KF APOLONIA

Presidenti i Nderit të Apolonisë, Koço Kokëdhima, ka vlerësuar figurën e futbollit fierak

Eshtë zhvilluar në mjediset e bashkisë së qyteit të Fierit një takim i jashtëzakonshëm i asamblesë së aksionerëve të sportklub Apolonisë. Qëllimi kryesor i kësaj mbledhjeje ishte përcaktimi i veprimtarive dhe aktiviteteve që do të zhvillon në nderim të figurës së shquar të futbollit fierak, Kujtim Majacit, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Për të nderuar këtë figurë të futbollit fierak, njeriun që mbajti peshër për vite me radhë tribunën e stadiumit të fierit dhe jo vetëm, asamblea vendosi ngritjen e një muzeu, ndërtimin e një statuje dhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme. “Kujtim Majaci është një emër i madh në qytetin tonë. Eshtë një emër i madh për sa i përket sportit dhe personalitetit. Majaci vlerësohet për virtytet që ai manifestoi në jetë, ndershmërinë, karakterin, besnikërinë, fisnikërinë, guximin dhe kurajon.

Ky personalitet luajti dhe shkroi historinë e bukur të futbollit të qytetit tonë. Nëse ka pasur ndonjë kulm dhe ndonjë lojtar që të kishte vezullimin dhe shkëlqimin, ai ka qenë pikërisht Majaci. Majaci i dha shumë frymëzim, shumë guxim e shumë krenari qytetarëve në një periudhë të vështirë pluraliste, në një periudhë kur shpresat dhe liritë ishin të pakta dhe ai ishte një figurë bashkimi për njerëzit në një kohë kur ata ishin mjaft të ndarë. Ne dëshirojmë ta përjetësojmë emrin e Kujtim Majacit jo vetëm dhe thjeshtë, sepse kështu i bëjmë respektin, jo vetëm dhe thjeshtë sepse qyteti jonë i është mirënjohës atij, por sepse me veprën dhe personalitetin e tij do të edukojmë të rinjtë e ardhshëm, lojtarët e ardhëshëm të Apolonisë.

Me Majacin dhe historinë e tij ne dëshirojmë t’i japim peshë fanellës së Apolonisë. Ne dëshirojmë të tregojmë se përtej këtyre fanellave që mbajmë në shpinë, është e gjallë një histori shumë e madhe, një histori njerëzish e djemsh të rinj,” – ishin këto fjalët e Presidentit të Nderit, Koço Kokëdhimës, mbajtur gjatë asamblesë së jashtëzakonshme. Ndërkohë një vlerësim të veçantë për futbollistin e ndjerë Majaci ka dhënë edhe kreu i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, i cili ndër të tjera është shprehur se familjes së Majacit shumë shpejt do t’i dorëzohet edhe tituli “Qytetar Nderi i Fierit”, akorduar nga këshilli bashkiak. Nje veprimtari e tillë do të shoqërohet edhe me një dokumentar kushtuar yllit të futbollit Kujtim Majacit.

Një kupë me dhe një statujë në nderim të Majacit
Drejtuesit e shoqërisë aksionere të “F.K Apolonia”, konkretisht, Presidenti i Nderit dhe donatori kryesor i këtij ekipi Koço Kokëdhima, presidenti aktual i ekipit fierak Endri Puka, si dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, kanë dalë në një konferencë shtypi, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë vendimet e marra nga asambleja e aksionerëve në një mbledhje të jashtëzakonshme në nderim të figurës të legjëndës së futbollit fierak, Kujtim Majacit, që u nda nga jeta para pak ditësh. Ja vendimet që u morën për të nderuar Kujtim Majacin:

1. Fanela me numrin 11 bardhejeshil, që mbante dikur ish futbollisti i njohur i ekipit fierak dhe atij kombëtar, Kujtim Majaci, do të hiqet nga qarkullimi i ekipeve të këtij klubi, duke përfshirë dhe ato zinxhirë dhe do t’i dhurohet një në vit vetëm lojtarit më të mirë të akademisë së futbollit, që do të fillojë funksionimin këtë vit shkollor.

2. Pranë akademisë së futbollit do të ngrihet një muze për të përkujtuar figurën e ish futbollistit Majaci, si dhe të klubit sportiv Apolonia, dhe në pjesën e përparme të këtij muzeu do të vendoset një statujë e këtij futbollisti.

3. Klubi sportiv Apolonia në muajin gusht të çdo viti përpara fillimit të sezonit sportiv kombëtar do të organizojë një turne futbolli me pjesëmarrjen e katër ekipeve të superligës, që do të titullohet “Kupa Majaci”.
4. Të ardhurat e trofeut që do të organizohet në muajin gusht do t’i kalojnë të gjitha familjes Majaci.

5. Bursa e parë e akademisë së futbollit do t’i jepet djalit të ish futbollistit Majaci, që sot aktivizohet me ekipet zinxhir të klubit.


Brkiç vlen më shumë se 150 mijë euro

Për sa i përket çështjes Brkiç, Presidenti i Nderit, Kokëdhima, u shpreh: “Në mesin e sezonit të kaluar ky futbollist na është kërkuar nga një ekip turk me vlerën e 100 mijë eurove, por ne nuk e shitëm. Ndërkohë që tashmë kemi kërkuar 50 mijë euro plus tre kartonë lojtarësh. Në qoftë se një gjë e tillë bëhet e mundur, atëherë ne mund të pranojmë. Ne kërkojmë që në sezonin e ri të kemi një ekip solid e kompetitiv, në mënyrë që të jetë i suksesshëm, ndaj dhe vazhdojmë të jemi në merkato për ta përforcuar atë dhe më tej. Kështu jemi në negociata me 5 lojtarë cilësorë, të cilët jo vetëm do të plotësojnë kërkesat e trajnerit Karishik, por do të krijojnë më shumë alternativa dhe do të rrisin konkurrencën brenda tij.

Forcës sulmuese së ekipit fierak i është shtuar edh një tjetër lojtar nga Serbia

Sulmi i Apolonisë do të ketë edhe një lojtar të ri për nga përbërja këtë sezon. Shprehemi kështu, pasi serbi Predrag Iliç ka një përvojë të madhe në fushën e futbollit. Ai ka lindur më 5.9.1979 dhe ka luajtur për shumë sezone me ekipin e Novi Pazarit, atje ku pasur trajner teknikun aktual të Apolonisë, Esad Karishik, dhe ka qenë bashkëlojtar me futbollistë të tjerë që kanë luajtur apo lujanë me fierakët, si Edin Ferizoviç, Semir e Sead Haxhibuliç apo dhe Kenan Ragipoviç. Iliç shquhet për nuhatje të lartë drejt portës dhe një bilanc të shkëlqyer në realizimin e golave.

Kështu, gjatë sezonit 2006-2007, Iliç ka dalë i dyti në listën e shënuesve më të mirë të Ligës së Parë serbe me 13 gola të shënuar, pas sulmuesit Filip Dordeviç të Radit, që kishte shënuar 16 gola. Nëse do të bëhej një krahasim me ish‑shokun e skuadrës te Novi Pasar dhe partner të sulmit tashmë tek Apolonia, Sead Haxhibuliç, Iliç ka luajtur në atë kampionat 14 ndeshje dhe ka shënuar 13 gola, ndërsa Haxhibuliç ka luajtur 35 ndeshje dhe ka shënuar 6 gola.

Po atë sezon, Iliç ka lënë pas edhe sulmuesin Mladen Bërkiç, i cili në atë kohë luante për ngjyrat e skuadrës Mladenovacit. Nisur nga këto shifra, skuadra fierake duhet të ejtë optimiste për një sulm edhe më të frikshëm këtë sezon, duke pasur parasysh që në këtë repart luajnë edhe njohësit e tjerë të sprovuar të golit, siç janë dy futbollistët e sipërpërmendur, Bërkiç dhe Sead Haxhibuliç, apo dhe i riu shqiptar shumë i talentuar Arbër Dhrami.

Vetë Iliç nuk e fsheh optimizmin me të cilin ai pret fillimin e sezonit të ri dhe njohjen më konkrete të skuadrës me të cilën do të luajë për të parën herë. “Ende nuk ka filluar kampionati dhe ne nuk kemi pasur mundësi të zhvillojmë ndonjë ndeshje, por unë jam i bindur që kam bërë zgjedhjen e duhur. Me futbollistët e tjerë serbë që ndodhen në skuadër, unë kam luajtur sezone më parë dhe kam një njohje të mirë me ta, duke njhohur dhe karakteristikat e lojës. Janë futbollistë të shkëlqyer dhe Apolonia ka bërë zgjedhje të mirë me ta. Nuk dyshoj që do të kem probleme përshtatje në skuadër.

Përveç njohjeve të vjetra që kam me lojtarët serbë, më duhet të them që kam krijuar një përshtypjë shumë të mirë për futbollistët shqiptarë të Apolonisë. Tek ata kam vënë re një përkushtim maksimal dhe një punë vërtet profesionistësh në përgatitjet që kanë bërë. Nisur nga të gjitha që thashë më lart, më duhet të pranoj që kam nënshkruar për një skuadër që do të ketë një profil të qartë në kampionat,” ‑ është shprehur sulmuesi serb i Apolonisë, Predrag Iliç.

Fierakët nisen drejt Serbisë mbrëmë vonë

Pasi ka përfunduar një periudhë trijavore përgatitje dhe stërvitje në qytetin e Fierit, Apolonia është nisur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të dielës për në Serbi, atje ku do të qëndrojë tri javë për të kryer fazën përgatitore. Do të jetë një periudhë në të cilën trajneri Karishik dhe stafi i tij teknik do të kenë mundësi për të synuar përmirësime të mëtejshme dhe kapjen e formës optimale të futbollistëve. Gjithashtu, të rëndësishme do të jenë edhe ndeshjet që janë planifikuar për t’u zhvilluar nga fierakët, një mundësi e mirë për të pasur një ide edhe më të qartë rreth formës së lojtarëve dhe sidomos për adaptimin e futbollistëve të ardhur së fundi në skuadër.

apolonia5

Fierakët kanë zgjedhur Serbinë për të vijuar fazën stërvitore për dy javë

Teksa janë të gatshëm për t’u nisur për në Serbi, futbollistët fierakë shprehin besimin se prej fazës përgatitore do të kthehen më të plotë dhe më të formësuar në në të gjithë komponentët. Qendërmbojtësi serb Edin ferizoviç, një nga zbulimet e Apolonisë së kampionatit të kaluar, shprehet se është shumë i motivuar për të filluar një kampionat të ri që nga fillimi dhe për të qenë protagonist së bashku me ekipin e tij. Eshtë folur shumë për një Apoloni ndryshe në këtë sezon, për një skuadër më të fortë dhe me më shumë pretendime. “Për të pasur një ekip më të fortë, kërkohet që të gjithë lojtarët të japin maksimumin e tyre.

Kryesore për fillimin mbarë të një sezoni është edhe mënyra se si vetë futbollistët e përgatisin diçka të tillë, pra dua të them se kjo është e lidhur ngushtë edhe më fazën përgatitore të ekipit. Nga sa kam vënë re, të gjithë shokët e skuadrës janë të karikuar dhe janë mobilizuar maksimalisht në stërvitje për të kapur më të mirën e mundshme të formës së tyre dhe kjo është pozitive. Do të jetë një sezon ku ne duhet ta themi fuqishëm fjalën tonë dhe nuk duhet të kemi ekuivoke për objektivat tona. Ka një tjetër tregues pozitiv po të vihet re edhe në merkaton e bërë nga ana e klubit, pasi jemi mbështetur më shumë te fubollistët me përvojë dhe këtë kampionat do të kemi mundësi që të kemi një ekip më të pjekur”, – shprehet Ferizoviç, i cili flet edhe për dy bashkëatdhetarët e tij të rinj që i janë bashkuar Apolonisë këtë sezon, Ragipoviç dhe Iliç: “Janë dy lojtarë që i vlejnë shumë Apolonisë.

Ata janë profesionistë të mirë dhe korrektë në çdo lloj marrëdhëniesh. Unë jam shumë optimist se ata do të japin një kontribut shumë të konsiderueshëm për ekipin tonë, duke ndihmuar ndjeshëm në realizimin e objektivave. Nuk besoj se do të kenë probleme përshtatjeje, pasi veç përvojës së mirë që vetë ata posedojnë, i janë bashkuar ekipit në kohën e duhur. Unë jam i bindur se këtë vit do të kemi një skuadër shumë më të fortë dhe koha do të më japë të drejtë. Të gjithë janë në pritje të startimit të sezonit të ri, për të luftuar për një skuadër që do të jetë më e qartë dhe më e prirë drejt rezultateve më të larta dhe shkallëve më të larta në renditje”, është shprehur mes të tjerash qendërmbojtësi i Apolonisë, Edin Ferizoviç.

Fierakët, duke ruajtur grupin, pa shumë bujë po përgatiten për sezonin e ri

Pas kortezisë së respektimit të një minutë heshtjeje në nderim të emrit të madh të Kujtim Majacit, skuadra fierake ka vijuar normalitetin e përgatitjeve të saj. Janë seanca të përgatitura me kujdes nga trajneri Karishik, kur mbeten ditët e fundit që skuadra zhvillon në Fier, përpara se të largohet në fazën përgatitore në Serbi. Edhe pse po punohet fort me grupin që trajneri Karishik ka në dispozicion, ende organika e skuadrës duket e paplotësuar, pasi sërish ekipi do të jetë në lëvizje dhe në kërkim në merkato, duke dashur të paktën të sigurojë edhe dy futbollistë të tjerë, një portier dhe një mesfushor të majtë, a ndoshta dhe një mbrojtës, për të cilët pak gjasa ka që të jenë bashkë me ekipin këto ditë.

Duke vëzhguar kontigjentin e lojtarëve që ka në dispozicion aktualisht Apolonia, mund të thuash se krijon një lloj garancie për sezonin e ardhshëm. Realisht nuk është bërë ndonjë merkato e fryrë dhe me shumë emra, të paktën deri tani. Përsa i përket tregut të huaj, ai ka qenë i balancuar, pasi janë larguar dy futbollistë dhe janë ofruar dy të tjerë. Kështu, pas largimit të mbrojtësit Sreçkoviçit dhe mesfushorit Semir Haxhibuliç, në ekip janë bashkuar dy futbollistë të tjerë serbë, mesfushori Ragipoviç dhe sulmuesi Iliç.

PORTA ‑ Aktualisht është i sigurt Egland Haxho dhe është pranë nënshkrimit dhe ish‑portieri i kësaj skuadre, Elton Hazizi, ndërsa dinamoviti Alban Hoxha duket se nuk ka dashur të jetë sërish pjesë e fierakëve. Me dy portierë në dispozicion, nga të cilët njëri i sigurt për momentin, trajneri Karishik ka kërkuar që të sigurohet edhe një tjetër “guardian”, pasi kjo do të krijonte më shumë qetësi dhe garanci në një kampionat të gjatë në përmbajtje të tij.

MBROJTJA ‑ Pas largimit të mbrojtësit të majtë Aleksandër Sreçkoviç, është bashkuar me ekipin mbrojtësi 30‑vjeçar Ilirjan Mërtiri, i cili është rikthyer në Fier, pasi ka luajtur me ekipe të tilla si Skënderbeu dhe Besa. Të këtij reparti janë edhe futbollistët Shoshi, Ferizoviç dhe Elmazi, të cilët janë mbrojtës të mirëfilltë, por nevojat e ekipit mund t’i përmbushin sipas nevojave edhe futbollistë të tillë, si Kelmendi apo dhe ndonjë tjetër mesfushor i tërhequr. Gjithsesi, duket se edhe “prapavija” ka nevojë për emra të tjerë.

MESFUSHA ‑ Duket reparti më i kompletuar, edhe pse ka shumë futbollistë që ende nuk kanë nënshkruar. Ajo që bie në sy në mesfushë është fakti se janë disa ish‑futbollistë të Apolonisë që kërkojnë të rikthehen në skuadër. Kështu, ky repart ka futbollistë të tillë, si Gega, Bratja, Kelmendi, Hoti, i ardhuri i fundit nga Serbia, Ragipoviç. Por, në emrat që lanë luajtur me Apoloninë, mund të përmendim edhe dy mesfushorë: Gërçon dhe Mihon, pa harruar këtu edhe Agim Meton që do të rinovojë kontratën me skuadrën fierake. Në këtë repart, janë larguar Çerçizi dhe Klodian Asllani dhe serbi Semir Haxhibuliç. Trajneri Karishik është i interesuar për një mesfushor të majtë, për të kompesuar dhe largimin e serbit Haxhibuliç.

SULMI ‑ Arbër Dhrami, Sead Haxhibuliç, Iliç, Bërkiç… Dy të parët duket se janë të sigurt që do të vazhdojnë të jenë të Apolonisë, duke llogaritur dhe sulmuesin Iliç, ndërsa janë shtuar pikëpyetje të shumta për Bërkiç, edhe pse kontrata e tij me fierakët nuk ka skaduar. Duket se golshënuesi më i mirë i Apolonisë sezonin e kaluar nuk i ka marrë dhe aq me qetësi “përkëdheljet” e skuadrave të tjera të interesuara për të. Nga ky repart është larguar vetëm futbollisti i ri i talentuar, Odise Roshi që tani luan për Flamurtarin.

aplonia

Janë sërish 5 futbollistë serbë që pritet të startojnë sezonin me ekipin fierak

Vëmendja kryesore e drejtuesve të klubit të Apolonisë, tifozëve dhe vetë lojtarëve, është më tepër e përqendruar në merkaton e skuadrës. Kështu, pas dy blerjeve të reja që kanë ardhur nga Serbia, si Iliç dhe Ragipoviç, grupi duket se ka marrë më tepër formë, pasi janë bashkuar edhe dy sulmuesit po nga vendi fqinj, Mladen Bërkiç dhe Sead Haxhibuliç, pas përvojës në pjesëmarrjen europiane me Dinamon. Deri tani, numri i futbollistëve të huaj tek Apolonia shkon në pesë të tillë, tre prej të cilëve do të luajnë në sulm. Të gjithë këta lojtarë vijnë prej Serbisë. Duhet thënë se po kaq ka qenë edhe vjet numri i futbollistëve serbë që e mbyllën kampionatin me Apoloninë. Vetëm gjatë një edicioni të përfunduar dhe hapave të para të një edicioni tjetër, tek Apolonia ka pasur një vërshim lojtarësh me kombësi serbe. Kështu, ngjyrat e fierakëve i kanë mbrojtur gjashtë lojtarë në kampionatin e kaluar: Aleksandër Sreçkoviç, Pedrag Mirçeta, Semir Haxhibuliç, Mladen Bërkiç, Edin Ferizoviç dhe Sead Haxhibuliç, këta dy të fundit ardhur gjatë merkatosë së dimrit. Nga Apolonia është larguar Mirçeta në mes të kampionatit dhe, me sa duket, nuk do të jenë më pjesë e ekipit as mbrojtësi Sreçkoviç dhe as mesfushori Haxhibuliç. Dy emrat e rinj, Iliç dhe Ragipoviç, e çojnë në tetë numrin e lojtarëve serbë tek Apolonia, duke filluar që nga 2008-ta, duke krijuar të ashtuquajturin fenomen “serbomania”, të nisur që në kohën kur drejtonte Gerti Haxhiu dhe të vazhduar në këtë rrugë nga trajneri Karishik. Tashmë, emrat dhe futbollistët e tjerë që do të jenë pjesë aktive e merkatos së Apolonisë, do t’i përkasin tregut vendës, aty ku fierakët duket se kanë më shumë vështirësi për të bindur futbollistët e objektivave të tyre për t’u veshur me kostumin bardhejeshil. Por nuk është ky i vetmi problem. Përveç kërkimit me forcë të një portieri dhe të një mbrojtësi të majtë, Apolonia nga ana tjetër duhet të bëjë çmos për të ruajtur futbollistët cilësorë që ka, një problem ky që është rikthyer te fierakët. Kështu, serbët e sulmit, Bërkiç e Haxhibuliç, me paraqitjet e tyre në kampionatin e kaluar dhe me prezantimin me ngjyrat e Dinamos në ndeshjet në Europë, po joshen nga ekipe të tjera. Vetë futbollistët nuk duan të japin një prononcim në këtë drejtim, duke lënë të nënkuptuar se këto janë çështje që u takojnë drejtuesve të klubit. Por jo vetëm kaq. Edhe për qendërmbrojtësin Shoshi duket se ofertat nuk do të kenë të mbaruar ndonjëherë, sa kohë që do të ekzistojë merkatoja. Së fundmi janë shfaqur edhe dy pista të reja interesimi për lojtarin në fjalë, njëra nga kategoria e dytë belge dhe tjetra nga Qipro. Por kapiteni edhe një herë thotë: “Kam kontratë me Apoloninë.”

Ish-kapiteni i ekipit fierak Klodian Asllani është ndarë në mirëkuptim të plotë

Sigurisht që një kohë merkatoje dhe një fillim sezoni është e shoqëruar me ndryshime futbollistësh, prurje të reja, por edhe largime. Këto të fundit, për shkak të përfundimit të kontratës apo dhe në kërkim të përvojave të reja me të tjera ekipe. Edhe ekipi i Apolonisë nuk bën përjashtim nga kjo logjikë, por më e rëndësishme është mënyra e largimit të futbollistëve, e cila ka qenë më mirëkuptim të plotë nga të dyja palët, duke respektuar korrektesën e ndërsjellë. Ky është edhe një tregues i qartë i seriozitetit të klubit fierak dhe një siguri më tepër për të gjithë ata futbollistë që janë bërë apo do të bëhen pjesë e kësaj skuadre.

Nga kontigjenti i futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar tek Apolonia, deri tani është larguar sulmuesi i ri Odise Rroshi dhe janë lojtarë të lirë Klodian Asllani, Taulant Çerçizi dhe Agim Meto. Për sa i përket kapitenit të Apolonisë në sezonin e kaluar, Klodian Asllani, ai nuk do të jetë më pjesë e fierakëve dhe momentalisht ndodhet në fazën e studimit të ofertave, që për të, nuk kanë se si të mungojnë.

Një nga ikonat e vijës së parë në vitet e fundit në kampionatin shqiptar, nuk e kishte menduar dhe aq të lehtë ndarjen nga skuadra fierake, edhe pse ka luajtur vetëm një sezon. “Kam kaluar një sezon të shkëlqyer me një skuadër që të krijonte kënaqësi për të luajtur. Ka qenë një kampionat që ka lënë mbresa tek unë. Më ka pëlqyer dhe më ka impresionuar mënyra se si funksiononin të gjitha hallkat brenda klubit dhe brenda skuadrës.

Apolonia e sezonit që kam luajtur dhe unë, ka qenë një ekip që ka pasur një frymë kolektiviteti që ka ardhur përherë e në rritje dhe për këtë nuk dua të veçoj merita, pasi kush më shumë e kush më pak, ka pjesën e vet të suksesit. Kam pasur rastin që në karrierën time të luaj për shumë skuadra dhe të kem qenë në shumë stadiume, por ka pasur emocione të veçanta të luaje në “Loni Papuçiu”, atje ku shkallët vinin në tejmbushje nga ndeshja në ndeshje dhe ndiheshe si me flatra përballë një publiku që të brohoriste gjatë gjithë kohës.

Shpresoj që të mos më mungojë një publik i tillë, edhe pse e di se do të jetë e vështirë që të gjesh një rast tjetër sivëlla me sportdashësit fierakë,” – shprehet Klodian Asllani, i cili ka luajtur vetëm një sezon me Apoloninë, duke ardhur nga skuadra e Bylisit dhe duke u bërë futbollisiti i “prekjes së fundit”, siç do ta quante trajneri i atëhershëm i Apolonisë, Gerti Haxhiu.

Përvoja e Asllanit i dha të tjera impulse loje performancës së Apolonisë dhe krijoi më shumë siguri. Ai u bë lojtari që dinte ta orientonte dhe drejtonte siç duhej skuadrën në fushën e lojës. “Nuk ka pasur asnjë pretendim nga ana ime dhe asnjë pengesë, madje gjej rastin të përshëndes dhe falënderoj drejtuesit e të gjitha rangjeve të klubit tonë për korrektesën që kanë treguar gjatë gjithë edicionit që kaluam bashkë. E theksoj, është kënaqësi të luash për këtë ekip, por thjesht është një provë për një tjetër eksperiencë të re.

Sigurisht që unë e kam në zemër Apoloninë dhe ajo është bërë një pjesë imja, prandaj nuk do të jem asnjëherë indiferent ndaj ecurisë së saj. Besoj dhe jam më se i bindur se do të jetë një skuadër që do t’i përmbushë synimet tepër serioze që ka këtë sezon, sepse unë besoj te të gjithë faktorët e këtij ekipi, te përkushtimi dhe dëshira e tyre,” ‑ ka përfunduar ish-kapiteni i Apolonisë, tashmë lojtar i lirë, Klodian Asllani

Një lajm i mirë që ngroh futbollistët dhe tifozët fierakë është edhe konfirmimi që bëhet për trajnerin Karishik, i cili do të firmosë sot (15 qershor) kontratën e re me presidencën e klubit të Apolonisë. Pas kësaj, “timonieri” i fierakëve do të ndërmarrë startimin e “udhëtimit” të ri për të përballuar kampionatin e 71-të. Dhe Apolonia ka të tjera sfida, të tjera synime, të tjera objektiva. Parësore tashmë mbetet forcimi i organikës së futbollistëve dhe krijimi i një boshti që do të mundësojë që skuadra të jetë një pretedente e zonave të tjera, të cilat janë bërë të njohura tashmë. Apolonia në Europë nuk përbën më sekret dhe nuk duhet vlerësuar si utopi apo pamundësi ekstreme, por të gjithë faktorët te klubi fierak janë të mobilizuar për të ndërtuar infrastrukturën e duhur për ta mundësuar diçka të tillë. Trajnerit Karishik i është besuar edhe roli i menaxherit dhe është ai që duhet të piketojë dhe vendos së pari se cilët janë ata lojtarë që vlejnë për një Apoloni më pretenduese. Dhe trajneri ka lëshuar disa sinjale të vogla, por pa dhënë shumë shpjegime, për futbollistë të kontaktuar konkretisht. Bëhet fjalë për lojtarë të tregut ballkanas, jo pse Karishik është partizan i kësaj, por i detyruar ndoshta dhe nga pamundësia që ofron momentalisht tregu shqiptar. Janë tre futbollistë të huaj, të cilët mund të jenë pjesë e Apolonisë këtë sezon, konkretisht një portier, një mesfushor dhe një lojtar organizator. Duke i bashkangjitur dhe me grupin e futbollistëve që ka Apolonia, rritet cilësia, por Karishik nuk mjaftohet me kaq. Ai shprehet se do të ndërhyhet edhe në kampionatin shqiptar për të kërkuar shërbimin e dy-tre futbollistëve të tjerë, ku më tepër do të insistohet për një mbrojtës të majtë. “Realisht unë do të preferoja që të gjeja sa më shumë futbollistë nga kampionati shqiptar, pasi më krijonte më tepër komoditet edhe në përzgjedhjen e formacionit, pasi dihet që numri i futbollistëve të huaj që mund të aktivizohen në një ndeshje, është i limituar. Veç tre futbollistëve ballkanas, kemi vëzhguar edhe lojtarë shqiptarë dhe kemi hedhur piketat tona. Sigurisht që unë kam mbështetjen e drejtuesve dhe kjo më jep kurajo dhe besim për krijimin e grupit të duhur. Ne kemi një bërthamë me 5-6 futbollistë shumë të mirë, duke i shtuar këtij numri edhe 4 apo 5 futbollistë të tjerë, që mendojmë t’i bëjmë pjesë të skuadrës, atëherë do të ishte shumë mirë për atë Apoloni që ne kemi menduar. Do ta kemi në kohën e duhur ekipin,” ‑ deklaron trajneri Karishik.

Nëntor 2014
Hën Mar Mër Enj Pre Die Sht
« Tet    
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.