mbetet jashtë vëmendjes edhe sulmuesi Arbër Dhrami, i cili kërkon të bindë se ka premisat e një goleadori dhe se golat e tij në sezonin e kaluar nuk kanë qenë një rastësi. Prova më e qartë për këtë është goli i tij “vrasës”, pasi kishte vetëm 4 minuta që ishte futur në fushën e lojës. Por mbi të gjitha Apolonia ka funksionuar siç duhet në grup, duke e perfeksionuar forcën e saj të kolektivitetit. Loja dhe rezultatet e fierakëve në dy javët e para të këtij kampionati flasin vetë, por trajneri Haxhiu tregohet i kujdesshëm ndaj efektit “eufori” dhe njëherësh kërkon të motivojë futbollistët e tij, teksa thotë: “Kemi akoma edhe shumë për të bërë. Ka vend për përmirësime.” Duke parë një shfaqje të tillë të Apolonisë, pas ndeshjes presidenti i Apolonisë, Endri Puka, do të deklaronte përmes entuziazmit: “Jemi në rrugë të mbarë!”. Nëse Apolonia do ta ruajë ritmin e kryesuesve apo jo, këtë do ta dëshmojnë javët në vazhdim. Dhe java e tretë është një tjetër provë për fierakët, teksa do të luajnë në transfertën e vështirë të Shkodrës, ndaj një Vllaznie tepër ambicioze në këtë kampionat.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: