KF APOLONIA

Apolonia, njësoj me hapin e pretendentëve

Posted on: Shtator 1, 2008

Fierakët fitojnë derbin myzeqar, duke qenë risia e kampionatit. Lushnja pa asnjë pikë

Apolonia – Lushnja 2-0
Shënuesit: Asllani 12′, Dhrami 67′

Apolonia: Dine, Spaho, Shoshi, Bedini, Sreçkoviç, Haxhibuliç, Meto, Da Silva (Skënderaj 29′), Mirçeta, Bërkiç (Dhrami 63′), Asllani (Guri 56′). Trajner: G.Haxhiu.
Lushnja: Spaho, Dhima (Topi 46′), Xhafa, Ndoni, E.Çela, G.Çela (P.Arbri 46′), G.Arbri, Sekseri, Koreshi, Sisoko, Bokotola (Bubeqi 53′). Trajner: S.Malko.
Gjyqtarë: E.Dobi (Durrës), E.Miho (Durrës), F.Elezi (Durrës)
Kartonë të verdhë: Bedini, Shoshi, Bërkiç, G.Arbri, Sisoko, P.Arbri

“Radiografia”

3′- Bërkiç fiton një goditje dënimi në krahun e djathtë të sulmit fierak. Ekzekuton Haxhibuliç, por Spaho është treguar vigjilent.
5′- Sërish serbi Bërkiç bëhet iniciator. Lëshon një kros në zonë dhe aty kapiteni Meto ka zbuluar Haxhibuliçin, i cili nuk ka ditur të përfitojë siç duhet.
10′- Asllani kroson nga e majta dhe Meto ka lëshuar një goditje të bukur me kokë, që kalon ngjitur me shtyllën traversale.
12′- Eshtë serbi Mirçeta, i cili ka hedhur një top në zonë dhe aty Asllani ka treguar aftësitë e tij si goleador, duke bërë debutimin më të mirë me fanellën e Apolonisë. 1-0 për Apoloninë.
17′- Zbritja e parë e lushnjarëve. Koreshi ka pasuar te Ndoni dhe gjuajtja e tij është pritur nga portieri Dine.
20′- Një kros i ardhur nga Dhima ka gjetur në pozicion E.Çelën, që ka gjuajtur në mënyrë të menjëhershme një top që kalon ngjitur me shtyllën e majtë pingule të portës fierake.
25′- Asllani ka shmangur dy futbollistë lushnjarë dhe ka nisur Mirçetën, i cili ka gjuajtur mbi shtyllën traversale.
27′- Sisoko provon me një gjuajtje nga distanca, por shumë larg kuadratit të Dines.
30′- G.Çela ka kërkuar të befasojë portierin e Apolonisë me një harkim, por çdo gjë kalon pa rrezik.
35′- Kombinimi i dyshes serbe Haxhibuliç-Mirçeta është mbyllur me gjuajtjen e dobët të këtij të fundit.
36′- Inkursion i bukur i Koreshit, i cili pasi ka shmangur tre futbollistë fierakë, ka gjuajtur bukur me të majtën, por Dine është treguar i vëmendshëm dhe ka neutralizuar gjithçka.
39′- Sekseri ka lëshuar një goditje të fuqishme nga jashtë zonës dhe Dine përcjell në goditje këndi.
48′- Meto lëshon një kros nga e djathta dhe aty serbi Bërkiç ka dhuruar spektakël, duke kryer një roveshatë, që “qeth” shtyllën traversale.
58′- Bubeqi i është vjedhur bukur mbrojtjes fierake dhe ka gjetur një rreze për të goditur, duke rrahur shtyllën e djathtë pingule të Dines.
65′- G.Arbri ka lëshuar një gjuajtje në formë krosi nga rreth 20 metra dhe Dine ka larguar në korne.
66′- Skënderaj ka pasuar saktë në zonë dhe Guri për pak sa nuk dyfishon rezultatin.
67′- Dhrami ka nxjerrë nga arsenali i tij një goditje të kalibruar me të majtën e tij dhe topi ka pushuar në rrjetë. 2-0 për Apoloninë.
71′- Skënderaj ka bërë më të vështirën, teksa është treguar egoist dhe i ka dhuruar topin portierit lushnjar.
73′- Gjuajtja e Gurit evitohet përmes një grushtimi nga portieri Spaho.
84′ G.Arbri provon me një gjuajtje ballore dhe Dine ka pritur në dy kohë.
92′- Sisoko ka gjuajtur fort me të majtën dhe topi është grushtuar nga Dine.

Komenti

Apolonia ka arritur një fitore të bukur në stadiumin e saj, përballë një Lushnjeje që ka treguar temperament loje dhe karakter sportiv. Në përgjithësi, mund të thuhet se ndeshja ka qenë e ekuilibruar, me një epërsi të lehtë të fierakëve, të cilët janë treguar më racionalë dhe më konkretë në rastet e paraqitura. Pas shënimit të golit të parë nga Asllani, Apolonia ka ditur ta administrojë siç duhet rezultatin, duke u mbrojtur me kujdes, por duke mos harruar edhe sulmin. Sulmi lushnjar ka qenë i pafuqishëm përballë sigurisë dhe formës së shkëlqyer të një mbrojtjeje, e cila ka lider të padiskutueshëm Mariglen Shoshin, më i miri në fushën e lojës së bashku me kapitenin Meto. Në pjesën e parë Apolonia nuk ka djersitur aq shumë për të mbrojtur avantazhin e krijuar nga goli i Asllanit, pasi duhet thënë se edhe dy përforcimet e lushnjarëve, Sisoko e Bokotola, ka qenë në një ditë të errët.
Pjesa e dytë do të fitojë të tjera ngjyra dhe më tepër emocion. Trajneri Malko kërkon të rikuperojë në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë dy zëvendësime qysh në fillimin e kësaj pjese, duke hedhur në fushën e lojës P.Arbrin dhe Bubeqin, duke përforcuar kësisoj vijën e parë të sulmit. Por edhe fierakët kundërpërgjigjen dhe vijojnë të jenë të kujdesshëm. Haxhiu ka larguar Asllanin dhe Bërkiç, duke u dhënë hapësira Gurit dhe Dhramit. Pas shtyllës së Bubeqit, vjen përgjigjja e rrufeshme e fierakëve. Arbër Dhrami, kryegoleadori i Apolonisë për sezonin e kaluar, ka treguar se vazhdon ta gjejë me lehtësi rrugën e rrjetës. Vlonjati ka shënuar pas vetëm katër minutash që ishte futur në fushën e lojës. Edhe pas këtij rezultati duhet thënë se lushnjarët sërish janë përpjekur, duke mos u pajtuar, por ekipit të Malkos me sa duket do t’i duhet ende kohë për të funksionuar siç duhet. Loja ka pasur emocione deri në fund të takimit, por shifrat e minutës së 67-të nuk kanë ndryshuar. Kësisoj, Apolonia ka korrur një fitore që e ka ngjitur në kuotën e katër pikëve dhe për më tepër, është krijuar një lloj vazhdimësie. Për të ecur në këtë rrugë, kësaj skuadre do t’i duhet të përsërisë Elbasanin, në një ndeshje të vështirë në Shkodër përballë Vllaznisë vendëse, por deri atëherë trajneri Haxhiu ka kohë të mjaftueshme në dispozicion. Ndërsa lushnjarëve do t’u duhet më tepër punë, ku lojës së zhvilluar t’u bashkangjitet edhe rezultati.

Deklarojnë:

Gert Haxhiu, trajner i Apolonisë: “Në përgjithësi jam i kënaqur nga ekipi dhe nga loja e zhvilluar. Kishim përballë një skuadër që ka qenë një nga rivalet tona tradicionale më të ashpra. Nuk mund të quhet pak fitorja me shifrat 2-0 ndaj një Lushnje që ka futbollistë mjaft cilësorë. Në pjesën e dytë morëm masat e duhura, pasi e dinim që ata do të kërkonin me këmbëngulje barazimin. Megjithatë, ia dolëm, por kjo s’do të thotë se gjërat shkojnë ashtu siç duhet. Futbollistët serbë akoma nuk janë në 100% të kondicionit të tyre fizik, gjë që shpresoj ta arrijnë shumë shpejt. Na mbetet shumë për të bërë për të ruajtur këtë fillim të mbarë që kemi bërë.”
Sajmir Malko, trajner i Lushnjës: Nuk u prononcua në konferencën për shtyp.

Të veçanta

– Në tribunën VIP ndodheshin një sërë personalitetesh, si Koço Kokëdhima, presidenti i Apolonisë, Endri Puka, kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, etj.
– Tifozët fierakë kanë shpalosur në tribunën përballë një flamur gjigant, në të cilin ishte shkruar: “Ultrasit fierakë”.
– Binte në sy gjithashtu edhe një tjetër banderolë e vendosur në pjesën e tribunës anësore, ku shkruhej: “Respektoni dinjitetin e kundërshtarëve!”
– Tre futbollistë kanë debutuar në këtë ndeshje: Asllani për Apoloninë dhe Sisoko e Bokotola për Lushnjën.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: